Alkoolizmi, sëmundja e të rinjve shqiptarë

shpetim-doksaniAishe Thartori

Të rinjtë shqiptarë po priren gjithnjë e më shumë drejt substancave narkotike dhe alkoolit. Këtë fakt e ka pohuar për “Shëndet Plus” shefi i klinikës së alkoolistëve në QSUT, Shpëtim Doksani.  Sipas tij, alkoolizmi është një sëmundje që shkaktohet nga kombinimi i një sërë faktorëve socio-kulturorë dhe janë pikërisht të rinjtë që joshen më së shumti prej alkoolit.

Çfarë është alkoolizmi apo varësia ndaj alkoolit?

Alkoolizmi është një fjalë e përgjithshme që duhet ndarë dhe duhet bërë diferenca midis konsumimit, abuzimit dhe vartësisë me alkoolin.  Abuzimi me vartësinë kanë një kufi shumë të brishtë ku në shumicën e rasteve abuzuesi priret të kalojë në vartës ndaj alkoolit.

Me abuzim nënkuptohet konsumimi në sasi të mëdha dhe me frekuencë të përditshme i alkoolit. Dipendencë ose varësi është degjenerimi i abuzimit në sëmundje. Kur kemi kaluar në dipendencë ose në abuzim kronik, kemi të bëjmë me një simptomologji mikse të subjektit. Kjo do të thotë që kemi një problem të madh të shkaktuar nga alkooli dhe varësia ndaj tij. Kemi një simptomologji neurologjike, psikiatrike, interne (trakti tretës etj), si dhe çrregullime konjutive çrregullime passjellore (pra, deficitet e mëdha sjellore që çojnë më pas në defiçite familjare dhe sociale). Duke parë gjithë këtë gamë të madhe të kësaj simptomologjie, e cila godet në të gjitha llojet e sistemeve në jetë, sëmundja e alkoolit duhet trajtuar me kujdes të madh.

Alkooli drekeNë ç’mënyrë ekzaminohen të sëmurët (alkoolistët)?

Protokolli klinik i klinikës sonë është ekzaminimi dhe diagnostikimi i vartësisë alkoolike, i cili shpeshherë është i përzier edhe me lëndë narkotike, sidomos moshat e reja. Klinika jonë operon sipas një skeme dhe metodologjie që quhet metodologjia “Hudoling”, i cili është një psikiatër kroat i viteve 80’-90’ që pretendon në trajtimin në stadin klinik të dipendentëve alkoolikë, për të vazhduar më pas me rrjetin e mbështetjes afatgjatë dhe me mbështetjen familjare të çdo subjekti sidomos në komunitetet multifamiljare. Metodologjia konsiston në 4 trajtime të kombinuara:

  1. Diagnostikimi, për të parë nëse është ose jo i sëmurë ose i varur nga alkooli.
  2. Detoksifikimi farmakologjik dhe dominimi i krizave të abstinencës.
  3. Bëjmë një kuadër të plotë klinik, pra analizat klinike, bioklinike dhe të gjitha ekzaminimet imazherike sidomos të pjesës së kokës.
  4. Psikoterapia klinike, kjo psikoterapi ushtrohet në tre nivele në edukim shëndeti, terapi grupi, si dhe komunitetet multifamiljar ku thirren në trajtim dhe familjarët, sidomos partnerët.

Psikoterapia drejtohet nga operatori psikosocial, edhe operatorët e tjerë (infermieret) që janë të përgatitur, madje një pjesë e mirë e tyre ka marrë pjesë në specializime të ndryshme jashtë vendit.

 

Pasi pacienti ekzaminohet e diagnostifikohet, i nënshtrohet trajtimit. Pranimi në klinikën tonë sikundër ndodh edhe në klinikat e tjera të QSUT-së, është i sistemit të referimit, domethënë pacientët vijnë me rekomandim nga mjeku i familjes dhe i nënshtrohen pikërisht këtyre 4 teknikave të trajtimit. Trajtimi zgjat nga 2-3 javë dhe pacientët qëndrojnë të shtruar pranë klinikës së alkoolizmit në QSUT. Kjo është pikërisht koha që ata përfitojnë gjithçka, është koha e dektostifikimit farmakologjik, e psikoterapisë klinike, e ekzaminimeve imazherike dhe laboratorike etj. Kur kompletohet i gjithë kuadri klinik, atëherë pacienti është i gatshëm të hidhet në terren për të vazhduar dhe mbajtur gjatë abstinencën.

alkoolCilët janë aktorët që mund të ndihmojnë në ngritjen e rezidencave për alkoolistët?

