Bledi Polena: Ju rrëfej rregullat e botës së artit!

Bisedoi: Elena Beta

Të gjithë ata që e njohin, do të dëshmonin me siguri se muzika ka lindur bashkë me të. Rrugëtimi që nisi me pjesëmarrjen në një talent-show si “Star Akademi”, e futi Bledi Polenën në botën e artit, si një nga vokalet më të pëlqyer të muzikës shqiptare. Në gjithë këto vite, Bledi ka qenë i pranishëm në konkurse e skena të ndryshme, ndër të cilat dhe skena e së “Dielës Shqiptare”, të cilën ai e veçon për gjithçka që ka përfituar nga puna si vokalist, në atë format aq të ndjekur nga të gjithë. Me një dëshirë të madhe për t’i dhënë sa më shumë nga arti që ka brenda vetes, publikut që e ka mbështetur në çdo projekt, Bledi rrëfen për gazetën “Shëndet +” se është duke punuar për gjallërimin e muzikës tradicionale shqiptare dhe se së shpejti do të vijë me projekte të reja, të cilat do ta sjellin më afër atyre që e ndjekin dhe e pëlqejnë. Për t’u njohur më shumë me sfidat e një artisti të ri dhe planet e ardhshme në tregun e muzikor, mund të lexoni intervistën ekskluzive për gazetën “Shëndet +”.

 Bledi, më fol pak për veten. Si ka filluar gjithçka për ty, si nisi karriera jote?

Të flasësh për veten është diçka jo fort e thjeshtë, por natyrshëm kur flet për veten mendja të shkon direkt te pasioni më i madh që ke. Pasionet tek e fundit janë ato që drejtojnë njeriun. Për mua, fati, Zoti apo rrethanat, çfarëdo emri t’i vendosim, zgjodhi që ky pasion të jetë arti, muzika.

“Star Akademi” ishte prezantimi i parë me publikun. Mendon se ky kompeticion ka qenë një ogur i mirë për ty?

“Star Akademi” ishte veçse prova e parë dhe fillimi i një rruge e cila është ende herët për ta përkufizuar si rrugë e gjatë apo e vështirë,  por diçka është e sigurt, është rrugë pa kthim pas.

“Star Akademi” ishte eksperienca e parë me një publik dhe audiencë të madhe, përballja e parë me një skenë të projektuar për spektakël, përballja e parë me konceptin e show-t dhe argëtimit televiziv, dhe mbi të gjitha përballja e parë me një juri apo komision vlerësimi.

Ishte vështirësia e parë, stresi dhe ankthi nëse isha i mirë sa duhej apo jo, por ama më duhet të them që ishte përballja me magjinë e skenës nga e cila krijon varësi dhe kërkon edhe më shumë. Prandaj, sigurisht që “Star Akademi” ishte një ogur dhe një hajmali fatsjellëse për mua. Edhe vetë si format televiziv ishte një sipërmarrje e guximshme për gjuetinë e talenteve, prandaj kjo dyfishonte entuziazmin tim. Çdo performancë e imja atje, është një hap më shumë drejt sfidave të reja. Jo vetëm çmimi i marrë, por mbi të gjitha fakti që prezantova para publikut dëshmi të pasionit tim të madh, janë shumë të rëndësishme, veçanërisht për fillimin. Më tej kam qenë pjesëmarrës besnik i festivaleve të fundvitit, qoftë si konkurrent, qofte si back vockal. Kjo më ka bërë ta shoh këtë event historik dhe tradicional në të gjithë këndvështrimet, duke e marrë më mirë shijen artistike të tij, mbi të gjitha falë këtij spektakli mësova një tjetër rregull të botës së artit,  atë të punës së pandalshme, sado i talentuar të jesh, puna intensive është aksesori më i rëndësishëm për t’u plotësuar si artist. Këto janë përballjet me skenën e madhe, por unë me kënaqësi them se në përvojën time artistike (ende modeste) kam edhe eksperiencën gati 13 vjeçare të muzikës live kudo në Shqipëri. Për qejfin e një grupi të këndshëm që kemi krijuar dhe veçanërisht për kënaqësinë e publikut të madh që vjen dhe na ndjek, performojmë muzikën më të mirë të të gjitha kohërave dhe ndjesive. Besoj se çdokush që vjen dhe e dëgjon, gjen paqen e tij artistike.

Cila ka qenë sfida jote më e madhe?

Uroj që sfidat të mos mbarojnë kurrë. Janë të vetmit mësues për artistin.

Të gjithë të njohin si një nga vokalistët e Spektaklit të së Dielës. Si erdhi ky propozim?

