Zbatimi i rekomandimeve të Avokatit të Popullit nga institucionet publike treguesi i nivelit të demokracisë në vend

Në Kushtetutën e parë pas rënies së sistemit komunist në Shqipëri, të miratuar në vitin 1998, iu kushtua vëmendje e veçantë mbrojtjes së të drejtave të njeriut, duke parashikuar në nenet e saj, për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, ngritjen e një institucioni të posaçëm. Ky institucion u emërua ‘Avokati i Popullit’ – institucioni kryesor për mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit në këtë fushë.

Në vitin 1999, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin organik “Për Avokatin e Popullit”, duke e afirmuar këtë institucion si një garanci kushtetuese për mbrojtjen e të drejtave, lirive dhe interesave të ligjshëm të individit, qofshin ata shtetas shqiptarë ose jo, por që ndodhen në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Kjo mbrojtje sigurohet nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme dhe të parregullta të organeve të administratës publike.
Avokati i Popullit vepron në bazë të ankesës apo kërkesës së paraqitur pranë tij nga personi që pretendon se i është prekur e drejta por, në raste të veçanta, edhe me inisiativën e vet për ngjarje të bëra publike. Por, në asnjë rast, Avokati i Popullit nuk vendos direkt vetë për t’i dhënë të drejtat personit që ankohet, por bën rekomandime për vënien në vend të së drejtës së shkelur tek organi i administratës publike që ka shkaktuar shkeljen. Në rastet kur organi përkatës nuk reagon ndaj rekomandimeve të Avokatit të Popullit, ky i fundit mund t’i drejtohet shkallë-shkallë organeve më të larta në hierarki, deri edhe Kuvendit (Parlamentit) me një raport, duke propozuar edhe masa konkrete për vënien në vend të së drejtës së shkelur. Deri tek rekomandimi për institucionet e administratës publike Avokati i Popullit shkon nëpërmjet një procesi të thelluar hetimor në të cilin mbledh dhe arsyeson fakte dhe akte rreth çështjes që shqyrton.

Por sa eficent është institucioni i AP në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe sa të përgjegjshme janë institucionet publike në vlerësimin e vendimmarrjes së Avokatit të Popullit dhe në zbatimin e rekomandimeve të tij? Në një raport studimor të realizuar nga shoqata ‘Together for Life’, në kuadër të projektit “Evropa mbron të Drejtat e Njeriut”, mbështetur nga EU Albania, menaxhuar nga Ministria e Financave (CFCU Albania), fokusuar tek performanca e IKDNj në vitet 2016-2018, u analizua edhe puna e Avokatit të Popullit.

Sipas gjetjeve të studimit gjatë kësaj periudhe në punën e vet Avokati i Popullit është përballur, me tri sfida kryesore:
1- Mungesën e përgjigjeve për kërkesat për shpjegime;
2- Moskthimin e përgjigjeve për rekomandimet;
3- Moszbatimin e Rekomandimeve të pranuara paraprakisht.
Këto sfida kanë ardhur si pasojë e indiferencës së institucioneve publike ndaj vendimmarrjes së AP. Megjithatë, studimi vëren një përmirësim të lehtë të situatës nga mesi i vitit 2017 e më tej, pas ngritjes nga Kuvendi i Shqipërisë i ‘Mekanizmit të Përbashkët për Monitorimin Sistematik të Ndjekjes dhe Zbatimit të Rekomandimeve të Institucioneve të Pavarura Kushtetuese dhe atyre të Krijuara me Ligj’ (MPM). Mekanizmi, bazuar në rekomandimet e lëna nga Progres Raporti i Bashkimit Evropian, u parashikua t’i shërbejë rritjes së llogaridhënies të organeve të ekzekutivit dhe administratës publike për
zbatimin në kohë dhe në mënyrë të plotë të rekomandimeve të institucioneve të pavarura.
Sipas Avokatit të Popullit, moskthimi i përgjigjeve ndaj kërkesave për shpjegime nga ana e institucioneve shtetërore pengon hetimin administrativ të një çështjeje të caktuar mbi të cilin mbështet vendimmarrja e tij. Edhe më shqetësues konsiderohet fakti që, edhe kur institucionet kthejnë përgjigje brenda afateve ligjore, përgjigjet janë formale dhe nuk përmbajnë informacionin dhe dokumentacionin e kërkuar, duke pamundësuar hetimin e mëtejshëm të çështjes /situatës dhe zgjidhjen e saj. Ky problem është prezent edhe pas ngritjes së MPM, sipas studimit.

