Përshtati në shqip: Blertina Koka
Antioksiduesit mbrojnë trupin nga dëmtimet e shkaktuara nga molekulat e dëmshme, të quajtura radikale të lira. Shumë ekspertë mendojnë se këto dëmtime çojnë në zhvillimin e sëmundjeve të enëve të gjakut (arteroskleroza), kanceri dhe gjendje të tjera shëndetësore.
Ju ekspozoheni ndaj radikaleve të lira:
- Nëpërmjet përpunimit normal të produkteve në trup (si djegia e sheqernave për energji dhe prodhimi i enzimave tretëse për absorbimin e ushqimit).
- Kur trupi zbërthen ilaçe të ndryshme.
- Nga ndotja e ajrit
Antioksiduesit përfshijnë disa vitamina (si vitamina C dhe E), disa minerale (si seleni) dhe flavonoidet, që gjenden tek bimët. Burimet më të mira të antioksiduesve janë frutat dhe perimet. Mund t’i gjeni flavonoidet tek frutat, vera e kuqe dhe lloje të ndryshme çaji. Mund të blini gjithashtu suplemente të antioksiduesve. Është më mirë që t’i siguroni antioksiduesit nga dieta të shëndetshme.
Për çfarë përdoren antioksiduesit?
Antioksiduesit mund të luajnë rol në parandalimin ose trajtimin e disa gjendjeve shëndetësore, si disa lloje kanceri, degjenerimin makular, sëmundjen e alcajmerit dhe disa gjendje shëndetësore të lidhura me artritin.
A janë antioksiduesit të sigurt?
Derisa të bëhen më shumë studime, është mirë të merrni antioksidues nga një dietë e pasur në fruta dhe perime në vend të suplementeve. Marrja e suplementeve në doza të larta mund të jetë e rrezikshme për shëndetin. Vetëm një antioksidues nuk mund të mbrojë trupin. Pjesa më e madhe e njerëzve duhet të hanë 7-10 racione me fruta dhe perime çdo ditë.
Manaferrat, boronicat dhe mjedrat janë ndër frutat me sasinë më të lartë të antioksiduesve. Bishtajoret (fasulet, thjerrëzat, bizelet), dhe patatet janë ndër perimet që kryesojnë listën. Ndërsa në kategorinë e frutave të thata janë arrat dhe lajthitë.
Burimi: Webmd / Shendeti.com.al