Entet publike ose mund të jetë  Ministria e Shëndetësisë  apo Ministria e Mirëqenies Sociale, të cilat duhet të këmbëngulin në ngritjen e qendrave rehabilituese aftagjata, sepse klinika është vetëm starti, ndërkohë që një individi i duhet të paktën një vit që nëpërmjet nënshtrimit të  programeve shkencore dhe rehabilituese  të arrijë të “shërohet”.

Cilat kanë qenë rezultatet e përftuara deri më tani nga klinika juaj?

Rezultatet kanë qenë goxha të mira do të thosha. Që nga koha e hapjes së saj, në klinikë numërohen rreth 500 pacientë të trajtuar, të cilët kanë kaluar në abstinencë (proces) pra që janë në shërim e sipër. Me abstinencë kuptojmë moskonsumimin e alkoolit për një periudhë relativisht të gjatë. Por duhet të theksoj se duke munguar edhe pjesa tjetër e hallkave në zinxhir, siç është mungesa e një rrjeti të jashtëm, të këtij lloj suporti social,  pas daljes nga klinika ka bërë që një pjesë e mirë të bien sërish në alkool, duke ricikluar sërish dipendencë alkoolike, ndoshta edhe më të agravuar se më parë.

A është e vështirë për individët që ta pranojnë  varësinë dhe të kërkojnë ndihmë?

Sigurisht që e kanë të vështirë. Madje, shumica e pacientëve shtyhen prej familjarëve. Dihet që një i alkoolizuar gjeneron problematika në sjellje, sidomos në marrëdhënie me familjarët, kështu që familjarët  janë të detyruar t’i drejtohen klinikës. Por është edhe një pjesë e pacientëve, të cilët drejtohen pranë klinikës me vullnetin e tyre. Këtu përfshihet edhe ajo pjese e pacientëve që ndihen të rrezikuar dhe shqetësuar nga problemet e brendshme, si: vështirësi në frymëmarrje, zmadhim të mëlçisë, atak kardiak etj. Pra, kur drejtohen me iniciativë të lirë, nuk vijnë më idenë se kanë probleme me alkoolin, por shqetësohen për efektet e tij në shëndet.

Zakonisht vijnë të shtyrë nga familjarët, sidomos nga bashkëshortët. Dihet që një alkoolist ka gjeneruar një problematikë të madhe sjellore kështu që familjari është i detyruar t’i drejtohet klinikës, por ka edhe nga ata  që vijnë vetë më vullnetin e lirë, por kjo kategori pacientësh është e pakët në numër.  Një pjesë e femrave janë të dhunuara fizikisht dhe verbalisht, madje një pjesë e tyre janë të kërcënuara edhe me jetë.

alkool 1Cilat grupmosha janë të prirura ndaj alkoolit?

Rinia është më e rrezikuar, sepse duke iu referuar kontekstit real në Shqipëri, kjo grupmoshë përfshin dhe narkotikët. Kjo adoleshencë dhe kjo rini konsumojnë hashash, konsumojnë marijuanë dhe bashkë me to konsumojnë edhe alkoolin. Toksiciteti i të dyja substancave së bashku është tepër i lartë, imagjinoni  se çfarë problemesh japin në sistemin nervor, duke e çrregulluar në mënyrë të thellë të gjithë sistemin neurobiologjik.

A kemi statistika të sakta zyrtare për sa i takon numrit të alkoolistëve në Shqipëri?

Numri i abuzuesve me alkoolin në Shqipëri është shumë i lartë, megjithëse të dhëna të sakta nuk ka.

(Intervistën e plotë mund ta gjeni në numrin e datës 16 shkurt 2014 të gazetës “Shëndet+”)

Postime të ngjashme

AKU bllokon çokokremin "Nudossi" me përmbajtje salmonele
Gjendet helm minjsh në ushqimin për bebe, tërhiqen nga tregu kavanozët me pure
Turqia, destinacion global për shërbime mjekësore: Anadolu Medical Center, lider në këtë rrugëtim
Trajtimi psikosocial dhe shëndetësor i dhunuesve: hallka e munguar për thyerjen e ciklit të dhunës
Lajm i mirë për bluzat e bardha! Nga 1 qershori, rriten pagat për stafin mjekësor dhe teknik të urgjencës
Turizmi dentar po rrit tregun, inspektimet zbulojnë mangësi në klinikat dentare
AKU kontrollon në magazinën e mjekut popullor Ylli Merja: Bllokohen 4 ton bimë medicinale
Administrata Tatimore publikon listën e pagave indikative për sektorin mjekësor dhe estetik