Përkujtohet 7 Tetori, Dita Botërore për Punën e Denjë

Eneida Mjeshtri

7 tetori i vitit 2017 shënoi 10 vjetorin e Ditës Botërore për Punën e Denjë (WDDW). Puna e Denjë është një agjendë e zhvilluar  nga Organizata Ndërkombëtare e Punës  (ILO) dhe e reflektuar edhe në Objektivin Nr. 8 të Objektivave  të Zhvillimit të Qëndrueshëm Botëror “Për punë të denjë dhe rritje ekonomike”. Puna e denjë përmbledh gjithë aspiratat e njerëzve përgjatë punësimit të tyre. Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës, puna e denjë përfshin shanset për punë që është produktive dhe siguron të ardhura dinjitoze, siguri në vendin e punës dhe mbrojtje sociale për familjet, të ardhme të begatë për zhvillim personal dhe integrim social, liri që njerëzit të shprehin shqetësimet e tyre, të organizohen në mënyrë kolektive dhe të marrin pjesë në vendimet që ndikojnë punën e tyre.  Puna e denjë duhet të jetë në qendër të veprimit të qeverisë për të rikthyer rritjen ekonomike dhe për të ndërtuar një ekonomi të re globale me  njerëzit në qendër.

Këtë vit, fokusi global  i Ditës Botërore të Punës së Denjë është vendosur  në luftën botërore për paga minimale dhe rritje pagash për të gjithë punëtorët. Qeveritë duhet t’i kushtojnë vëmendje punës së grave dhe burrave për rroga të mira, punë të sigurta dhe t’i japin fund korporatave lakmitare që vendosin rregullat e ekonomisë. Kjo do të thotë që minimumi i pagave duhet të jetë i mjaftueshëm për të siguruar një standard të mirë jetese dhe që të gjithë punëtorët duhet të kenë të drejtën për t’u bashkuar  lirisht në sindikata dhe për të negociuar kolektivisht.

Agjenda e punës së denjë mbështetet në katër shtylla  veprimi:  Politikat e punësimit;   mbrojtja shoqërore; standardet e punës dhe dialogu social, fusha këto që kërkojnë angazhimin e  jo vetëm aktorëve qeveritarë dhe institucioneve publike për t’u mbërritur, por gjithëpërfshirje edhe të partnerëve socialë, shoqëisë civile dhe grupeve më të gjera të interesit.

Shoqëria civile investohet për herë të parë në çështje të punës cilësore dhe dialogut social.

Pikërisht,  në këtë ditë botërore,  3 organizata të shoqërisë civile : Qendra për Marrëdhënie Pune dhe Dialog Social, Qendra “Aleanca Gjinore për Zhvillim”  dhe shoqata “Together for Life”, me mbështetjen e Olof Palme Center International,  organizuan një aktivitet të përbashkët  në bashkëpunim me dy grupimet e mëdha sindikale në vend, Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë (BSPSH)  dhe Konfederatën e Sindikatave të Shqipërisë (KSSH). Kjo është hera e parë në Shqipëri që synohet të mblidhen bashkë gjithë aktorët kryesorë përgjegjës në zhvillimin e agjendës së  punës së  denjë për të promovuar zgjidhje të përbashkëta. Ky është edhe investimi i parë i shoqërisë civile shqiptare  në çështje të lidhura me punën cilësore dhe dialogun social.  Qëllimi i këtij aktiviteti ishte krijimi i një platforme të përbashkët midis shoqërisë civile dhe partnerëve socialë  për të thirrur dhe mbështetur të gjitha institucionet që të sigurojnë shpërndarje të drejtë të pasurisë përmes pagave minimale dhe kontratave kolektive.

