Flamur Topi: Degjenerimi vjen kur mjeku të sheh nga duart

Trajtimi është i kushtëzuar nga vetë sistemi, nga vetë shteti, pushteti, shoqëria. Është shumë komplekse. Për të dalë nga gjendja, duhen investime të mëdha materiale dhe shpirtërore

Denisa Canameti

Edhe pse 53 vite në televizion, Flamur Topi, mund të thuhet pa e tepruar, që është ndër figurat më modeste të ekranit. I shëndetshëm, energjik dhe i palodhur. Mosha nuk e pengon të vrapojë për të kaluar rrugën në sekondat e fundit të semaforit. Fama, si rrallë ndonjë, e ka bërë më fisnik dhe të përulur përballë atyre

Në emisionin radiofonik për shëndetin

Në emisionin radiofonik për shëndetin

që i kanë qëndruar besnike në gjithë këto vite karrierë.

Në një intervistë për “Shëndet+”, Topi tregon burimin e kësaj energjie, lidhjen e tij dhe të familjes me mjekësinë, flet për sistemin tonë shëndetësor, për emisionin “Trupi dhe shëndeti”, për politikën, si dhe marrëdhëniet me vëllanë e vogël, Bamirin.

Doktor, më shumë se 50 vite që merreni me mjekësi… nëse do të duhej që këto vite t’i përmblidhnit në 5 fjali, si do t’i përshkruanit?

Mjekësinë e kam mbaruar në vitin ’66, por punën time në drejtim të edukimit e kam nisur shumë herët, që student. Një dashuri e hershme dhe pasion i veçantë për mjekësinë! E kam dashur që i vogël. Kur mbaruam klasën e shtatë, na dhanë një formular për ta plotësuar se ku dëshironim t’i vazhdonim studimet. Kishim të drejten të zgjidhnim një nga tri degë të ndryshme. Tri herë si degë të preferuar zgjodha vetëm mjekësinë. Kështu, më doli e drejta për studime në Politeknikumin Mjekësor të Tiranes. Ka qenë një shkollë e shkëlqyer, me pedagogë shumë të mirë, profesionistë dhe fisnikë. Një pjesë e tyre na dhanë mësim edhe në Fakultetin e Mjekësisë. Ndihmësmjekët e asaj kohe ishin gati mjekë. Ata shërbyen me profesionalizëm të lartë në të gjithë Shqipërinë. Kur nisëm shkollën e mesme, kemi qenë me pantallona të shkurtra! Klasa e 8-të e sotme mund të barazohet me klasën e parë të së mesmes mjekësore të asaj kohe. E mbarova fakultetin 22 vjeç e gjysmë!

Përmendët pak profesionalizmin e profesorëve të asaj kohe, mendoni se profesorët sot vazhdojnë të jenë po kaq profesionale?

Profesorët e vjetër mbeten mjaft profesionalë, por natyrisht edhe në ditët tona nuk mungojnë të jenë… Niveli i shkencës së sotme mjekësore ka ndryshuar shumë cilësisht! Mjekët e vjetër mund të përfytyrohen lehtësisht me stetoskopin në vesh, por sot as që mund të mendohen pa pasur pranë Ekon, Skanerin, Rezonancën, Laboratorin modern etj, etj.

Me mbesën Fladia

Me mbesën Fladia

Platoni ka thënë se “vëmendja ndaj shëndetit është pengesa më e madhe në jetë”. Për ju që keni mbi 50 vjet që merreni me trupin dhe shëndetin, çfarë nënkupton kjo shprehje?

Nuk mund të jetë pengesë shëndeti! Nëse e vlerëson si duhet shëndetin, nëse e ruan siç duhet, të jep mundësinë t’u gëzohesh shumë gjërave në jetë. Nëse e drejtoj këtë program prej 53 vitesh, ky fakt nuk është i rastit! Si mjek  jam kujdesur gjithnjë për shëndetin tim. E veçanta e këtij emisioni e di cila është? Nuk është ndërprerë kurrë, qoftë edhe një muaj! Fat i madh që kam pasur shëndet të mirë! Populli thotë “të mos ha veten më sysh” (qesh). Por mos harroni për asnjë çast! Nuk është rastësi. Nuk kam vese, nuk pi duhan, nuk pi alkool, eci në këmbë, nuk e teproj me ushqimin edhe pse me pëlqen si shumë të tjerë… ama deri ketu! Asgjë tjetër nuk e kemi në dorën tonë.

Pse zgjodhët mjekësinë e jo një tjetër profesion?

