Kryefaqja Box 2 Arbër Çepani: Trupi im, tempulli im

Arbër Çepani: Trupi im, tempulli im

0
Shpërndaje

Intervistoi: Elena Beta

 I njohur për publikun e gjerë si fitues i edicionit të parë të “Big Brother Albania”, së fundmi prezantues i programit të mëngjesit “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH, aktivist i shoqërisë civile në mbrojtjen e kauzave më të prekshme të shoqërisë shqiptare, Arbër Çepani  rrëfen për gazetën “Shëndet +”, rrugëtimin e tij dhe dëshirën për të qenë pjesë e jetës publike. Si menaxher i biznesit të tij, një kafe brenda “muzeut”, Arbri tregon  ku qëndron e veçanta e këtij vendi. Sa kujdes tregon ai për shëndetin, trupin dhe ushqyerjen dhe ç’ mendon për sistemin shëndetësor në Shqipëri, këto dhe shumë të tjera mund t’i lexoni në intervistën më poshtë…

“Ashtu sikurse shumë sektorë të tjerë në Shqipëri edhe sistemi shëndetësor ka mangësi të mëdha. Ka sigurisht mjekë shumë të mirë dhe të përkushtuar por duket sikur fatkeqësisht një pjesë e tyre ka humbur humanizmin! Eksperiencat e mia personale me shëndetësinë shqiptare kanë qenë më shumë se dramatike”.

Arbër, duke qenë se je bërë i njohur për publikun si fitues i programit Big Brother. Sa ka ndikuar kjo fitore në karrierën tënde të mëpasshme? Mendon se do të ishe njëlloj i suksesshëm nëse do i ishe servirur publikut thjesht si një i ri me ambicie?

Kanë kaluar aq shumë vite nga ajo pjesëmarrje në atë show televiziv, sa më duket sikur kam qenë aty në një tjetër jetë. Besoj se sido që të ishte, puna ime e përditshme do më lidhte me jetën publike në një mënyrë ose në tjetrën dhe besoj se pak ose aspak ndikon ajo eksperiencë aty në qasjen time ndaj publikut sot.

Tashmë prezantues i orëve të para si moderator i programit “Mirëmëngjes Shqipëri!” në RTSH dhe njëkohësisht menaxher i biznesit tënd. Si ja del të japësh maksimumin tënd që çdo gjë të funksionojë më së miri?

Çelsi për çdo punë që të ketë sukses besoj se është pasioni. Nëse nuk ka pasion dhe dashuri në gjërat që bëjmë do lodheshim shumë shpejt me projektet tona. Nëse e shijon atë çka bën mezi pret të zgjohesh në mëngjes dhe të sfidosh një ditë të re.

Të gjithë që të njohin e dinë përkushtimin që tregon për palestrën dhe mirëqenien e trupit tënd. E ke frekuentuar gjithmonë palestrën apo është një vendim i marrë së fundmi?

“Mëndje e shëndetshme në trup të shëndetshëm” thoshin latinët. Nuk mund të mendosh për projekte të mëdha ndërkohë që nuk respekton tempullin tënd të përhershëm trupin. Për të qenë i sinqertë gjithmonë kam frekuentuar palestrat por kësaj here në ndryshim nga herët e tjera kam qenë më konstant në frekuentimin e saj.

Sa mendon se ndikon fiziku i mirë në mirëqenien psikologjike dhe vetëvlerësimin e një personi?

Ndikon shumë! Janë absolutisht të lidhura me njëra tjetrën. Respekti ndaj vetes fillon me përkujdesin ndaj vetes. Nëse nuk përkujdesemi as për mirëqenien tonë fizike si mund të pretendojmë se mund të sjellim mirëqenie për ata që kemi afër nesh.

Po ushqyerja e shëndetshme?

Ushqimi është një nga kënaqësitë më të mëdha që i janë ofruar njeriut nga natyra. Të ushqehesh shëndetshëm është filozofi jete nuk është thjesht çështje diete ushqimore.

I angazhuar prej vitesh në shoqërinë civile, mbrojtës i kauzave më të prekshme për shoqërinë Shqiptare, çfarë mendon për sistemin shëndetësor në Shqipëri? Te ka rëne rasti të marrësh shërbime nga spitalet tona?

Ashtu sikurse shumë sektorë të tjerë në Shqipëri edhe sistemi shëndetësor ka mangësi të mëdha. Ka sigurisht mjekë shumë të mirë dhe të përkushtuar por duket sikur fatkeqësisht një pjesë e tyre ka humbur humanizmin! Eksperiencat e mia personale me shëndetësinë shqiptare kanë qenë më shumë se dramatike.

Cili është mjeku që viziton më shpesh?

Mjeku i familjes.

Spital shtetëror apo privat?

Mundësisht mos u bëfshim hiç për spitale.

Të flasim pak për “Komitetin”… si lindi ideja e emrit apo stilit “Retro” që e karakterizon këtë ambient?

Lindi si dëshirë për të ruajtur objekte të trashëgimisë materiale nga shkatërrimi i mëtejshëm apo nga shitja e tyre jashtë kufijve. Kafja brenda “muzeut” ku janë ekspozuar mijëra objekte koleksioni është një mënyrë më atraktive për ta bërë më tërheqëse takimin me të kaluarën.

Mendon se shqiptaret po i largohen gjithmonë e më shumë dëshirës për të frekuentuar ambiente luksoze dhe i janë kthyer të thjeshtës?

Është proces njerëzor kaluam nga e vjetra dikur, tek xixat dhe shkëlqimi i pas viteve 90′. Tani po mundohemi të rikthehemi sërish tek rrënjët për të mos humbur edhe atë fije autenticitet që mund të na ketë mbetur.

Jazz apo Rock?

Jazz

Ndonjë projekt të ri?

Ka shumë projekte në furrë por më mirë ti nxjerrim nga furra pasi të jenë pjekur.

Një shprehje të preferuar të cilën e përdor shpesh?

Audaces Fortuna Iuvat….Fati ndjek guximtarët!

 

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here