Z. Arian Hoxha, Drejtori Ekzekutiv i Qendrës për Marrëdhënie Pune dhe Dialog Social,  në fjalën e tij theksoi rëndësinë e këtij takimi të parë  dhe nevojën për bashkëpunim të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm mes partnerëve socialë, qeverisë, punëdhënësve, punëmarrësve me të gjithë aktorët e shoqërisë civile. Gjithashtu, ai theksoi si të nevojshme krijimin e një platforme gjithëpërfshirëse për punën e denjë me përfaqësues të ndyshëm të cilët punojnë, mbështesin apo kanë ndikim në përmirësim e situatës së punës së denjë. Pikë kyce, u shpreh ai janë dhe fushatat e sensibilizimit dhe lobimit për punën e denjë, e kjo duhet arrirë me një bashkëpunim dhe me përpjekje të mëdha vecanërisht nga ana e sindikatave, të cilat janë një faktor i rëndësishëm për këtë çështje. Së fundmi, Z. Hoxha foli dhe në lidhje me angazhimin që CLRSD ka marrë që të lobojë pranë qeverisë që të bëhet e mundur firmosja e Paktit Global për Punën e Denjë brenda vitit të pare të qeverisjes.

Z. Gëzim Kalaja, president i BSPSH-së, u shpreh për  rëndësinë e  bashkëpunimeve  në nivel të tillë  me një pjesëmarrje kaq të gjerë. Ai foli për rëndësinë që  ka puna e denjë, promovimi i mundësive që burrat dhe gratë të angazhohen ne punë të denja dhe produktive në kushtet e lirisë, barazisë, sigurisë e dinjitetit njerëzor. BSPSH,  vazhdoi ai,  ka ndërtuar një platformë ekonomike-sociale me objektiva konkrete në kuadrin e punës së denjë. Gjithashtu, z. Kalaja foli për kontributin e BSPSH-së në përmirësimin e metodave të hartimit e zbatimit të akteve ligjore të punës,  rëndësinë e kontratave kolektive që kanë qenë fokusi i BSPSH-së. Lëvizja sindikaliste do të vazhdojë të jetë oponencë konstruktive në mbrojtje të demokracisë dhe dimensionit të saj social.

Avokatja e Popullit, ftesë institucioneve për respektimin dhe zhvillimin e Agjendës së Punës së Denjë.

Avokatja e Popullit e cila ishte e pranishme në takim, foli për gjendjen aktuale në Shqipëri dhe problematikat jo vetëm lidhur punën e denjë, por me vetë ekzistencën e punës dhe sa e domosdoshme është nevoja për ndryshime thelbësore në këtë fushë në vendin tonë. Ajo përmendi problematikat me zbatimin e ligjit, rolin e Avokatit të Popullit dhe raportet e publikuara që mund t’ju vijnë në ndihmë të gjithëve përpërmirësime të mëtejshme. Avokatja e Popullit iu bëri ftesë  të gjithë autoriteteve dhe institucioneve që të bëhen bashkë për të respektuar dinjitetin dhe të drejtat e qytetarëve në marrëdhëniet e punës.

Bashkim Sala, Organizatat e Punëdhënësve: duhet të kemi një përvetësim dhe njohje më të gjerë të Kodit të Punës që të arrijmë të sigurojmë zbatim të plotë të standardeve.

Bashkim Sala, përfaqësues i Organizatave të Punëdhënësve, foli për vëmendjen e vecantë që duhet t’i kushtohet punës së denjë që nga hartimi i legjislacionit deri në zbatimin e tij në praktikë. Ai theksoi që duhet të punojmë shumë që zbatimi mos të lëri shumë për të dëshiruar. Përmirësimi i cilësisë së punës dhe sigurimi i kushteve më të mira e më të sigurta të punës kontribuojnë në një standard më të mirë të jetesës dhe dinjitetit njerëzor, faktorë të cilët nga ana e tyre sjellin rritje të produktivitetit dhe efektivitetit të punës.  Gjithashtu, rëndësi duhet t’i kushtohet dhe krijimit të një mjedisi lehtësues për biznese të reja dhe të qëndrueshme, i cili varet nga politika të përcaktuara dhe artikuluara mirë. Z.Sala rekomandoi se duhet të kemi një përvetësim dhe njohje më të gjerë të Kodit të Punës që të arrijmë të sigurojmë zbatim të plotë të standardeve.

