Kryefaqja Vip-Shendet Art Lokaj: Pozitiviteti më ndihmon të kaloj çdo sfidë

Art Lokaj: Pozitiviteti më ndihmon të kaloj çdo sfidë

0
Shpërndaje

Bisedoi: Kesilda Gjoka

“Unë i kushtoj shumë rëndësi shëndetit dhe këtë e kam nga familja por këto kohë kam abuzuar pak me të”

Art Lokaj gjakovari ‘funk’ i talentuar vjen në Tiranë për promovimin e albumit të parë “Use You”. Arti ka nisur që 5 vjeç të luajë në kitarë dhe kjo falë ndikimit të familjes së tij.  “Shtëpia ime në çdo cep ka qenë e mbushur me instrumente, muzikë, filma”. Tani ai është kantautor dhe producent dhe ka nxjerr në treg albumin e tij të parë si dhe dëshiron që të jetë pjesë e festivaleve jashtë vendit e pse jo të filloj një projekt për kolonat zanore të filmave . Një djalë shumë energjik dhe pozitiv që të bën të kërcesh e të këndosh me të.

Art cili është formimi juaj, na flisni pak për veten?

Jam rritur në një familje ku çdo cep ka qenë e mbushur me instrumente, muzikë dhe filma. Që kur isha 5 vjeç kam filluar të luaj me kitare e pas disa viteve fillova shkollën e ulët të muzikës në Gjakovë, në profilin instrument piano. Këto dy instrumente kanë vazhduar të jenë pjesë e udhëtimit tim në muzikë.

Sapo keni promovuar albumin tuaj të parë “USE YOU” edhe në Tiranë, një album ku ti vjen dhe si kantautor por edhe producent…

Idenë për të shkruar albumin e kam menduar çdo ditë edhe mezi e kam pritur momentin kur të filloja të bëja diçka për të realizuar këtë ëndërr. Këngët i kam shkruar për një kohë relativisht të shkurtër.  Çdo fazë e albumit ka vajtur sipas planit fillestar. Ishte një emocion që çdo artist duhet ta përjetojë.

Albumi është i shkruar i tëri në Anglisht, ka një qëllim apo ju pëlqen si tingëllon teksti juaj në Anglisht?

Albumi është një reflektim i gjithë eksperiencave të mia në jete dhe në muzikë. Duke qenë se kam dëgjuar muzikë në anglisht që kur kam qenë i vogël, nga kjo jam inspiruar edhe të shkruaj në anglisht. Këtu ndikojnë edhe performancat live pasi këndoj kryesisht në anglisht. Por, nëse kam sado pak fat do e kem më të lehtë prezantimin tim në festival jashtë shtetit kur e kuptojnë gjuhën.

Cilën performancë do ta mbani gjatë në memorien tuaj?

Koncerti i fundit që kam pasur tani në kuadër të promovimit të albumit që u mbajt në Gjakovë do të mbahet gjatë në memorien time. Kjo performancë ishte e veçantë sepse isha në vendlindjen time dhe pas 13 viteve kisha në audiencë familjen time, babain, mamanë dhe vëllanë ti.  Ne nuk jetojmë bashkë në të njëjtin shtet dhe kjo për mua ishte diçka magjike t’i shija së bashku në koncertin tim.

Po kënga që keni më për zemër, cila është?

Është e vështirë t’i përgjigjesh kësaj pyetje pasi të gjitha i dua shumë se janë këngë të mia dhe secila ka rëndësinë e vet, por nëse do të veçoja vetëm një atëherë do të ishte kënga “Fjalët” (“Words”) por pak më shumë se të tjerat. Nëse do të flisja për këngët që nuk janë të miat do të përmendja këngën “Mirë se erdhe në xhungël” (“Welcome to the jungle”) nga Guns n’Roses, ajo është një këngë e cila sa herë e dëgjoj më duket që po e dëgjoj për herë të parë.

Keni shprehur që dëshironi të merreni me muzikë për filma, nga vjen ky pasion?

Nuk ka ditë që kalon që nuk shoh ndonjë film apo episode të serialeve dhe dëgjoj kolonat muzikore të tyre. Më duket shumë sfiduese dhe diçka e re të shkruaj muzikë për filmat, pasi në teatër kam 3 vjet që kompozoj për shfaqje të ndryshme. Por, në film besoj që do kem akoma më shumë hapësirë për të krijuar diçka të bukur.

Kemi ndonjë projekt të tillë?

Për momentin kam një projekt për teatrin Shqiptar në Shkup, po punoj me regjisorin Ilir Bokshi. E ndërsa përsa i përket një projekti të tillë në film, akoma po pres.

Ju gjejmë çdo fundjavë në Kosovë live si përherë. Ku e gjeni energjinë të luani, të përformoni, të këndoni të jeni aq energjik gjatë performancave tuaja?

Skena nuk do kishte kuptim pa publikun. E kur merr aq shumë dashuri e emocione besoj që ajo është burimi i energjisë sime.

Keni një zhanër që jo shumë të rinj janë praktikues, funk, pse kjo zgjedhje dhe do e shohim Artin në një tjetër zhanër?

Kryesisht luaj në zhanre si funk, r’n’b po edhe hip-hop, më pëlqen shumë. Besoj që me kalimin e kohës do i kombinoj këto zhanre e do vazhdoj eksplorimin edhe në rryma të tjera.

Arti dhe shëndeti, si janë marrëdhëniet me shëndetin. 

Unë i kushtoj shumë rëndësi shëndetit dhe këtë e kam nga familja por këto kohë kam abuzuar pak me të. Duke qenë i zënë me përgatitjen e albumit, kur filluan regjistrimet filluan dhe netët e gjata pa gjumë. Për shkak të punës me shumë volum dhe dëshira për perfeksionim më bëri që të mos ushqehem jo shëndetshëm por tani do t’i kthehem orarit të zakonshëm të gjumit dhe të ushqehem shëndetshëm dhe mirë për një trup dhe mendje të shëndosh.

Një mesazh për të gjithë lexuesit e gazetës Shëndeti +.

Duke qenë se e kam ndjerë në shëndetin tim dhe ecurinë time do t’iu thoja të gjithë lexuesve të gazetës Shëndet + t’i kushtojnë sa më shumë rëndësi gjumit. Gjumi të çlodh, të relakson, të qetëson edhe pse shpeshherë mundohemi t’ia bëjmë me hile. Unë jam njeri shumë pozitiv dhe kjo më ka ndihmuar të kaloj shumë sfida që të përballë jeta dhe do ju këshilloja të gjithëve të gjeni sa më shumë aktivitete dhe njerëz që ju mbushin shpirtin me pozitivitet.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here