Kryefaqja Aktualitet Analizat tumorale, kosto e shumëfishtë për xhepat e pacientëve

Analizat tumorale, kosto e shumëfishtë për xhepat e pacientëve

0
Shpërndaje

Denisa Canameti

Në QSUT nuk realizohen analizat më të domosdoshme për të vendosur diagnozën e pacientëve, veçanërisht kur bëhet fjalë për sëmundje tumorale.

Problematike për sëmundjet tumorale mbetet mosmarrja në ngarkim diagnostik dhe trajtimi sipas standardeve më të mira për këto sëmundje.

Mungesa e kiteve diagnostike(materialeve për vendosjen e diagnozës), përbën një nga problemet që vështirëson punën e mjekëve si dhe rëndon xhepin e pacientëve. Kjo sepse për çdo mungesë ata duhet t’i drejtohen privatit.

“Sigurisht kemi probleme të mëdha, qoftë në elementet e diagnozës, por edhe me skemat e ndryshme të kimioterapisë të cilët kanë ende probleme. Ka sot përmirësime të ndjeshme në terapinë me preparate target të cilat ende nuk janë në sasinë e nevojshme ose të duhura” është shprehur shefi i shërbimit të onkologjisë Agim Sallaku.

Që të vendosësh një diagnozë hematologjike dhe për monitorimin e ecurisë së saj për disa sëmundje, dhe për të përcaktuar prognozën, duhen:

-klinika e pacientit,

-analiza citologjike (që bëhet në mikroskop optik) = analiza morfologjike, që kanë diskutime për shkak të subjektivitetit të mjekut, ku futen analiza e gjakut periferik + mielograma (aspirimi i palcës së kuqe të kockave);

-analizat citogjenetike/molekulare, ku kariotipi është më e thjeshta analizë gjenetike që e ka humbur rëndësinë përballë teknikave të reja, por që ne kemi probleme dhe në bërjen e kariotipit (duhet theksuar se analizat citogjenetike/molekulare në përgjithësi janë analiza të kushtueshme).

-Biopsia e palcës së kuqe të kockave është një analizë histopatologjike, më traumatike dhe me e kushtueshme se mielograma që ka rëndësinë e vet për një pjesë të patologjive hematologjike (vlerësohet prekja dhe përhapja e sëmundjes në palcën e kuqe të kockave) dhe po këtu bëhet dhe ekzaminimi Imunohistokimik ku me anë të ngjyruesve të ndryshëm dhe reaksioneve imune (antigjen/antikorp) bëhet zbulimi i markuesve të ndryshëm qelizor.

-Me anë të gjakut periferik dhe gjakut central të marrë me anë të procedurës së mielogramës bëhet dhe imunofenotipi qelizor, pra zbulimi i markuesve të ndryshëm që gjenden në siperfaqen e qelizës/qelizave dhe vleresohet prania ose jo e popullatave të caktuara qelizore. Aparati Citofluometer dhe aktualisht gjendet në Shërbimin e Imunologjisë te QSUT.

-Biopsia e Palcës së Kuqe të kockave si procedure dhe interpretim duke përfshirë dhe imunohistokimine realizohet i plotë aktualisht vetëm në spitali privat.

-Kariotipi si rregull duhet të realizohet në Shërbimin e Gjenetikës të QSUT, ndërsa laboratorët private gjenetike (Pentagene etj) e realizojnë duke përfshirë dhe teknika të tjera.

Analiza tumorale që nuk bëhen në QSUT

-Biopsia e palcës

-Kariotipi

-Biologjia molekulare

-Imunofenotipi qelizor

-Markuesit tumoral

Mungesat e shtetit i plotëson privati, me dyfishin e çmimit

Pacientët që i drejtohen QSUT-së detyrohen që të shkojnë në klinika private për të kryer analizat e nevojshme. Nga vëzhgimet në analizat që mbajnë pacientët në duar, rezulton se të gjitha mangësitë plotësohen nga klinikat private që ndodhen rreth QSUT-së. Një paciente tek spitali i sëmundjeve të rënda, Onkologjiku, tregon se ka bërë analizat tek klinikat private, aty ku e kishte drejtuar doktoresha. Një analizë tumorale në privat kushton rreth 200 euro.

“Shumë analiza tumorale nuk bëhen në QSUT, dhe jemi të detyruar që t’i çojmë në privat. Pacientët nuk e kuptojnë që nuk është çështje dëshire, as nuk bëhet fjalë që mjekët janë të lidhur me klinikat private për t’i bërë analizat të cilat nuk bëhen në shtet. As nuk mohojmë që nuk ka raste të tilla” shprehet një prej mjekëve që merret drejtpërdrejt me pacientët me sëmundje tumorale.

MSH/Urdhër: Analizat tumorale, falas

Më 1 tetor ish ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka nisur urdhrin institucioneve shëndetësore për të marrë të gjitha masat e nevojshme lidhur me ofrimin e shërbimeve dhe ekzaminimeve falas për të sëmurët me sëmundje kanceroze. Trajtimet dhe ekzaminimet për pacientët me tumore, analiza, skaner, rezonancë, eko, apo gjithfarëlloj analize që u duhet të kryejnë këta të sëmurë do t’i kenë falas.

Tarifën do e paguajë shteti, kosto do të përballohet nga spitalet, nga qendrat shëndetësore me paratë e buxhetit të vëna në dispozicion për shëndetësinë. Përfitues do të jenë si pacientët që sigurohen, ashtu edhe për ata që nuk paguajnë sigurime shëndetësore dhe nuk janë kontribuues në skemën e sigurimeve shëndetësore./ https://shendeti.com.al/

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here