Aleksandër Lalo: Titulli “Mjeshtër i Madh”? Titujt janë dhënë si ndërtimet pa leje

Bisedoi: Elena Beta

“Dimri i fundit”, “Shi në plazh”,  “Dy herë mat”, “Treni niset më shtatë pa pesë”, janë vetëm disa nga titujt e filmave që mund të identifikohen lehtësisht me muzikën që i shoqëron ato. Një jetë në botën e muzikës, vlerësime nga një publik i gjerë e breza me radhë janë ato që i japin kuptim punës shumëvjeçare të profesorit Aleksandër Lalo. Ashtu si pohon dhe ai vetë, fakti që kompozimet e bëra vite më parë këndohen edhe sot, do të thotë se suksesi i kompozitorit është i arritur tashmë. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Shëndet+”, Profesor Lalo rrëfen më shumë për botën e brendshme të një kompozitori, sa e vështirë është sot të mbijetosh në tregun e gjerë të muzikës, si dhe disa këshilla për artistët e rinj.

Profesor, ju keni kompozuar për filma të njohur të kinematografisë shqiptare. Si mendoni, cila ishte veçantia e atyre kompozimeve që vazhdojnë të jenë ende po aq të dashura për publikun, edhe pse kanë kaluar vite tashmë?

Ato që i rezistojnë gjithmonë kohës, janë muzikat e filmave dhe festivalet e Radio Televizionit.  Evenimentet më të rëndësishme në atë kohë kanë qenë Festivali i Pranverës dhe Festivali i Interpretëve në vend, si dhe muzika e filmave shqiptarë. Një nga arsyet kryesore që kjo muzikë mund të konsiderohet e pavdekshme, mendoj se është censura artistike në atë kohë, në kuptimin që ne nuk kishim të bënim me komisione, ne kishim punë vetëm me një regjisor, i cili e përcaktonte muzikën që i duhej filmit. Kompozitorët e filmave kanë pasur punë më të lehtë sesa kompozitorët e festivaleve të cilët kishin dhe fjalët që shikoheshin me shumë kujdes. Ndërsa tingulli nuk zbërthehet, nuk ka fjalë. Dhe ky është fat i mirë, pasi vetë muzika nuk mund të preket si piktura apo letërsia, që e lexon dhe i ndryshon një fjalë. Në atë kohë nuk ka pasur redaktor muzike dhe kompozitorët mund të përgatisnin çfarë të dëshironin. Një faktor tjetër i rëndësishëm është fakti që ti hyn, përfshihesh në film dhe e shijon shumë muzikën me të cilën identifikon dhe filmin.

“Treni niset më shtatë pa pesë”, “Dimri i fundit”, “Shi në plazh” , “Vajzat me kordele të kuqe”, “Tomka dhe shokët e tij”, janë vetëm disa nga perlat e krijimtarisë suaj. Mund të na thoni si nisi gjithçka? Cili ishte suksesi i parë?

Unë suksesin e parë në kompozim e kam arritur në vitin 1971, në një film komedi, më vonë me “Mimoza Llastica” dhe në vitin 1975 – 76 kompozova filmin e parë serioz, si për të hequr pak atë namin që Lalo kompozon vetëm filma komedi (qesh) . Ishte “Dimri i fundit”, filmi pasues dhe mbas festivalit të 11-të u caktova të punoj në Kukës ku dhe kalova shumë vite duke punuar, duke marrë motivet dhe duke i përkthyer në kompozime. Më pas kompozova filmin “Vajzat me kordele të kuqe”, “Emblema e fundit” dhe me radhë.

Si i kujtoni vitet e jetesës suaj në Kukës?

Në atë kohë do punoje atje ku të caktonin. Kujtoj që mamaja i thonte gjithmonë babait: Ti e njeh kryetarin e Komitetit, bëj një përpjekje që djali të punojë në Tiranë. Jo, i thonte ai, sepse kompozitorët e mëdhenj nuk janë krijuar nëpër qytete, por kanë lëvizur gjithandej për të mbledhur motive. Mund të them se deri në vitet ’80 mblodha shumë motive të cilat ndikuan jo pak në karrierën time si kompozitor.

