Pranvera Kola
Pavarësisht pretendimeve në dukje, sistemi shëndetësor në vendin tonë është në një gjendje alarmi, ku mungesa e barnave dhe infrastruktura e dobët janë vetëm maja e ajsbergut. Ndonëse përpiqen të hartojnë politika parandalimi, institucionet shëndetësore nuk kanë ende të dhëna të sakta në lidhje me nivelin e
sëmundshmërisë në popullatë, për të cilat shifrat e raportuara nga strukturat ndërkombëtare të shëndetit janë të ndryshme nga ato që raportojnë vetë dikasteret drejtuese të shëndetësisë në vendin tonë. Kjo gjë ndodh për shkak të mungesës së disa regjistrave kombëtarë, përmbajtja e të cilëve detajon situatën reale të sëmundjeve që prekin popullatën shqiptare.
Përballë shqetësimit për shtimin e sëmundjeve kronike, Raporti Kombëtar i Shëndetit, i hartuar nga Instituti i Shëndetit Publik vë në dukje edhe problematikën shifrave të ndryshme të raportuara për një tregues të caktuar shëndetësor nga Ministria e Shëndetësisë, INSTAT-i, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), si dhe UNICEF. Mungesa e këtyre regjistrave, si dhe ndërrimi i shpeshtë i drejtuesve në dikasteret shëndetësore kanë penguar zhvillimin e strategjikeve dhe programeve konkrete në lidhje me përmirësimin e treguesve të shëndetit që shfaqen në rritje, veçanërisht në drejtim të sëmundjeve të rënda.
Raporti i ISHP-së flet për një domosdoshmëri urgjente në krijimin e regjistrave kombëtarë të sëmundjeve. Vetëm në këtë formë politikat dhe ndërhyrjet e parashikuara mund të jenë të sakta dhe jo të fragmentarizuara, sikundër ka ndodhur deri më sot në sistemin tonë shëndetësor. Barra më e madhe e këtyre ndryshimeve bie mbi pacientin, i cili duhet ose ta paguajë me shëndetin e tij, ose me derdhjen e një fature të kripur, që shihet si e vetmja mundësi për të mposhtur ndërlikimet e sëmundjes.
“Është e rëndësishme të theksohet se ka mospërputhje serioze ndërmjet burimeve të ndryshme të të dhënave, duke përfshirë Institutin e Statistikave (INSTAT), të dhënat operative të Ministrisë së Shëndetësisë, Agjencive të Kombeve të Bashkuara, si dhe vlerësimet e studimit “Barra Globale e Sëmundjeve”. Mospërputhjet midis të dhënave zyrtare kombëtare dhe vlerësimeve të bëra nga agjencitë ndërkombëtare dëshmojnë për nevojën kritike për një cilësi më të mirë të regjistrimit të të dhënave shëndetësore në Shqipëri, veçanërisht për treguesit e vdekshmërisë dhe shkaqet e vdekjeve, me qëllim që të formulohen dhe të hartohen në mënyrë të menjëhershme politikat ndërhyrëse”, citohet në raportin e ISHP-së, mbi ecurinë e gjendjes shëndetësore të shqiptarëve përgjatë dy dekadave të fundit.
Mospërputhja ndërmjet shifrave të raportuara
Për të treguar këto raportime të ndryshme mjafton që t’i referohemi një treguesi, konkretisht vdekshmërisë foshnjore, i cila sipas statistikave të strukturave ndërkombëtare të shëndetit rezulton të jetë disa herë më i lartë se sa ato të raportuara nga Ministria e Shëndetësisë apo studimi demografik i INSTAT.
Shëndeti i nënës dhe i fëmijëve
Sipas specifikimeve të bëra në raportin e ISHP-së, në vitin 2013, vdekshmëria foshnjore në Shqipëri ishte 13 vdekje për 1,000 lindje të gjalla (burimi UNICEF 2014), e cila përbën një nga nivelet më të larta në rajon dhe është shumë më e lartë në krahasim me raportimet zyrtare kombëtare, sipas të cilave ky tregues është 7.8 vdekje për 1,000 lindje të gjalla ( burimi INSTAT, 2014). Po sipas raportit, vdekshmëria e fëmijëve nën pesë vjeç në Shqipëri është ulur gradualisht gjatë dekadës së fundit (8.4 vdekje për 1,000 lindje të gjalla në vitin 2013, (burimi Ministria e Shëndetësisë, 2014).
Megjithatë, ashtu sikurse ndodh me vdekshmërinë foshnjore, ekziston një nënraportim i ndjeshëm nga të dhënat zyrtare të institucioneve shqiptare, si pasojë e nënregjistrimit të numrit të vdekjeve. Kjo diferencë në raportimin e rasteve vërehet edhe për sëmundjet e tjera, të cilat kanë një barrë të madhe të përgjegjësisë në nivelin e vdekshmërisë së shkaktuar. Strukturat shëndetësore, gjithmonë nxitojnë të flasin me shifra duke bërë përgjithësime, shifra këto që ndryshojnë shpesh, veçanërisht në drejtim të sëmundjeve kardiovaskulare dhe atyre tumorale, të cilat fatkeqësisht kanë një përhapje masive, teksa në pjesën dërrmuese të rasteve mbeten të paraportuara dhe trajtuara në kohë, duke u bërë kështu shkak për shtimin e nivelit të vdekshmërisë.
Rëndësia e shifrave të sakta
Kundrejt kësaj situate, ndikuar edhe nga rekomandimet e dhëna nga strukturat ndërkombëtare të shëndetit, në raport theksohet se rëndësia e sistemeve të informacionit shëndetësor për formulimin e politikave të bazuara në fakte (evidencë), është një domosdoshmëri, kryesisht në fushën e sëmundjeve kronike, ku nevojiten veprime dhe aksione urgjente për monitorimin e shëndetit publik (OBSH, 2014).
Nga kjo pikëpamje, raporti sugjeron që monitorimi i sëmundjeve kronike duhet të bazohet në krijimin e regjistrave kombëtare të sëmundjeve, pavarësisht nga sfidat organizative dhe financiare që dalin para. “Me të vërtetë, rritja e shpejtë barrës së sëmundjeve kronike në Shqipëri duhet të nxisë të gjithë aktorët dhe institucionet për të ndërmarrë veprime konkrete dhe për të trajtuar këtë çështje shëndetësore shumë të rëndësishme”, vë në dukje raporti. Në këto kushte, regjistrat kombëtarë të sëmundjeve kronike mund të sigurojnë mbledhjen afatgjatë të të dhënave që lejojnë krahasimin dhe ndarjen e informacionit për praktikat më të mira, nga ofruesit e kujdesit shëndetësor dhe individëve që vuajnë nga këto sëmundje. Sipas raportit, regjistrat mund të përqendrojnë informacionin dhe të standardizojnë protokollet kombëtare të trajtimit.
“Të dhënat elektronike mjekësore dhe kujdesi shëndetësor i strukturuar janë të lidhura edhe me rritjen e përfitimeve dhe përmirësimin e gjendjes shëndetësore të popullatës. Raportimi dhe monitorimi i rregullt nëpërmjet regjistrave të sëmundjeve mund të çojë në një përmirësim të ndjeshëm në shumicën e faktorëve të rrezikut dhe treguesve shëndetësorë”, vënë në dukje specialistët e ISHP-së.