Ishte një dashuri e hershme, një pasion. Mendoj se burimi i kësaj zgjedhjeje ka qenë mjeku i familjes, i paharruari dr. Hamdi Sulçebe. Ishte një nga folësit e parë në Radio Tirana! Me emisionin e tij mjekësor më ka frymëzuar vazhdimisht. Mund të konsiderohet babai i edukimit shëndetësor në radio. Ka nisur herët që në kohën e Zogut, por edhe në kohën e pushtimit  e vazhdoi emisionin e tij.

Nëse kërkon emrin tuaj në internet, prezantimi nis në këtë mënyrë: Flamur Topi, mjek, shkrimtar, gazetar… A janë të rendituar profesionet tuaja sipas kënaqësisë që ju kanë falur në jetë?

Janë të lidhura ngushtë. Të gjitha me mjekësinë. Kur isha student, mahnitesha nga proceset biologjike, mjekësore, fiziologjike etj etj. Një strukturë e përsosur, funksione mahnitëse, sistemesh, aparatesh, organesh! Kështu, krejt natyrshëm, lindi edhe tregimi i parë fantastiko-shkencor për t’u pasuar më pas nga shumë të tjerë…

Keni dy djem dhe të dy kanë zgjedhur mjekësinë, zonja juaj gjithashtu është mjeke, dmth familje mjekësh. Pse kjo zgjedhje?

Unë dhe ime shoqe u njohëm në spital, në kushte pune. Edhe djemtë u rritën me këtë frymë, me dashurinë për mjekësinë! Them se kanë bërë mirë. Rubini, djali i madh, mbaron shumë shpejt specializimin për okulistikë, djali tjetër pret specializimin e sivjetëm, punë 2-3 muajsh…

Mendoni t’ia trashëgoni ndonjërit prej tyre emisionin tuaj?

Kam patentën mbi këtë emision, të drejtën e autorit dhe në mënyrën më të natyrshme do t’ua pasoj atyre. Do të kisha shumë dëshirë që ky emision të vazhdonte brenda TVSH, si deri tani. Kam pasur oferta nga shumë televizione të tjera shumë prestigjioze private, por i kam refuzuar. Them se duhet të jetojë aty ku lindi 53 vjet më parë…

Në studion e TVSH-së me nobelistin Ferid Murat

Në studion e TVSH-së me nobelistin Ferid Murat

Në një bisedë me mjekun…

Doktor Flamuri, çfarë është shëndeti për ju?

Shëndeti është tërësia e përkujdesjeve personale. Kjo përkujdesje është e kushtëzuar edhe nga një shoqëri e caktuar. Mund të jesh vetë mjaft i kujdesshëm, por nëse ambienti, shoqëria, gjithçka që të rrethon, është indiferente ose ca më keq, në një raport armiqësor me ty dhe shëndetin tënd,  atëherë gjërat vështirësohen mjaft seriozisht!

Cilat janë simptomat e një sistemi shëndetësor të sëmurë?

(Qesh) Nëse mjeku e “sheh” pacientin nga duart, aty nis edhe degjenerimi i sistemit… Edhe si mjek nuk mund të jesh i mirë. Bën shumë vizita sa për të kaluar radhën, me synimin gjithnjë tek paraja.

Cilat janë format e trajtimit të kësaj “sëmundje”?

Trajtimi është i kushtëzuar nga vetë sistemi, nga vetë shteti, pushteti, shoqëria. Është shumë komplekse. Për të dalë nga gjendja, duhen investime të mëdha materiale dhe shpirtërore. Kur them shpirtërore, kujtoj se për shumë kohë mungoi besimi në Zot. Bëj krahasim me mjekët që vijnë nga jashtë. I kam parë tek luten, para se të nisin një operacion, natyrisht thjesht me një lëvizje pak sekondëshe, por kurrë nuk kryejnë një operacion të panevojshëm, thjesht për t’i marrë një shumë të mirë parash pacientit Ndërkohë që tek ne…

Nga se vuan sistemi ynë shëndetësor: nga një tumor i rëndë që ka nevojë urgjente për ndërhyrje kirurgjikale apo është në një gjendje gripi që mund të kalojë dhe me pak mjekim?

Nuk bëhet fjalë për një patologji të karakterit akut, të mprehtë, sikurse e tipizojmë, që rëndom vjen, shfaqet shpejt e po kaq shpejt edhe ikën, shkon! Çfarë është humbur tashmë në shumë vite, do të paktën një kohe minimale të ripërtërihet, të marrë veten…

Për të prekur një tjetër çështje: shëndeti mendor i të rinjve është kthyer tashmë në një problem global. Pse të rinjtë po bien çdo ditë e më tepër pre e stresit, depresionit apo gjendjeve të tjera problematike?