Jeni i njohur për vështrimin e tuaj kritik ndaj situatës së kulturës në vend, gjë të cilën e keni shprehur hapur edhe publikisht. Ku mendoni se çalon kjo situatë?

Kjo gjë shkaktohet nga ndryshimi i sistemit dhe padituria, mungesa e inteligjencës. Ajo që duhej bërë, ishte të plotësoheshin ato gjëra që ishin mangët në atë sistem, jo të prisheshin edhe ato që ishin të krijuara, sepse rregulla ka pasur edhe në atë kohë. U shkatërrua shumë struktura në fushën e muzikës, ashtu si në fushën e ekonomisë apo fusha të tjera me idenë që çdo që që është bërë atëherë, është bërë gabim edhe hajde t’i prishim. Një nga defektet e mëdha ishte dhe liria e plotë. Ikën filtrat, ikën redaktorët e muzikës, si në radiotelevizion edhe në stacionet private që u hapën. Po ta vesh re, edhe nuk është problemi çfarë lloj muzike bëhet, por tek fakti që muzikës së dobët, nuk i duhet bërë reklamë dhe këtu një pjesë e madhe e fajit bie mbi mediat duke u kthyer këtu në bashkëfajtor. Kritika nuk do të thotë vetëm të bësh vërejtje, por dhe të lavdërosh dhe kjo pjesë i duhet kujtdo. Sot mund të them se nuk ka kritikë dhe kjo e dëmton tej mase situatën e artit në Shqipëri.

Trajtimi i muzikës së huaj nëpër festivale, madje edhe më shumë se i muzikës shqiptare nuk është diçka e mirë, pasi kjo përkthehet në mangësi në fushën e krijimtarisë sonë. Kjo gjë nuk ndodh në asnjë vend të botës, të promovohet muzika e vendeve të tjera më shumë se sa muzika kombëtare. Kjo e dëmton artin dhe unë jam nga ata persona që e shpreh hapur këtë mendim.

Sa i besoni shprehjes se një kompozitor duhet të flasë nëpërmjet muzikës së tij?

Është e pamundur që njeriu të përshkruajë me fjalë ndjenjat e veta, ndërsa kur kompozon është i detyruar të dalë dhe jashtë ndjenjave të veta. Ti në natyrë mund të jesh lirik, por profesionisti ka teknikat e duhura për të dhënë emocion edhe në një tonalitet tjetër, romantik, lirik apo çfarë të jetë. Këtu qëndron dhe ndryshimi mes profesionistit dhe joprofesionistit. Ashtu si një aktor që hyn plotësisht në rol, edhe kompozitori profesionist prodhon muzikën e duhur pavarësisht asaj që ai ndjen.

Së fundmi jeni dekoruar dhe me titullin “Mjeshtër i madh”. Mendoni se keni marrë vlerësimin e duhur në raport me atë që i keni dhënë publikut?

Janë dhënë kaq tituj “Mjeshtër i madh”, sa i ka humbur vlera. Janë dhënë titujt tamam si ndërtimet pa leje. Unë jam vetë krijues dhe nuk dua të flas për këtë pjesë, por mendoj se duhet një filtër më i saktë për të dhënë këta tituj. Duhet të paktën të jenë të krahasueshme, jo me diferenca të jashtëzakonshme. Institucionet që japin këta tituj, duhet të jenë absolutisht më të vëmendshëm. Por kjo është Shqipëria, nuk jam unë i vetmi që më ndodh kjo dhe mbase jemi përshtatur me këtë situatë.

Së fundmi, keni qenë i ftuar në një aktivitet të organizuar nga Ministria e Kulturës për ligjin e pronësisë intelektuale, ku keni pasur edhe një reagim të prerë. Çfarë ndodhi realisht atë ditë, çfarë ju indinjoi aq shumë?

