Elena Beta, gazeta “Shëndet+” dhe Shendeti Online
Në kuadër të projektit “Youth Digital Club” të organizuar nga Instituti Adriapol, Instituti i Kërkimit dhe Zhvillimit Barleti dhe DAR Tirana, do të realizohen 5 workshope për nxënësit të cilët ndajnë së bashku pasionin për teknologjinë, informatikën, elektronikën. Workshop-i i parë me temë: “AUTODESK CIRCUITS & Elektronika Bazë” u zhvillua pranë ambjenteve të Innovation HUB Tirana dhe mblodhi bashkë nxënës të talentuar të përzgjedhur nga shkollat Qendër Komunitare të Tiranës.
Në këtë seksion nxënësit patën mundësinë të prezantohen e të njihen me përdorimin e softëare-it Autodesk Circuits dhe të praktikonin njëkohësisht krijimin e skemave të thjeshta në program, të shoqëruar me realizimin fizik të këtyre skemave nëpërmjet komponentëve të shumtë elektronikë të vëna në dispozicion, si: pllaketa eksperimentale breadboard, dioda LED, tranzistorë, induktorë, instrumenta matës, sensorë temperature, rezistorë, kapacitorë, etj.
“Është planifikuar që 4 workshope-e të tjera, do të mbahen me diferencë kohore prej dy javësh, me qëllim edukimin e të rinjve në të gjithë rajonin dhe përfshirjen e nxënësve të sistemit arsimor të mesëm në projekte të fushave të ndryshme të teknologjisë.
Përdorimi i teknologjive të informacionit dhe komunikimit përbën pjesë themelore të jetës së përditshme dhe domosdoshmëria e njohjes, përkrahjes dhe evoluimit të teknologjisë, dixhitalizimit dhe inovacionit është baza e zhvillimit të mëtejshëm të vendit tonë.
Klubi synon të promovojë aftësitë inovative tek nxënësit duke rritur interesin për të studiuar teknologjinë e informacionit e komunikimit në shkollë, të nxisë aftësitë analizuese dhe zgjidhëse në fushën e shkencave, të inkurajojë nxënësit në përdorimin e teknologjive dixhitale dhe në promovimin e shërbimeve dixhitale, si edhe të krijojë një rrjet ndërlidhës për shkëmbim eksperiencash midis klubeve të shkollave të ndryshme në rajon” Tha për gazetën “Shëndet +” Erlis Hasa, koordinator i projekteve teknologjike te Instituti Adriapol.
Projekti ka si synim, aftësimin e gjimnazistëve në punën praktike,nëpërmjet ëorkshopeve si dhe duke realizuar eksperimente dhe projekt ide në fushën e elektronikës, fizikës, etj.
Në përmbyllje do të shpallet një ose dy projekt ide fituese, të cilat do të prezantohen më tej në Festivalin e Ideve Rinore 2017 (konkurs kombëtar që zhvillohet në kuadër të projektit IADSA nga MAS dhe partnerë), duke konkurruar me projekt idetë e të gjithë grupeve të gjimnazeve të vëndit.


