Pyetje e ardhur në info@shendeti.com.al
Përgjigjet për gazetën “Shëndet+” mjeku nefrolog Alketa Koroshi
Një veçori e sëmundjeve kronike të veshkave është anemia që ato shkaktojnë, sepse veshkat e sëmura nuk sekretojnë një hormon që normalisht stimulon palcën e kockave për prodhimin e maturimin e rruazave të kuqe të gjakut. Ky hormon quhet eritropoetin. Mungesa e këtij hormoni zhvillon aneminë dhe për pasojë në organizëm në mënyrë kompensatore ndodh hipervolemia, por kjo e sforcon muskulin e zemrës se i duhet të përballojë një volum të madh gjaku. Si pasojë shtohet frekuenca e ritmit të zemrës dhe debiti kardiak. Ndodh hipertrofia e muskulit të ventrikulit të majtë dhe rritet shansi për aritmi dhe vdekje të papritura. Sot është bërë e mundur që të përmirësohet anemia duke dhënë eritropoetinë humane të rekombinuar, gjë që e ka përmirësuar shumë cilësinë e jetës e ka shmangur shumë mundësinë e komplikacioneve në këta të sëmurë.