Kisha punë me të vërtetë dhe më duhej të largohesha! (Qesh)

Gjatë konkurrimit me kompozimet e tuaja në festivale, kryesisht keni arritur vende të dyta megjithëse meloditë tuaja kanë qenë të mrekullueshme, si e shpjegoni këtë?

Festivalet janë konkurse ku njeriu hyn për t’u vlerësuar. Pak a shumë kompozitorët me përvojë e dinin se cilat janë këngët që mund të vlerësohen. E para duhet të gjeje një këngëtar me emër, të kishe një tekst që korrespondonte me ngjarjet e fundit të ndodhura politikisht. Po i kishe këto, ishe fitues. Unë, në mënyrë krejt të natyrshme, pa pasur idenë e çmimit, kam eksperimentuar gjithmonë në festivale dhe mendoj se kjo më ka penalizuar. Ashtu si fotografia, kënga është një shkrepje, duhet të bëjë bam, ndërsa unë kam tentuar të sjell gjëra të reja dhe materiali i ri e ka gjithmonë riskun brenda, por fakti që shumë nga ato materiale këndohen edhe sot, dëshmojnë që unë e kam marrë çmimin tim të parë. Ndër to është dhe “Gabimi i Mirelës”, i interpretuar nga Irma Libohova.

Cila ka qenë muza juaj e frymëzimit?

Familja ime. Kam kompozuar kur kanë lindur djemtë e mi, kur kam pasur gëzime në familje kështu që frymëzimi im ka ardhur nga jeta ime dhe e familjes sime.

Sa fëmijë keni dhe a janë ata në rrugën e artit?

Kam dy djem dhe janë të dy stomatologë, nuk kanë lidhje me artin! Në fakt, nuk do të doja të përfshiheshin në këtë sferë, pasi tregu është bërë shumë i madh dhe mundësitë që ofrohen këtu janë të limituara.

Fakti i të qenët profesor Aleksandër Lalo, sa ka ndikuar në rastet kur ka ndodhur të vizitoni institucionet tona shëndetësore?

Para disa vitesh kur pata disa probleme me shëndetin, shkova për një vizitë në spitalin shtetëror dhe mbeta mjaft i kënaqur nag shërbimi. Nuk e di nëse është vërtet ai shërbim për të gjithë apo m’u ofrua për faktin e të qenit i njohur . Nëse do të ishte kështu, më vjen keq!

Të kalojmë në një atmosferë tjetër pyetjesh. Përveçse një kompozitor i suksesshëm keni dhe një talent të veçantë, gatimin. Cila është receta e preferuar?

Mund të them se gatuaj gjellët tradicionale, ato gatime që preferonin dhe prindërit tanë. Sa për gjëra të sofistikuara, nuk i preferoj. Çomlekun e bëj të mirë, më thonë! Pastaj pasha qofte, japrak i gatuaj gjithashtu shumë mirë.

Një mesazh për artistët e rinj?

Ta bëni këtë zanat me qejf dhe pasion! Punoni me idealizëm dhe bëni muzikë të mirë, sepse i mungon tregut. Bëni atë që dini ju, jo atë ju kërkojnë të tjerët!/ Shendeti.com.al

Postime të ngjashme

“Është makth”- Gazetarja Mira Kazhani tregon betejën me kancerin e gjirit
11 personazhe të famshëm që kanë folur hapur për çrregullimet e tyre të tiroides
Aktori Stanley Tucci flet për efektet e rënda anësore të trajtimit me rrezatim për kancerin
Papa Françesku ka një infeksion polimikrobik të rrugëve të frymëmarrjes. Çfarë është dhe sa serioze është?
Mirela Kuka, nga Shqipëria në San Raffaele: Drejtoj një ekip kërkimor mbi sistemin imunitar, në Itali realizova ëndrrën time
Kate Middleton përfundon seancat e kimioterapisë dhe publikon një video-mesazh emocionues
Mjeku shqiptar 25 vjet kardiokirurg në Itali: E vështirë të lësh vendin, por rezultati i karrierës sime më dha të drejtë
“Do të zvarritem…”/Celine Dion flet sëmundjen e rrallë neurologjike në dokumentarin e ri dhe jo vetëm!