Për gazetën “Shëndet+” dr. Lorena Sinanaj, mjeke stomatologe
Sistemi dhëmbor i përhershëm përbëhet nga 32 dhëmbë,16 të vendosur në nofullën e sipërme dhe 16 në atë të poshtme. Secili dhëmb ka një funksion të caktuar në sistemin dhëmbor.
Sipas funksionit që kryejnë, ata i klasifikojmë në:
- Dhëmbë prerës të ushqimit (dhëmbët e përparme)
- Dhëmbë copëtues të ushqimit (paradhëmballët)
- Dhëmbë bluarës të ushqimit (dhëmballët).
Një nga problematikat që haset shpesh në stomatologji është mungesa e një ose më shumë dhëmbëve në sistemin dhëmbor.
Shkaqet:
- Kariesi i pa mjekuar. Individët që nuk kujdesen për higjienën e gojës, janë më të prirur të preken më shpejtë dhe më shpesh nga kariesi, dhe kur ky i fundit nuk mjekohet në kohën e duhur, prishja e dhëmbit arrin në atë nivel ku ai nuk mund të mjekohet më. Mjeku është i detyruar ta heqë dhëmbin.
- Infeksionet që nuk mund të trajtohen. Kur një dhëmb është i prekur nga infeksioni, jetëgjatësia e tij nuk është e sigurt, pasi në disa raste infeksioni mund të trajtohet e në raste të tjera jo.
- Thyerjet aksidentale. Ndodh që gjatë aksidenteve të ndryshme të thyhen dhëmbët. Kjo thyerje mund të jetë aq fatale saqë dhëmbin nuk mund ta mjekojmë dot dhe jemi të detyruar ta heqim.
- Kur dhëmbi nuk është shfaqur fare në sistemin dhëmbor. Kjo përfshin rastet e agenezive (dhëmbi mungon fare) dhe kanineve të retinuar (dhëmbët e qenit të mbetur në nofull). Në të tilla raste është e nevojshme konsulta me një mjek ortodont.
- Arsyet ekonomike. Shpeshherë janë këto arsyet (të paktën në vendet me standard më të ulët ekonomik) që i çojnë individët në heqje të parakohshme të dhëmbëve, duke mos pasur mundësi t’i mjekojnë. Ata shpesh paraqiten në klinikë me dhimbje, duke këmbëngulur që mjeku t’ua heqë dhëmbin edhe kur ai ka ende shanse të mjekohet.
Pasojat:
- Kur kemi mungesa të dhëmbëve, përtypja e ushqimit nuk bëhet e plotë.
- Fonetike. Kur ka mungesa të dhëmbëve, sidomos në regjionin ballor, nuk bëhet një shqiptim i saktë i fjalëve.
- Mungesat në sistemin dhëmbor nuk japin një pamje të mirë të fytyrës.
- Psikologjike. Individët me mungesa dhëmbësh janë të prirur të jenë tipa të mbyllur në vetvete.
- Individët me mungesa dhëmbësh shpesh paragjykohen nga shoqëria ku jetojnë.
Mënyrat e zëvendësimit:
Urat. Janë punime protetike fikse që zëvendësojnë një ose më shumë dhëmbë.
Implantet. Janë risia më e fundit në zëvendësimin e mungesave dhëmbore. Zëvendësojnë një ose më shumë dhëmbë. Implanti nënkupton një vidë që vendoset në kockë për të imituar rrënjën e dhëmbit që mungon. Pasi implanti integrohet me kockën (minimalisht 6 muaj), sipër tij vendoset punimi protetik që imiton kurorën e dhëmbit.
Protezat. Janë punime protetike të lëvizshme. Mund të jenë parciale ose totale. Aplikohen kryesisht tek individët e moshuar ose tek ata ku nuk mund të realizojmë asnjë nga variantet e mësipërme.
Ortodoncia. Ky është një rast i veçantë, ku si synim është drejtimi i dhëmbëve dhe korrigjimi i defekteve dentare apo skeletale, duke shfrytëzuar për këtë qëllim hapësirat ekzistuese që ndodhen në gojën e pacientit. Në fund të trajtimit ortodontik, dhëmbët janë të drejtuar dhe në gojë nuk ka më hapësira. Pra, në këtë rast mbyllja e hapësirave nuk është qëllimi kryesor i trajtimit, por është rezultat i tij./ Shendeti.com.al


