Dewi van de Weerd: Duhet të flisni, inkurajojmë barazinë gjinore në Shqipëri
Nga Emanuel Smaka
Në një ambient miqësor në oborrin e ambasadës së Mbretërisë së Holandës u ndanë çmimet për 3 esetë më të mira mbi barazinë gjinore dhe respektimin e të drejtave të femrave. Të mërkurën pasdite jashtë binte shi, ndërsa juria tashmë kishte përzgjedhur 3 emrat fitues. Para ndarjes së çmimeve, ambasadorja Dewi van de Weerd po bënte prezantimin e takimit, ku të ftuara ishin një grup vajzash nga kolegji “Mehmet Akif” në Tiranë.
“Vendimi për jurinë sigurisht që nuk ka qenë i lehtë, por kanë përzgjedhur në bazë të rëndësisë së temave dhe mënyrës së trajtimit të tyre. Të gjithë konkurrentët kanë sjellë materiale shumë cilësore në këtë konkurs që ne kemi shpallur, por sot do të ndajmë çmimet për 3 esetë më të mira”, nënvizoi ambasadorja. Ndërkohë, Elida Nuri, përfaqësuese e Fondit të Popullsisë të Kombeve të Bashkuara (UNFPA) prezantoi emrat e vajzave fituese. “Ambasada me shumë dashamirësi ka organizuar këtë konkurs.
Vendimi është marrë nga një juri prej 5 personash. Janë paraqitur 66 ese, të cilat kanë aplikuar për këtë konkurs. Ideja ka qenë prezantimi i disa shkrimeve që përfshijnë kërkime në të dhëna dhe ese që trajtojnë tema të prekshme, që janë aktuale në Shqipëri. Esetë janë vlerësuar edhe në aspektin se çfarë dini ju për çështjen në rang global dhe çfarë në Shqipëri. Disa nga esetë e paraqitura janë skualifikuar, sepse kanë qenë kopjime. Brenda esesë që kemi zgjedhur t’i japim çmimin e parë ka patur elemente të shumta artistike, që do të thotë se janë vendosur pikërisht ndjenjat e asaj që e ka shkruar. Kemi parë që shumë nga ju kanë bërë kërkime në lidhje me barazinë gjinore, sepse kjo është një problematikë në Shqipëri. Dhe për të gjitha këto arsye, është vendosur që eseja e shkruar nga Silvana Belegu është vërtetë më e mira. Po ashtu kemi edhe 2 ese të tjera shumë të mira në vendin e dytë dhe të tretë, Fjorela Gjinika dhe Argjiro Isufati”, prezantoi Nuri, përfaqësuese e UNFPA. Dhuratat për fitueset dhe fotografitë mes të pranishmëve shoqëruan atmosferën për disa minuta.
Një hapësirë komunikimi iu rezervua fitueses së çmimit të parë të esesë. Për Silvana Belegun, femrat mund të arrijnë të jenë plotësisht të barabarta në Shqipëri përmes edukimit.Mendoj se çdo pjesëtar i shoqërisë sonë është i barabartë, tha ajo, dhe besoj se duhet të punojmë vazhdimisht për të drejtat e femrave. “Sapo kam parë çështjen për të cilën do të shkruanim mendova se mund të përgatis diçka, por të them të drejtën nuk e mendova se do të shpallesha fituese. Ajo që unë kam kuptuar nga ky konkurrim dhe që e kam përmendur në esenë time, është fakti se ne duhet gjithnjë e më tepër të angazhohemi për të drejtat tona dhe barazinë gjinore. Shkrimi i esesë time sigurisht që është motivuar nga jeta e përditshme, nga miqtë, familja dhe ambienti që më rrethon. Mendoj se barazia totale dhe të drejtat që femrat meritojnë mund të arrihen vetëm përmes edukimit. Shumë nga ne kanë ardhur për të studiuar në Tiranë edhe nga zona shumë larg kryeqytetit.
Kur mendoj sakrificat e shumta që bëhen, ku lëmë prindërit dhe shtëpitë tona vetëm për të studiuar, me të vërtetë them se Shqipëria ka ndryshuar për mirë”, tregoi Belegu para të pranishmëve. Ndërkohë ambasadorja e hapi diskutimin duke nxitur diskutimin mbi problematikën ekzistuese në vendin tonë, preferencat e familjeve shqiptare për të pasur djem dhe jo vajza.“Një problem që shohim në Shqipëri është mungesa e barazisë gjinore. Për këtë, po punojmë së bashku me shoqatën “Together For Life dhe UNFPA”. Vlerësojmë se preferenca e familjeve shqiptare në përgjithësi është për të lindur djem dhe jo vajza.
Në këtë aspekt, ne shpresojmë të bëjmë ndryshime. Dhe mënyra për t’a ndryshuar këtë është duke folur ne femrat, duke e ngritur zërin sa më shumë”, tha Dewi van de Weer, ambasadore e Mbretërisë së Holandës në Shqipëri. Përfaqësuesja e shoqatës “Together For Life”, Alma Kordoni inkurajoi vajzat e pranishme që të flasin për problematikat e tyre si dhe mbi mënyrat për të ngritur zërin kundër paragjykimit të femrave në shoqëri. “Është e rëndësishme që jo vetëm t’i shkruajmë çështjet dhe problemet, por edhe t’i adresojmë ato. Ne jemi këtu për t’iu inkurajuar të angazhoheni lidhur me barazisë gjinore. Mendoj së të rinjtë në këtë moshë duhet të kenë informacionin e duhur për çështjet gjinore dhe për edukimin seksual. Shoqata që unë përfaqësoj “Together for Life” ka një faqe interneti që quhet www.jotabu.al, ku mund të shkruani dhe të merrni informacionin e duhur mbi edukimin seksual dhe shëndetin riprodhues. Ajo faqe është e dedikuar për të rinjtë. Shoqata jonë punon gjithashtu është duke zbutar një projekt të fokusuar tek aborti selektiv, ku jemi në fazën e mbledhjes së të dhënave kombëtare për të njohur situatën, faktet dhe adresaur problematikat në lidhje me këtë. Ju inkurajojë të flisni për shqetësimet tuaja ashtu si i mendoni. Njerëzit duhet të dinë mendimin tuaj. Duhet të merrni informacione të sakta dhe të gjeni metodat e duhura për ngritur zërin. Tani ju keni shumë burime për të marrë informacionin e duhur, për të folur dhe për t’u përpjekur që t’i ndryshoni gjërat”, tha ajo.
Fondi i Popullsisë së Kombeve të Bashkuara është angazhuar gjithashtu në nisma të tilla. Manuela Bello nga UNFPA inkurajoi vajzat e pranishme që të punojnë për arritjen e objektivave të tyre.
“Unë desha të them që ju duhet të jeni vetvetja. Nëse do të bëni këtë, patjetër që do të gjeni edhe mënyrën për të arritur aty ku dëshironi. Fondi i Popullsisë së Kombeve të Bashkuara po punon vazhdimisht me të rinjtë për t’i mbështetur ata, për t’i inspiruar në dëshirat e tyre për të arritur objektiva dhe për të patur sa më shumë barazi mes dy gjinive”, përfundoi Bello. Konkursi i shpallur nga ambasada e Mbretërisë Holandeze në Shqipëri ka ftuar nxënësit e shkollave të mesme në kryeqytet që të marrin pjesë përmes eseve mbi çështjen e diskriminimit mbi baza gjinore. Ky është vetëm një nga aktivitetet e shumta të organizuara nga ambasada në këtë drejtim, për sensibilizimin dhe informimin e mëtejshëm të brezave./ Shendeti.com.al