Znj. Zhuljeta Harasani, përfaqësuese e Zyrës së Organizatës Ndërkombëtare të Punës në Shqipëri, u fokusua në rëndësinë e aktiviteteve të tilla me një pjesëmarrje të gjerë të të gjithë aktorëve kryesorë në lidhje me punën e denjë dhe rëndësinë e vazhdueshmërisë së një praktike të tillë. Gjithashtu, znj. Harasani foli në lidhje me publikimin më të ri të zyrës së ILO-s, Komentarit të Kodit të Punës të Republikës së Shqipërisë, i cili është hartuar për t’ju ardhur në ndihmë të gjithëve për të krijuar lehtësi në kuptimin e Kodit të Punës duke zbërthyer të gjithë nenet në mënyrë që të jenë sa më të prekshme dhe të kuptueshme nga të gjithë.

CLRSD: Prezanton gjetjet e monitorimit të programeve politike parazgjedhore: Asnjë nga partitë politike të monitoruara nuk  parashikon në dokumentet programore konceptin e plotë të punës së denjë. Përfshihet punësimi dhe mbrojtja sociale. Nuk gjenden askund dialogu social dhe të drejtat e punëtorëve.

CLRSD  prezantoi gjatë këtij takimi, gjetjet nga monitorimi i programeve politike të secilës prej partive politike.  Fokusi i këtij monitorimi ishte përfshirja e punës së denjë dhe katër komponentëve të saj, punësimit, mbrojtje sociale, të drejtave të punëtorëve dhe dialogut social, në agjendat dhe dokumentet politike përpara dhe gjatë fushatës elektorale. Nga monitorimi vihet re se partitë politike e kanë përfshirë punën e denjë në programet e tyre politike. Por, vihet re tendenca për të përfshirë vetëm dy nga komponentët e saj: punësimin dhe mbrojtjen sociale. Ndërkohë, të drejtat e punëtorëve dhe dialogu social nuk zënë vend në programet politike apo në diskutimet politike. Pavarësisht qasjeve të ndryshme që i bëjnë dy komponentëve të sipërpërmendur partitë politike, arrihet në konkluzion që asnjë nga partitë politike të monituruara nuk e parashikon në dokumentet programore konceptin e plotë të punës së denjë. Gjatë periudhës në prag të fushatës pati ndryshime cilësore në diskutime ku pati rritje të diskutimeve në lidhje me punën e denjë nga pothuajse të gjithë partitë politike.  Ndëkohë, Z. Edison Hoxha në emër të Qëndrës për Marrëdhënie Pune dhe Dialog Social (CLRSD) , inkurajon partitë politike që të përfshijnë më shumë punën e denjë në programet e tyre politike.

Përfaqësueset e dy organizatave partnere në këtë aktivitet, GADC dhe TFL folën për punën respektive të dy organizatave dhe vështirësitë apo problemet që janë përballur gjatë punës së tyre në lidhje me barazinë gjinore në vendin e punës dhe problemet e punëtorëve në fasoneri dhe call center.

Gjatë takimit u paraqitën dhe rastet e dy punonjësve të cilat treguan për eksperiencat e tyre me punën në ndërrmarrje, kushtet e vështira të punës, pagën e vogël, oraret e zgjatura pa pagesë dhe me punën në ditë të pushimit duke paraqitur një realitet të vështirë të të drejtave të punëtorëve dhe respektimit të tyre.

Përfaqësuesja e Olof Palme Center, Znj. Plejada Gugashi, duke falënderuar të gjithë për pjesëmarrjen, tha se sa I rëndësishëm është ky lloj bashkëpunimi ku të gjithë aktorët kryesorë janë të gatshëm të punojnë së bashku për të kontribuar në dicka kaq të rëndësishme sa është puna e denjë. Znj. Gugashi theksoi se sa e rëndësishme është që të gjithë qytetarët të  jenë sa më të informuar në lidhje me Kodin e Punës dhe të përditësuar me ndryshimet që ndodhin në legjislacion që puna dhe kontributi ynë në shoqëri  të jenë sa më efektiv.

