Shefi i shërbimit të neonatologjisë në maternitetin “Koço Gliozheni” flet lidhur me rëndësinë e pranisë së një të afërmi të gruas që po lind në sallë dhe pengesën që nxjerr mentaliteti i stafit mjekësor
Aishe Thartori
Ndonëse nuk ka shumë vite, por edhe në vendin tonë është e mundur asistimi apo prania e shoqëruesve në sallën e lindjes. Prezenca e shoqëruesit në sallën e lindjes ndihmon gruan shtatzënë. Këto janë evidencat e nxjerra nga studime të shumta në botë. Iniciues për futjen e kësaj praktike në vendin tonë janë në fakt një grup mjekësh, por gazeta “Shëndet Plus” ka kontaktuar me njërin prej tyre, Eduard Tushen, i cili aktualisht është shef shërbimi i neonatologjisë në maternitetin “Koço Gliozheni” në Tiranë.
Por a duhet të jetë prezent shoqëruesi? Pse prania e shoqëruesve në sallat e lindjeve në maternitetet shqiptare është kaq e ulët? Është çështje emancipimi apo kompleksi e shoqërisë shqiptare? Për të gjitha këto dilema shefi i neonatologjisë pohon se më shumë sesa çështje mentaliteti është mungesë informacioni, informacion ky që varet nga bluzat e bardha, ku dhe si përcillet. Sipas Tushes, asistimi i shoqëruesit gjatë lindjes është një akt nga i cili merren vetëm përfitime.
“Natyrisht, asistimi i babait në procesin e lindjes është një nga rekomandimet kryesore të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Në disa trajnime që kemi zhvilluar në vendin tonë, gjithmonë është orientuar personeli në lidhje me dobinë që sjell prania e shoqëruesit do ta quaja unë, pasi nuk është domosdoshmërisht e thënë që duhet të jetë burri. Shoqërues mund të jetë një person i zgjedhur nga gruaja shtatzënë, mund të jetë nëna, kunata, vjehrra, shoqja etj. Natyrisht, është më mirë të jetë babai, sepse në qendër të një lindje është pikërisht familja, është nëna, babai dhe fëmija që po vjen në jetë. Pra, këta janë protagonistët kryesorë dhe më të rëndësishmit. Unë them gjithmonë që ishin dy, tani u bënë tre. Nëse më parë merreshin vesh burrë e grua, tani do të merren vesh edhe me fëmijën që lind, kështu që detyrimisht një nga principet kryesore është familja.
“Aplikimi i kësaj metode nga studime shumë të mira që janë realizuar, ka vërtetuar disa efekte pozitive, si: më pak dhembje gjatë aktivitetit të lindjes tek nëna, lindje më e qetë, më e mirë, kohëzgjatja e lindjes ka qenë më e shkurtër dhe përjetimet përgjithësisht negative që ka lindja, tejkalojnë mjaft mirë nga prania e shoqëruesit”.
Sipas Tushes, asistimi gjatë lindjes nuk është një risi, pasi procesi në fjalë njihej shumë kohë më parë.
(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e 16 marsit 2014 të gazetës “Shëndet+”, në suplementin “Baballarët në sallën e lindjes”. Projekti “Së bashku për një familje të shëndetshme, pa dhunë” po zbatohet me mbështetjen e UNDP-së, UN Women dhe fonde të Qeverisë Suedeze nga Shoqata “Together for life”)