Mjeti ligjor kryesor i Avokatit të Popullit, në çdo rast, është rekomandimi, duke e klasifikuar atë si një institucion jo-penalizues, por me natyrë opinionbërëse. Niveli i zbatimit të rekomandimeve të Avokatit të Popullit nga institucionet përgjegjëse konsiderohet si një nga treguesit e nivelit të demokracisë në vend. Në Progres Raportin e BE për Shqipërinë të vitit 2019, duke u ndalur tek rëndësia e zbatimit të rekomandimeve të AP nga institucionet publike, theksohet që “zbatimi efektiv i rekomandimeve të
Avokatit të Popullit nga administratat publike duhet të forcohen dhe të bëhen më sistematike”.

Në studim vihet re se pas ngritjes së MPM niveli i rekomandimeve pa përgjigje ka ardhur në ulje, nga 21.9% që ishte në vitin 2016, në 12.8% në vitin 2017 dhe vetëm në 2.9% në vitin 2018, tregues ky i rritjes së presionit të Kuvendit ndaj institucioneve publike, të cilat nuk sillen më me aq indiferencë ndaj vendimmarrjes së AP. Megjithatë shqetësues është niveli i rekomandimeve të refuzuar nga ana e institucioneve publike, i cili nga 7.8% në vitin 2016, dyfishohet (15.4%) në vitin 2017, dhe në vitin 2018 janë 9.9% rekomandime të refuzuara. Megjithatë, disa institucione e kanë përmirësuar ndjeshëm sjelljen
ndaj rekomandimeve të AP pas ngritjes së Mekanizmit. Bazuar në të dhënat e studimit, gjatë vitit 2018 numri më i madh i rekomandimeve nga AP është dhënë për Ministrinë e Brendshme (62 rekomandime), që përbën 36% e totalit të rekomandimeve të lëshuara prej tij për institucionet publike, nga të cilat janë refuzuar vetëm 3 rekomandime, ose 0.05%.

Ajo që bie në sy është se, ulja e nivelin të rekomandimeve të pranuara është shoqëruar me rritjen e nivelit të rekomandimeve të pranuara të zbatuara. Këto të fundit rezultojnë në nivelin e 47%, 84.6% dhe 91.4% përkatësisht përgjatë viteve 2016, 2017, 2018.
Ndryshim i qasjes së institucioneve publike ndaj rekomandimeve të institucionit të AP, u vu në dukje edhe nga kreu i këtij institucioni, Erinda Ballanca, në Prill 2019, gjatë raportimit ne Komisionin e Ligjeve në Kuvend, ku deklaroi se: ‘ka një ulje të numrit të rekomandimeve të pranuara në tërësi nga institucionet e administratës publike, por kemi edhe një rritje në përqindje të rekomandimeve të zbatuara, sepse më parë kishte rekomandime që ishin pranuar, por nuk zbatoheshin”.
Por, ashtu siç është shpehur në Kuvend Avokati i Popullit ‘vetëm rekomandimet e zbatuara janë ato që sjellin ndryshim në jetën e qytetarëve’.

Ky shkrim është prodhuar në kuadër të projektit “Evropa respekton të drejtat e njeriut”, zbatuar nga organizata “Together for Life” dhe “Act For Society”, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e TFL dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian. 

Postime të ngjashme

Ja pijet dhe ushqimet më të mira që mund t’i konsumoni çdo ditë në verë
A e dini se mpiksja e gjakut ndodh me shpesh te njerëzit e gjatë?
Intervista/ Vizitat tek mjeku, ushqyerja dhe presioni ‘online’ për vitamina, pediatrja Sheme orienton si duhet të sillemi në raport me fëmijët
Mjekja psikiatre tregon se si e nisin konsumin e drogës të rinjtë, ndryshimet fizike dhe psikologjike tek përdoruesit
Raport/Autonomia spitalore, sfidat dhe prioritetet në kontekstin shqiptar
Vuani nga infeksionet e sinusit? Ja disa metoda natyrale që do t’ju vijnë në ndihmë
Shoqëroi të ëmën 17 ditë te Onkologjiku, dëshmia e trishtë e vajzës: Aparaturat mungojnë
A e dinit që pesha ideale llogaritet nëpërmjet gjatësisë? Ja si mund ta llogarisni peshën ideale (Femrat)