Blerina Bombaj
Tiroiditi Hashimoto është inflamimi i gjëndrës tiroide i shkaktuar nga sulmi që i bëhet asaj prej vetë sistemit imunitar të trupit.
Për këtë arsye, kjo sëmundje quhet autoimunitare dhe pasohet nga hipoaktiviteti i saj dhe nivele të ulëta të tiroides në gjak. Ky hormon është përgjegjëse për shumë funksione fiziologjike si dhe për metabolizmin e njeriut.
Nuk ka shërim për këtë sëmundje, por plotësimi i hormoneve në mënyrë artificiale i rregullon nivelet e tyre në gjak dhe optimalizon funksionet fiziologjike që varen prej tyre. Dozat e mjekimit vendosen nga mjeku duke marrë parasysh shumë faktorë dhe monitorohen gjatë gjithë kohës për t’i përshtatur.
Dieta
Ka shumë teori që pretendojne të rregullojnë tiroiditin Hashimoto nëpërmjet dietës, por asnjëra prej tyre nuk është e vërtetuar shkencërisht. Gjithsesi, duke marrë parasysh se kjo sëmundje vjen si nje crregullim i sistemit imunitar, mund te ndjekim parimet bazë të një diete për të forcuar imunitetin, i cili fillon në aparatin tretës, dhe për të ulur inflamimin. Dhe këto parime janë:
- Konsumi i ushqimeve të papërpunuara, të freskëta, të larmishme
- Konsumi i shpeshtë dhe i mjaftueshëm i peshqve të kaltër dhe i farave të linit
- Marrja e mjaftueshme e fibrave bimore
- Evitimi i sheqerit dhe miellit të bardhë
- Evitimi i stimulantëve si kafja dhe alkooli
- Konsumi i ushqimeve të pasura në probiotikë si kosi dhe turshitë e shtëpisë.
- Evitimi i sasive të tepruara të perimeve të familjes së kryqëzoreve si brokoli, lulelakra, lakra – edhe pse këto ushqime në sasi të moderuar janë tepër të vlefshme për shëndetin.
- Marrja e proteinave në çdo vakt ndikon pozitivisht
- Mineralet si selenium dhe zink luajnë rol të rëndësishëm në formimin e hormoneve të tiroides. Ushqime të pasura në to janë arrat e Brazilit dhe vaji i farave të kungullit.
- Koliandri është erz tepër e dobishme për të detoksifikuar trupin nga mërkuri – një metal i rëndë i cili mendohet të ketë lidhje me shkatërrimin e gjendrës tiroide dhe burimi i tij mund të jetë përveç ushqimit – amalgamet e dhëmbëve.
Shembull Ditor
Mëngjes
1 vezë fshati me vaj farash kungulli dhe rigon
Në frulator: Lëng molle + ¼ avokado + 1 kastravec + pak majdanoz + 1 lugë të madhe bajame të zbutura në ujë
Paradite
2 arra Brazili + 2 fruta të stinës
Drekë
Sallatë jeshile, rukola, finok, domate, gjizë, fara & djathë dhie të njomë + 150gr peshk të vogël + 1 kupë oriz të egër me kikirika dhe kurkume.
Pasdite
Kos natyral ose qumësht arre kokosi + fruta pylli + copëza arre kokosi + fara “chia”
Darkë
- Supë me qiqra, qepë dhe vaj ulliri + panxhar i pjekur me gjizë të njomë dhe fara kungulli
Lidhja Trup dhe Mendje
Filozofia e Lindjes së largët e vendos gjëndrën tiroide midis trurit dhe zemrës dhe një çekuilibër i këtyre të dyjave mund të reflektojë në përkeqësimin e tiroides. Aktivitete si joga, meditimi dhe teknikat e frymëmarrjes mund të ndihmojnë në përmirësimin e gjendjes fizike dhe mendore, duke ndihmuar mbarëvajtjen e gjëndrës së vogël por me një rol të madh!/ Shendeti.com.al



