Në kuadër të projektit Europe4All organizata Përtej Barrierave si implementuse lokale e këtij projekti për Shqipërinë, ka organizuar një seminar informues në qytetin e Fierit.
Ky ka qenë seminari i tretë informues në lidhje me ketë projekt. Në këtë seminar morën pjesë 41 të rinj nga shkollat e mesme të qytetit të Fierit, nga të cilët 29 ishin femra dhe 12 ishin meshkuj.
Qëllimi i këtij aktiviteti ishte të informonte të rinjtë për vlerat dhe përfitimet e vullnetarizmit, vullnetarizmin e strukturuar dhe mundësitë ekzistuese të vullnetarizmit për ndryshimet pozitive që vullnetarizimi mund të sjellë në komunitete.
Një element shumë i rëndësishëm ishte edhe dimensioni evropian që iu dha këtyre seminareve informuese. Të rinjtë patën mundësinë për të folur edhe për perceptimin, pikëpamjet e tyre dhe si e shohin ata të ardhmen e tyre si pjesë e Bashkimit Europian. Një element shumë i rëndësishëm ishte edhe plotësimi i formularëve në lidhje me institucionet dhe njohjen nga ana e te rinjve të këtyre institucioneve europiane.
Seanca filloi me një prezantim të të gjithë pjesëmarrësve dhe një prezantim të përgjithshëm të projektit brenda qëllimeve, objektivave dhe rezultateve.
Ajo u organizua në një mënyrë interaktive ku pjesëmarrësit u inkurajuan gjithashtu të jepnin mendimet e tyre dhe të diskutonin përmes asaj që kishin dëgjuar, lexuar dhe përjetuar. Metodat e arsimit joformal u përdorën për të zhvilluar të gjithë seancën në mënyrë që të promovoheshin diskutime të hapura, përfshirje dhe qasje pjesëmarrëse.



