Aksidenti i Tiranës dhe protesta e fëmijëve me leucemi

proteste_aksident

Nga Dritan Kaba 

Një anë e medaljes

Reagimi ndaj një aksidenti fatal që përfundoi me humbjen e jetës së një nëne në përpjekje për të shpëtuar jetën e dy fëmijëve të saj, sot ka mbuluar rrjetet sociale.
Dënimi publik ndaj aksidentuesit, më se i drejtë në të shumtën e rasteve, na jep përshtypjen e një revoltoje popullore, ndaj një të papërgjegjshmi që kreu aksidentin.
I riu jo vetëm që goditi pa mëshirë nënën e dy fëmijëve, në këtë rast me të vërtetë heroinë, por as nuk denjoi të ndalonte.
Iku, iu shmang përballjes me krimin që kreu.
Psikologët, prokurorët, ekspertët e policisë rrugore dhe gjykatësit do të vendosin mbi këtë krim të shëmtuar, në mes të Tiranës.
Pamjet filmike të aksidentit mbytën internetin, pothuaj të gjitha faqet e lajmeve e transmetuan edhe me komente. Shumë nga përdoruesit e internetit dhe FB i bënë share.
Revoltë e vërtetë qytetare. Gjykimi publik dha verdiktin e tij.
Me një shpejtësi të paparë iu bë edhe biografia. Lajmet në faqet online nxorën një dënim për korrupsion aktiv që gjykata e kishte kthyer në punë detyruese. Disa të tjera nxorën fotot e të riut që merrte kokainë.
Në një aspekt ishte pune profesionale e lakmueshme. Media, shoqëria, civile, të papunët, të punësuarit, patriotët, altruistët, muzikantët, këngëtarët, çdo kush reagoi. Shume mirë, për këtë ka nevoje shoqëria jonë. Por…

Ana tjetër e medaljes

Në të njëjtën ditë në pavionin e fëmijëve në QSUT pati një protestë të prindërve dhe fëmijëve të sëmurë me leucemi. Mungon një medikament Asparaginaze. Një paketë e këtij medikamenti kushton 750 euro. Fëmijët kanë mbi dy javë që nuk marrin mjekimin. Një mjekim qe iu kushton jetën.
Prindërit janë të zhytur në borxhe duke blerë vetë mjekimin. Tani nuk kanë më para t’ia sigurojnë. .
Serxho, Mirela, Ardiani dhe shume fëmijë të tjerë janë në limitet e jetës. Asnjë përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë.
Kush po i vret këta fëmijë? Ku janë përdoruesit pasionantë të faqeve sociale? Ku është revolta qytetare? Ku është shoqëria civile?
Një vend modest në disa faqe. Sa për të thënë.
Kush është krimineli me pushtet që po i dënon me vdekje këta fëmijë? Ai nuk ikën i trembur, rri stoik në kolltukun e tij.
Emri i atij të aksidentit e dinë te gjithë, po emrin e këtij “vrasësi” me kostum kur do ta shtjellojnë në të gjitha rasat.
Jo.
Shoqëria civile është e zënë, njëra me ditën e AIDS, tjetra me aktivitetin e kancerit të gjirit, disa me ditën kundër duhanit. Një e veçantë me ditën e prostatës, disa me atë të shurrës.
Ka organizime, ka edhe para.
Shoqëria civile është në kërkim të tyre. Tek fëmijët me leucemi nuk mund të marrin as ujë çezme.
Sot prisja një reagim qytetar në mbrojtje të këtyre fëmijëve, që jeta ju ka përcaktuar një fat mizor.
Jetët e tyre i bëjnë edhe me tragjike, ata që nuk ju sigurojnë dot ilaçet e mbijetesës. I bëjnë të vuajnë. Vetëm mjekët pa ilaçe janë krah tyre. Në shtetin e mjekësisë falas.
Ata janë pa përkrahje, përballë makinerisë së shtetit. Ata nuk kane fonde të shpërndajnë për ditë aktivitetesh boshe, që vetëm mbushin xhepat e atyre qe i zhvillojnë.
Njësoj si Dhurata, që për mua meriton titullin qytetar nderi, për aktin e saj heroik dhe prindërit e gjyshërit e këtyre fëmijëve meritojnë po të njëjtën përfillje nga shoqëria.
Ashtu si dënuan Memollarin, pak më shumë duhet te dënojnë “ata” të veshurit me pushtet. Njëri aksidentoi nga pakujdesia apo neglizhenca kriminale në makinë, tjetri me kostum që po vret fëmijë dhe prindërit e tyre, me logjikë të ftohte, d.m.th me dashje.
Para se të shkruani për revoltën e radhës, ju ftoj të shkoni njëherë nga pediatria tek reparti i fëmijëve të sëmurë me leucemi.
Fytyrat e atyre fëmijëve ulërasin për drejtësi.

(Shënim i redaksisë: Thirrja për fëmijët me kancer u organizua nga shoqata “Together for Life” në bashkëpunim me gazetën “Shëndet+”)

Postime të ngjashme

Shifra shqetësuese: Vdekjet nga kanceri i rektumit po trefishohen te të rinjtë
Rriten importet e ilaçeve, KLSH: 80% janë kopje e origjinalit, pa cilësi dhe më shtrenjtë
Ndahet nga jeta akademiku Rexhep Qosja
Pas një viti sfidash, vaksinat mRNA japin shpresë të re në luftën kundër kancerit
Raporti i HIV 2025: Shqipëria përballë një vale të re infeksionesh, rekord që nga 2016-a
AKU bllokon çokokremin "Nudossi" me përmbajtje salmonele
Gjendet helm minjsh në ushqimin për bebe, tërhiqen nga tregu kavanozët me pure
Turqia, destinacion global për shërbime mjekësore: Anadolu Medical Center, lider në këtë rrugëtim