Pamje alarmante/ Fëmijët mbledhin sasi të mëdha barnash nga koshi i plehrave pranë spitalit

Në çdo spital të vendit, çdo ditë prodhohen mbetje spitalore. Nëse ato nuk trajtohen sipas standardeve, kthehen burim sëmundjesh për popullatën. Shpesh, në koshat urbanë shohim mbetje spitalore si: garza me gjak, shiringa, substanca toksike, por edhe medikamente, antibiotikë, shurupë e vitamina.

Fëmijë dhe të rritur, të cilët kërkojnë në koshat e mbetjeve për kanaçe alumini, shishe plastike apo qelqi i hasin këto mbetje. Në këto pamje, shihni teksa gjenden sasi të mëdha mbetjesh farmaceutike të hedhura në koshat urbanë. Njerëzit bien në kontakt pa e ditur rrezikun që u kanoset në shëndetin e tyre.

“Shumë nga mbetjet spitalore apo farmaceutike shkëputen nga ky trajtim pra ose hidhen sëbashku me mbetjet urbane apo hidhen në mjedise të tjera të cilat nuk përfundojnë në trajtimin e specializuar të tyre”, tha Mihallaq Qirjo, Ambjentalist, drejtues i “Rec Albania”.

“Në mënyrë të menjëhershme bëhen të aksesueshëm nga persona të cilët nuk e kanë kualifikimin e duhur nuk e kanë kulturën e duhur të përdorimit të barnave mund të jenë persona të papërgjegjshëm”, tha Dëfrim Goma, Kreu i Urdhrit të Farmacistëve.

“Mbetjet spitalore në mjedis kanë ndikim mjaft negativ jo vetëm për mjedisin por edhe për shëndetin e njeriut duke kaluar në mjedis ato mund të ndosin ujërat”, tha Mihallaq Qirjo, Ambjentalist, drejtues i “Rec Albania”.
Këto kosha ndodhen në rrugën kryesore që shkon në Spitalin e Traumës, sapo kalon kryqëzimin e Laprakës. Pranë tyre ndodhet një shkollë.

Në këtë zone operojnë mjaft subjekte farmaceutike. Nga mënyra se si janë paketuar dhe mbështjellë medikamentet, si dhe sasia e tyre mjaft e madhe, të bën të kuptosh se i ka hedhur një farmaci. Rrezikshmëria për banorët mbetet e madhe. Rruga që ndjekin këto medikamente nuk është ajo që përcakton ligji, por trajtohen me mbetjet urbane. Kjo sjell pasoja në mjedis dhe shëndet.

“Po të bëjmë një investigim të plotë të të gjitha spitaleve të republikës të spitaleve private të klinikave private të klinikave stomatologjike të depove farmaceutike jemi në një situatë alarmi të jashtëzakonshëm, të tmerrshëm sepse ndotja e tyre është maksimale”, tha Besnik Jakaj, Mjek nefrolog.

“Në nëse jemi duke hedhur në natyrë në mjedis disa mbetje spitalore apo barna të skaduara thjesht po kryejmë procesin e vetehelmimit”, tha Dëfrim Goma, Kreu i Urdhrit të Farmacistëve.

“Në kohë të gjatë kemi ndotje të tokës dhe bimësisë për shkak të hedhjes së barnave produkteve imunoogjike, të mbetjeve spitalore të produkteve të gjakut e të gjitha këto me radhë. Sigurisht këto kanë një kosto për strukturat private për ti eliminuar sipas protokolleve për të shmangur dhe kostot por edhe duke mos i dhënë rëndësi ne po shkojmë drejt shkatërrimit të shëndetit public”, tha Besnik Jakaj, Mjek nefrolog.

Prezenca e grupit të xhirimit i zuri disi në befasi këta fëmijë. Mjaftueshëm të shqetësuar të kuptonin se ato që mbanin nëpër duar, nuk ishin normale. Ata, kërkuan të mos i filmonim. Por, na pohuan se kjo ngarkesë e madhe barnash, ishte vetëm një prej mjaft episodeve.

Fëmijët na pohuan se kanë mbledhur disa herë paketime me sasi të mëdha barnash të hedhura. Pyetja shqetësuese që mbeti pa përgjigje ishte se ku i çojnë ato paketime që mund të kthehen në rrezik për ata vetë dhe popullatën. Madje, nuk përjashtohet që këto barna të mbledhura nëpër kosha, të rihidhen në treg, për sa kohë data e skadencës është vetëm në ambalazhet e jashtme. Kjo është një çështje që duhet marrë seriozisht dhe të hetohet nga autoritetet./Top Channel

Postime të ngjashme

Plumbat e gomës: çfarë janë dhe sa të rrezikshme janë për shëndetin?
Dita e pestë e protestës, tre protestues mbërrijnë me lëndime në Spitalin e Traumës
FOTOLAJM/ Protestuesit goditen me plumba gome
Përleshja me policinë, një protestues mbetet i lënduar në kokë. Mjekët i japin ndihmën e parë
Protesta në Lezhë, lëndohen nga gurët një grua dhe një vajzë, dërgohen në spital
CNN: Prindërit po shtyjnë gjithnjë e më shumë vaksinimin e fëmijëve, trend po aq shqetësues sa refuzimi i vaksinave
Dermatologia tregon sekretin sesi të parandaloni rrudhat në zonën e qafës
Biznesi i shëndetit po rritet sërish, gati 130 mln euro në 2025-n për t’u kuruar në spitalet private