Bronkiti, trajtimi dhe faktorët riskantë

Bisedoi: Elona Tereziu

Bronkiti është një sëmundje e rrugëve të frymëmarrjes që shkakton inflamim (pezmatim) të membranës së mukozës së rrugëve bronkiale në mushkëri. Meqë membrana e irrituar gungëzohet dhe bëhet më e trashë, kjo i ngushton ose i mbyll rrugët e vogla të frymëmarrjes në mushkëri, duke sjellë periudha kollitjesh që mund të shoqërohen nga gëlbazë dhe vështirësi në frymëmarrje.

Xhemil Alizoti, mjek pneumolog në Spitalin Universitar të Traumës, shpjegon për gazetën “Shëndet +” sëmundjen e bronkitit, duke u ndalur në mënyrë të veçantë tek faktorët riskantë.

Çfarë është bronkiti?

Bronkiti është një sëmundje e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, që shkakton inflamim (pezmatim) të membranës së mukozës së rrugëve bronkiale në mushkëri. Në praktikën mjekësore, dallohen dy tipa kryesore të bronkitit, akut dhe kronik, kjo në varësi të tipit të inflamacionit. Gjithashtu dallohen bronkitet të klasifikuar sipas shkaktarit etiologjik, gravitetit të manifestimit të sëmundjes, në primar (si sëmundje indipendente) apo sekondar (kur është si manifestim dytësor apo ndërlikim i një sëmundje tjetër), sipas ndryshimeve patologjike strukturore në pemën bronkiale.

Çfarë e shkakton bronkitin?

Ndër faktorët madhorë që akuzohen për shfaqjen e sëmundjes, mund të përmendim: duhanin, pluhurat, sëmundjet e ndryshme si virozat, sëmundjet e rrugëve të sipërme respiratore (sinozitet, faringitet, laringitet, angina etj), që japin komplikacione edhe tek bronkiti.

Cilat janë shenjat e sëmundjes dhe ku haset më shpesh?

Bronkiti haset më shpesh në moshat mbi 35 vjeç dhe prek më shumë femrat. Ndër shenjat e sëmundjes mund të përmendim kollën (kollën me sekrecione ose të thatë), temperaturën, sekrecionet etj. Është më tepër një sëmundje sezonale, haset kryesisht në periudhën e ndryshimit të temperaturave (në fillim të dimrit dhe në dalje të tij), ndërsa kur bëhet kronik, është i vazhdueshëm, pra nuk kemi më të bëjmë me një sëmundje sezonale.

Komplikacionet më të rënda?

Komplikacinet më të rënda  vijnë si pasojë e kollës së thatë dhe të fortë, që në disa raste mund të krijojë dhe pleumotoraks (grumbullimin e ajrit në zgavrën pleurale), duke shkaktuar dhimbje të forta dhe vështirësi në frymëmarrje tek pacienti, aq sa është i detyruar t’i nënshtrohet operacionit ose drenimit.

Si bëhet dignostikimi dhe trajtimi i sëmundjes?

Për diagnostikimin  e sëmundjes përdoret radiografia. Skaneri ose skopia janë gjithashtu ekzaminime të tjera, por më të avancuara. Bëhen analizat e gjakut, kimike dhe biokimike. Trajtimi është konservativ  dhe terapeutik. Kryesisht përdoret antibiotikoterapia, mukolitikoterapia, vitaminoterapia, edhe me drenim. Në parim mjekimi vazhdon 7-10 ditë. Pas kësaj i sëmuri rikontrollohet me grafi për të parë ecurinë e sëmundjes.

Përveç terapisë me mjekim, një rëndësi të veçantë ka edhe dieta, e cila duhet të jetë e lëngshme, e ngrohtë dhe me vitamina të bollshme./ Shendeti.com.al

 

 

 

Postime të ngjashme

Shkoi te Spitali i Traumës se e kishte më afër, nëna lind të shëndetshëm foshnjën në Tiranë
Çfarë është prediabeti?
Pas PPP-së, shteti tenderon dializën me kosto 43 % më të lartë se mesatarja e koncesionit  
Mjekja: Kur mund të merret në konsideratë kirurgjia bariatrike për trajtimin e obezitetit
VIDEO/ "Rënia në peshë, proces kompleks" - Mjekja tregon si obeziteti ndikon në shëndetin mendor
Gastroenteritet, virozat, diarrea dhe te vjellat e veres!
A rritet tensioni nga vapa? 10 gabimet që duhen shmangur
VIDEO/ Pse nuk mjafton vetëm dieta për të humbur peshë?