Dita Botërore për Punën e Denjë, në Shqipëri  u festua në praninë e shumë aktorëve shoqërorë, por në mungesë të vetë Qeverisë. Mos ndoshta jemi në kushtet e asaj që mund të konsiderohet  “me drojë” si një braktisje e qeverisë ndaj politikave të punës?!  . Themi me drojë, sepse ndodh që Kryeministri të na kapë gafilë në paragjykimet tona për logjikën e tij të qeverisjes me ndonjë lëvizje të beftë dhe të mirëmenduar si psh, ndonjë reflektim i vonë në strukturat ministrore, ose krijimin e ndonjë institucioni fuqiplotë ( dhe të mirëvarur ) që të adresojë pikërisht problemet e punës dhe dialogut social. Precedencat e neglizhimit të dialogut social dhe standardeve të punës, gjenden tashmë në programet parazgjedhore të partive politike. Pra, kemi të drejtë të druhemi dhe presim  siç e kemi traditë që qeveria të ketë diçka më të mirë në mendje për punën e denjë.

Ndërkohë, kabineti i sapoemëruar qeveritar nuk e përmban askund fjalën “punë”. Ajo që në fillimet e bërthamës së re qeveritare u shpall si “Ministria e Financave,  Ekonomisë dhe Punës”,  e rrëzoi si pa të keq dhe pa asnjë paralajmërim etiketën “punë”, duke i qëndruar publikisht vetëm dy të parave. Në organigramën e tanishme të Ministrisë të Financave dhe Ekonomisë, ( pa punën) , ekziston vetëm një Drejtori e Përgjithshme e Politikave të Makroekonomisë, Çështjeve Fiskale dhe Punësimit, e cila ka në varësinë e saj Drejtorinë e Politikave të Punësimit dhe Formimit Profesional, teksa kjo e fundit  nënndahet në 3 sektorë: Sektori i Arsimit Profesional; Sektori i Politikave të Punësimit dhe Migratore dhe Sektori i Sigurimeve Shoqërore dhe Pagës Minimale. Askund, asgjë e shkruar për marrëdhëniet e punës dhe dialogun social.  Ish Ministria e Madhe e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta e cila  nga mandati në mandat, si kalimet mitike nga ylberi në ylber, u shndërrua në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë,  sot nuk ekziston më. A do të ekzistojnë ende institucionet trepalëshe të dialogut social? A do të ketë ende burime njerëzore për të administruar konfliktet kolektive të punës, për të bashkërenduar interesat e partnerëve socialë dhe të tjera grupeve shoqërore të interesuara? Bashkë me ish Minitrinë e madhe të Punës, shuhen një aradhë e tërë specialistësh të mirëfilltë nëpunësish të lartë shtetërorë,  të cilët mbajnë bashkë me përvojën shumëvjeçare, edhe kujtesën e asaj që Shqipëria ka bërë deri më tash për Punën e Denjë, duke lënë pas përpëlitjet e sigurta të zëvendësueve të sapoemëruar, të cilët institucionalisht do t’i referohen për udhëkalim arkivave të rëndë të dosjeve ministrore, por jo atij që kurrë nuk mund të zëvendësohet kur flitet për punën: kapitalit njerëzor./ Shendeti.com.al

 

 

Postime të ngjashme

Turqia, destinacion global për shërbime mjekësore: Anadolu Medical Center, lider në këtë rrugëtim
Trajtimi psikosocial dhe shëndetësor i dhunuesve: hallka e munguar për thyerjen e ciklit të dhunës
Lajm i mirë për bluzat e bardha! Nga 1 qershori, rriten pagat për stafin mjekësor dhe teknik të urgjencës
Turizmi dentar po rrit tregun, inspektimet zbulojnë mangësi në klinikat dentare
AKU kontrollon në magazinën e mjekut popullor Ylli Merja: Bllokohen 4 ton bimë medicinale
Administrata Tatimore publikon listën e pagave indikative për sektorin mjekësor dhe estetik
Shoqata Amerikane e Zemrës publikon udhëzuesin e ri të ushqimeve: Favorizoni proteinat me bazë bimore
Pacientët e QSUT pa analiza, PD kërkon interpelancë me ministren e Shëndetësisë