Përshtati për gazetën “Shëndet+”: Blertina Koka
Çdo vit, miliona njerëz i nënshtrohen një operacioni. Kirurgët trajnohen me vite me radhë që të jenë gati të kryejnë operacione.
Por, a mendoni se dora e një kirurgu robot do të kryente punën më mirë? Që me krijimin e robotit të parë kirurg në Spitalin St. Mary në Londër, në vitin 2000, numri i tyre nëpër spitale është rritur shumë. Më i zakonshmi është roboti da Vinci, një robot me tre ose katër krahë që kontrollohet nga një njeri.
Aktualisht ka 58 sisteme të tilla operimi në Shërbimin Kombëtar të Shëndetit (NHS), të cilët kryejnë operacione për sëmundje të ndryshme, duke filluar nga heqja e kancerit të fshikëzës dhe veshkave e deri tek ndërhyrjet e zakonshme në zemër. Ata përdoren më shumë në heqjen e kancerit të prostatës tek meshkujt. Në vitin 2012, mbi 1500 operacione janë kryer duke përdorur robotët – nga 29% të gjithë operacioneve të kryera. Në të ardhmen do të kryhen edhe më shumë operacione me anë të robotëve.
25 vite më parë, kirurgët duhet të prisnin të gjithë pjesën ku bëhej operacioni në mënyrë që të kishin mundësi të futnin duart brenda. Pastaj erdhi kirurgjia laparoskopike, një teknikë kirurgjikale mini-invazive që realizohet me anë të hapjeve të vogla në abdomen, përmes të cilave vendosen instrumentet e caktuara që mundësojnë pamje të organeve, si dhe realizimin e operacioneve të caktuara. Kështu pacienti ka më pak dhimbje, shërohet më shpejtë dhe plaga nuk merr infeksion.
Por, problemi me kirurgjinë laparoskopike është se kirurgu nuk ka shumë mundësi për lëvizje. Prandaj janë krijuar robotët, të cilët bëjnë prerje më të vogla dhe precize. Teorikisht, duket ide interesante kryerja e një operacioni nga roboti, por në praktikë ndodh krejt e kundërta. Kjo pasi mjekët nuk janë të trajnuar mirë të drejtojnë robotin, prandaj rreziku është më i madh.
Burimi: Daily Mail / https://shendeti.com.al/


