Bisedoi për gazetën “Shëndet+”: Elena Beta
Ajo është një personazh i dashur për publikun, që me zërin dhe baladat e saj ka thyer shumë zemra të dashuruara. Me këngën e saj të fundit “Të kam bërë të qash” është renditur në këngëtaret më të klikuara të rrjeteve sociale. Bëhet fjalë për Anxhela Peristerin, korçaren e ëmbël që moto të jetës së saj ka origjinalitetin dhe thjeshtësinë , duke u kthyer në një nga modelet më pozitive të skenës shqiptare. Në fokus të hapësirës “Vip Shëndet” të gazetës “Shëndet+”, Anxhela flet më shumë mbi marrëdhënien e saj me mjekun, dentistin, mbi formën e shkëlqyer trupore të cilën ia dedikon tërësisht gjenit, mbi ushqimin e preferuar si dhe për shumë detaje të tjera interesante nga jeta e saj.
Anxhela, çfarë është shëndeti për ty?
Mendoj se është pak a shumë e njëjta gjë si dhe për të tjerët. Shëndeti është gjëja më e rëndësishme dhe kështu duhet të jetë gjithnjë. Pa shëndet nuk ka asgjë tjetër.
Cila është marrëdhënia jote me mjekun? A kryen vizita “ashtu kot”?
Të gjithë e dimë që secili prej nesh duhet të shkojë te mjeku një herë në 6 muaj në mënyrë që të bëjë kontrolle të rregullta për të pasur një shëndet të mirë. Gjithsesi, personalisht edhe për shkak të punës që bëj, detyrohem që të shkoj më rrallë.
Po me dentistin çfarë marrëdhënieje ke?
Me dentistin kam marrëdhënie më të ngushtë. Ndoshta kjo lidhet me faktin se Roberti, një nga shokët e mi më të mirë, është dentist dhe gjithmonë më nxit për pastrime dhe kontrolle të dhëmbëve. Kjo më bën t’i kushtoj më shumë kohë dhe vëmendje.
A ndodh të pish ilaçe pa sugjerimin e mjekut?
Jo, nuk jam e prirur që të pi ilaçe. Rrallë ndonjëherë kur mund të kem pak dhimbje koke, marr qetësues të lehtë.
Formën e shkëlqyer fizike ia dedikon gjenit apo është përkujdesje intensive e vazhdueshme?
Mund të them që ia dedikoj totalisht gjenit (qesh). E di që jo të gjithë e kanë një mundësi të tillë, por unë e kam pasur fat.
Ndjek ndonjë rregull ushqyerje apo ha ç’të duash?
Ha çfarë më hahet dhe çfarë të dua. Nuk kam ndonjë regjim ushqimor që e ndjek rregullisht, duke qenë se fiziku nuk më ka kushtëzuar në këtë drejtim.
Gatuan vetë? Cila është pjata e preferuar?
Po, më pëlqen të gatuaj, kështu që gatuaj vetë. Pjata ime e preferuar është peshk me verë dhe limon.
A mendon se në vendin tonë ka edukatë shëndetësore?
Nëse flasim për të rinjtë, mund të them se rinia deri diku ka filluar të krijojë një edukatë shëndetësore, për t’u kujdesur për veten dhe shëndetin e tyre. Nga ana tjetër, prindërit tanë, pa i paragjykuar, por për shkak të kohës kur janë rritur, nuk e kanë pasur një kulturë të tillë, që si rrjedhojë na e kanë edukuar edhe ne. Megjithatë duket se gjërat po ndryshojnë në këtë drejtim dhe të rinjtë po bëhen më të kujdesshëm.
Sa e rëndësishme është të jesh mirë shpirtërisht para se të dalësh në skenë në mënyrë që zëri mos të të “tradhtojë”?
Është shumë e rëndësishme. Në skenë duhet patjetër që gjendja jote shpirtërore të jetë e mirë, në mënyrë që publikut t’i përcjellësh atë që kërkon. Në rastet e baladave je ti e para ajo që e ndjen dhimbjen, që më pas e përcjell natyrshëm tek publiku.
Po veshja ka rëndësi në skenë?
Sigurisht, madje është shumë e rëndësishme. Mund të themi që në skenë janë shumë faktorë të mbledhur bashkë: veshja, kënga, performanca. Për zërin nuk po flas, sepse dihet që kushdo që e quan veten këngëtar duhet të ketë zë.
Çfarë mendon se pëlqejnë njerëzit më shumë tek ti?
Mendoj se tek unë njerëzit pëlqejnë origjinalitetin. Asnjëherë nuk përpiqem të dal nga vetja dhe përpiqem të jem “unë”.
Çfarë do të thotë për ty lumturi?
Mendoj që lumturia nuk është e përjetshme. Lumturi janë momentet, janë pikërisht ato momente që ne i përjetojmë dhe më pas i kujtojmë me nostalgji.
Një këshillë apo mesazh për lexuesit e “Shëndet+”?
Mbani gjithmnonë parasysh shprehjen e popullit tonë: “Një mendje e shëndoshë jeton në trup të shëndoshë”.