Së pari, është papunësia! Të rinjtë që nuk janë në punë, kërkojnë thjesht ta “vrasin”kohën me diçka…

Nëse i referohemi Shqipërisë… Është Shqipëria një vend i vogël dhe i pazhvilluar për t’u ofruar të rinjve kushte apo duhen politika më të forta që i përfshin edhe ata në vendimmarrje?

Nuk është vetëm problem i të rinjve tanë. Thamë që është problem botëror. Nuk mund të fajësoj të rinjtë për këtë gjendje. Ata duan të punojnë. Problemi me të rinjtë nis atëherë kur ata bëhen përzgjedhës, kur një pjesë e tyre i “bën naze” punës së zakonshme që ata e konsiderojnë të rëndomtë e fyese për ta…

Familja Topi mbrëmjen e Vitit të Ri 2012

Familja Topi mbrëmjen e Vitit të Ri 2012

A është emisioni shëndetësor një mënyrë e mirë për të kultivuar kulturë shëndetësore?

Po! Është shumë i përshtatshëm, gati i pazëvendësueshëm! Me televizionin mud të depërtosh lehtësisht në çdo familje, sado larg e sado thellë qoftë…

“Trupi dhe shëndeti” është emisioni më i suksesshëm në formatin e vet. A ka ndonjë çelës suksesi?

Gjithnjë, edhe pse mjek, kam luajtur rolin e të paditurit aty, jam bërë palë me publikun edhe pse e njihja mjaft mirë patologjinë për të cilën flitej. E mbi të gjitha, thuajse në çdo program, ftohen të marrin pjesë përfaqësuesit më të shquar të shkencës mjekësore shqiptare, por herë pas here edhe kolegë të huaj të zotë.

A ka ndodhur që një mjek të flasë për një sëmundje, por ajo çfarë ai thoshte binte në kundërshtim me atë që ju dinit? Si keni reaguar në këto raste.

Thjesht, shumë thjesht, gati pa u vënë re, jam përpjekur me shumë takt të korrigjoj dicka, gjithnjë me plot respekt dhe pa fyer…

Si kanë ndryshuar mjekët dhe mjekësia ndër vite?

Në drejtim të korrupsionit, në vitet e parademokracisë, të shumtën mjeku mund të merrte ndonjë dhuratë në natyrë nga fshatarët. Ndonjë produkt që ata e prodhonin vetë, si: mish, vezë etj. Ishte një mënyre për të shprehur mirënjohjen, dashamirësinë. Nëse sheh që mjeku ta bën shërbimin si duhet, është përkushtuar me mish e me shpirt, të lind vetë dëshira ta stimulosh.

Kur unë kam bërë synet dy djemtë e mi, në shenjë falënderimi i kam dhënë diçka mjekut edhe pse ishim kolegë. Nuk duhet ngatërruar mirënjohja me korrupsionin. I papranueshëm është detyrimi për të paguar! Mashtrimi!  Operon pacientin, bie fjala, pa qenë e nevojshme, ose jep mjekime të shtrenjta, ndërkohë që mund të ofronte alternativa të tjera më të lira dhe po aq të efektshme.

Ku ngec sistemi ynë shëndetësor: te mjekët, pacientët apo politikat?

Te mjekët nuk ka pse të ngecë. Ata bëjnë punën e tyre, dhe jo në kushtet më të mira të mundshme, me një pagë jo fort të mirë për ta. Ndoshta në të ardhmen, me përmirësimin e kushteve, me ngritjen e standardeve të jetesës së popullit, me rritjen e rrogës së mjekut, gjërat do të përmirësohen. Megjithatë, do kohë, do durim, do shumë përpjekje, shume vetëmohim…

Keni përvojën e duhur në fushën e mjekësisë. Ju është propozuar ndonjëherë të futeni në politikë? Si ministër Shëndetësie, për shembull?

(Qesh) Është e paimagjinueshme. Ma kanë propozuar dhe nuk kam pranuar kurrë, as nuk do të pranoj. Do ta mbyll jetën kështu…

Nëse do të ishit ministër Shëndetësie, çfarë do të ndryshonit në 300 ditët e para qeverisje?

(Qesh). Nuk kam menduar kurrë se do të isha. Ngul këmbë se shumë pak mund të bësh në kohë të kufizuar, sepse është një sëmundje e vjetër, pra kronike. Ju e dini që sëmundjet kronike nuk shërohen shpejt. Po të ishte sëmundje akute, edhe mund ta mendoja…

Çfarë duhet të ketë një prezantues televiziv që të paraqesë një emision me problematika shëndetësore, dhe e anasjellta çfarë duhet të ketë një mjek që të prezantojë një emision televiziv?

