Bërryli i tenistit, shkaqet dhe kurimi i sëmundjes

Pavarësisht emërtimit, kjo sëmundje nuk prek vetëm individët që luajnë tenis, por një sërë profesionesh ku kërkohet përdorimi i grupmuskujve që kryejnë të lëvizje të ngjashme me ato të gjuajtjes së topit në tenis

Artid Duni, kirurg ortoped në Qendrën Universitare të Traumës

Epikondiliti i bërrylit (ose bërryli i tenistit) përkufizohet si një  gjendje mjaft e dhimbshme në pjesën e jashtme të bërrylit që vjen si rezultat i mbipërdorimit dhe tejlodhjes së tendinave të muskujve që fiksohen në këtë pikë. Zakonisht prek adultët e moshave 30-50 vjeç, më tepër të seksit mashkull.

dhimbje berryli mbajtesePavarësisht emërtimit, nuk prek vetëm individët që luajnë tenis, por një sërë profesionesh ku kërkohet përdorimi i grupmuskujve që kryejnë të lëvizje të ngjashme me ato të gjuajtjes së topit në tenis, si: p.sh.: muratorët, elektricistët, hidraulikët, piktorët, marangozët apo kasapët, por dhe gratë në punët e zakonshme të shtëpisë, si gatimi apo qepja.

Shenjat

Përfshijnë dhimbje të fortë djegëse në epikondilin lateral (prominenca kockore në pjesën e jashtme të bërrylit) që mund të përhapet dhe në parakrah dhe në kyçin e dorës. Pacientët nuk mund të kryejnë apo kanë vështirësi në një sërë lëvizjesh si dhënia e dorës, hapja e derës apo mbajtja e filxhanit të kafes.

Shkaqet

Epikondiliti është dëmtim i llojit të mbipërdorimit apo traumatizimit të përsëritur të muskujve që realizojnë shtrirjen e gishtave dhe ngritjen e kyçit të dorës. Si pasojë e kontraksioneve të përsëritura dhe stresit, në brendësi të fibrave muskulare, në pjesën ku ato atashohen në kockën e bërrylit, shkaktohen mikrotrauma të tipit të mikroçarjeve.

dhimbje berryli 1Disa nga veprimet që shkaktojnë epikondilitin në mënyrë tipike janë: suvatimi, përdorimi i veglave hidraulike, vizatimi, prerja e mishit në kuzhinë, shtrëngimi i vidave etj.

Diagnoza

Zakonisht pyetja e kujdesshme dhe testimi i zonës nëpërmjet prekjes mjaftojnë për të vendosur diagnozën, por mjeku mund të këshillojë një radiografi për të përjashtuar ndonjë sëmundje tjetër apo një traumë më të thellë që ka dëmtuar kockën në rastet e dëmtimeve sportive.

Trajtimi

Përfshin marrjen e një sërë masave të thjeshta nga vetë i sëmuri, si evitimin e menjëhershëm të çdo lëvizjeje që shkakton dhimbje, aplikimin e kompresave të ftohta mbi zonën e dhimbshme dhe marrjen e analgjezikëve të thjeshtë, si paracetamoli. Nëse simptomat persistojnë, duhet kërkuar ndihma e specialistit ortoped. Mjekimi i mëtejshëm mund të përfshijë administrimin e medikamenteve antiinflamatore josteroide, përdorimin e një splinti të posaçëm, si dhe injektimin e zonës së dhimbshme me preparate kortizonike të përziera me anestetikë lokalë. Në raste mjaft të rralla apo rezistente indikohet kirurgjia për heqjen kirurgjikale të zonës së dëmtuar.

Me qetësimin e dhimbjeve rekomandohen procedura fizioterapeutike për forcimin dhe zgjatjen (streçing) e muskujve të parakrahut, si dhe instruktimin e teknikave korrekte gjatë punës apo aktivitetit sportiv për të parandaluar rishfaqjen e dëmtimit.

Nëse lihet i patrajtuar, epikondiliti progreson në një gjendje dhimbjeje dhe diskomforti kronik tepër invalidizues për individin.

Postime të ngjashme

Heqja e bajameve - po apo jo?
9 mënyra të thjeshta natyrale për trajtimin e bronkitit
Disa nga shenjat paralajmëruese dhe simptomat e çrregullimit bipolar
Disa trajtime natyrale për problemet me barkun
Cfarë është Sindroma Bartter?
Mjekja Dokle poston foton e foshnjës me këmishë
Barku i fryrë dhe i fortë: Të gjitha shkaqet, simptomat dhe si ta parandaloni atë
Bursiti, si të lehtësojmë dhimbjen