Është shumë mirë të jesh profesionist, të jesh mjek, të njohësh thellësisht gati çdo specialitet të mjekësisë që të drejtosh me kompetencë një emision shëndetësor. Duhen edhe disa kushte të lindura, të pavarura nga individi vetë. Duhet të kesh një pamje të pranueshme, nuk është kusht te jesh domosdo tërheqës në të parë. Të kesh një zë të mirë. Për shembull, të jesh burrë dhe të kesh zërin e një gruaje, nuk shkon. Duhet të jesh edhe i sjellshëm. Nuk mund të drejtojë një njeri i ngrysur. Të tillë përgjjithësisht shikuesi nuk i honeps… Kështu edhe kur një person të shikon përballë, asnjëherë nuk duhet të shikojë tek ti një tjetër person krejt të ndryshëm. Të jesh gjithnjë ai që je në jetë. Pa ndryshim, pa hipokrizi, jo i shtirur. Ti shikon ndonjë ndryshim tek unë? (qesh).

Përmendët pak meshkujt me zë femre. Çfarë mendimi keni për ta?

Ka shumë meshkuj që kanë zë femre, por kjo nuk do të thotë që janë gej (qesh).

Unë iu referova atyre…

Kam atë mendim që ka e gjithë bota. I respektoj deri në një pikë, deri tek martesa… Nuk po i ngacmojmë, nuk po i cenojmë si më parë, nuk po i dënojmë, nuk po u ndërhyjmë, por të mos i degjenerojnë gjërat deri në martesë! Martesa e tyre është e papranueshme!

Domethënë, nuk jeni dakord me ligjin që aprovon martesat midis personave homoseksualë?

Absolutisht jo! Deri aty jo! I pranoj plotësisht deri tek martesa. Është kundër Zotit vetë, kundër natyrës. A mund të riprodhohen dy meshkuj?

A është homoseksualizmi sëmundje?

Në shumë raste është sëmundje.

***

Një marrëdhënie e pastër mes vëllezërish

Në vitet ‘96-‘97 vëllai juaj ka qenë Ministër i Bujqësisë dhe Ushqimit, ka marrë ndonjëherë këshilla nga ju?

Sigurisht, si vëllai i madh, here pas here, ka marrë ndonjë këshille prej meje…

Ishte titulli “Mjeshtër i madh” me të cilin u nderuat, pikërisht nga vëllai juaj në kohën që ai ishte President, formë shpërblimi për këto këshilla të dhëna më parë?

(Qesh) Ishte, nuk ishte Bamiri, unë do ta merrja atë titull. Besoj, e kam merituar, apo jo? E organizoj dhe e drejtoj këtë program që nga koha kur isha akoma student në Fakultetin e Mjekësisë.

Emocionet e atij titulli që morët nga vëllai juaj më i vogël….

Të ma kish dhënë një tjetër President i vendit, edhe më mirë, sepse nuk do të linte vend për ndonjë dyshim sado të vogël, por prapë mirë, bukur! Edhe pse, për hir të së vërtetës, ai e dha në bazë të një propozimi mjaft serioz e transparent të Drejtorisë së Përgjithshme të RTSH-së…

Si e keni vlerësuar karrierën politike të vëllait tuaj gjatë këtyre viteve?

Ka qenë gjithnjë i ekulibruar, jo ekstremist…

A ka pasur raste kur nuk keni qenë dakord lidhur me vendimet që ai merrte, në pozicionin ku ishte dhe në pozicionin ku është?

Sigurisht që po. Por të mos futemi në këtë teren… Dy vëllezër janë thuajse gjithnjë  individë krejt të pangjashem, me ide dhe mendime të ndryshme, edhe pse nga një nënë e baba…

Postime të ngjashme

“Është makth”- Gazetarja Mira Kazhani tregon betejën me kancerin e gjirit
11 personazhe të famshëm që kanë folur hapur për çrregullimet e tyre të tiroides
Aktori Stanley Tucci flet për efektet e rënda anësore të trajtimit me rrezatim për kancerin
Papa Françesku ka një infeksion polimikrobik të rrugëve të frymëmarrjes. Çfarë është dhe sa serioze është?
Mirela Kuka, nga Shqipëria në San Raffaele: Drejtoj një ekip kërkimor mbi sistemin imunitar, në Itali realizova ëndrrën time
Kate Middleton përfundon seancat e kimioterapisë dhe publikon një video-mesazh emocionues
Mjeku shqiptar 25 vjet kardiokirurg në Itali: E vështirë të lësh vendin, por rezultati i karrierës sime më dha të drejtë
“Do të zvarritem…”/Celine Dion flet sëmundjen e rrallë neurologjike në dokumentarin e ri dhe jo vetëm!