Formati i të “Dielës Shqiptare” si produksion është një nga pjesëmarrjet më të bukura që kam patur në përvojen time profesionale. Si spektakli më popullor i shqiptareve bashkë me frymën e re që po sillte në kulturën e emisioneve të këtij formati, dhe disiplinën e punës më bëri ta pranoj me kënaqësi ftesen e produksionit për të marrë pjesë. Kam marrë po aq sa kam dhënë tek ky format televiziv dhe ishte kënaqësi të punoje me emra të afirmuar të botës së artit, eksperiencë e cila është vlerë e shtuar për çdo artist.

 C’ mund të na thuash për projektet e radhës? Ku do ta shohin Bledin ata që e kanë pëlqyer dhe e kanë ndjekur prej fillimit?

Projektet e radhës për momentin janë rritja e band-it muzikor jo në sasi por në cilësi dhe shije artistike. Dua të vij më afër publikut, sepse për mua është projekti më i madh i një artisti. Ne kemi një qasje bashkëkohore moderne por edhe tradicionale mbi artin, prandaj një nga projektet është gjallërimi i muzikës tradicionale, veçanërisht korçare me materiale të gjallëruara dhe në një stil komplet novator. Jemi duke punuar shumë në drejtim të kësaj ideje, frymëzimi dhe motivimi nuk na mungon, prandaj jemi optimist për këtë projekt. Dua të aksesoj edhe më shumë tregun muzikor me qëllim të përmbush më mirë misionin e artistit, t’u jap kënaqësi njerëzve. Gjithashtu jam edhe në përgatitje e sipër të materialeve personale muzikore, të cilat do të vijnë si projekte të mirëmenduara dhe sërish afër shijeve të publikut që më ndjek.

Zëri yt shpërthyes, i trashëguar apo produkt i një pune të madhe?

Më pëlqen të besoj që zëri im është dhuratë nga Zoti dhe nga prindërit e mi, veçanërisht nga babai im i cili kishte po të njëjtin talent, por kushte që nuk e favorizonin. Besoj se talenti është një dhuratë e madhe, e cila në rastin tim ka diktuar gjithë rrjedhën e jetës. Puna më pas e ka ndihmuar të perfeksionohet dhe përmirësohet dita ditës në stil e teknikë.
Të kalojmë në një atmosferë tjetër pyetjesh. Mendon se bën një jetë të shëndetshme, domethënë a ke kohën që të hash shëndetshëm, të bësh palestër…

Jam bërë më i vetëdijshëm për rolin që jeta e shëndetshme ka edhe për një të vetëndjerë më të mirë, e cila përcillet dhe reflektohet edhe në raport me njerëzit e tjerë. Kjo është e rëndësishme për një artist, puna e përditshme e të cilit është komunikimi.

Cili është mjeku që viziton më shpesh?

Fatmirësisht nuk më është dashur të frekuentoj shumë mjekë, por për shkak të lodhjes fizike nga puna gati e përditshme e zërit, kjo gjë më ka çuar disa herë në dyert e otorino-laringologut.

 Sa e vështirë është të konkurrosh me këngëtare që armë të fortë kanë bukurinë, dhe jo zërin?

Konkurrenca është e natyrshme. Unë mendoj që konkurrojnë 2 gjëra të cilat lëvrojnë të njëjtin stil qasje apo koncept. Stili i këngëtarëve që konkurrojnë me pamjen e jashtme përbëjnë një lloj në tregun muzikor kudo në botë që kanë një stil apo qasje mbi muzikën e cila s’ka asnjë lidhje me mua. Ndaj ky rast nuk konkurron fare me rastin tim. Çdokush ka vendin e vet në treg. Unë jam dhe do jem larg idesë që aparenca është qëllim në art. Jo se nuk vlen, por është mjet dhe kurrë qëllim.

 Marrëdhënia jote me ushqimin si është? Çfarë nuk të pëlqen të hash?

Kam pasur dhe kam një raport fantastik me ushqimin. Më pëlqen ushqimi i mirë, shija mbi ushqimin dhe ushqimi si terapi për mendjen, trupin dhe shpirtin. E vlerësoj shumë ushqimin e gatuar me kujdes, të kuruar estetikisht, sidomos kur ndërthuret me shoqërinë e mirë.

Marrëdhënia me duhanin…

Për fat të keq jam në një raport 15-vjeçar me duhanin. Mbase edhe kjo duhet listuar te sfidat e mia të së ardhmes, për të hequr dorë njëherë e përgjithmonë prej tij.

Ç’mendon se kanë pëlqyer më shumë njerëzit tek ti?

Me aq sa kam marrë feedback prej miqve dhe publikut që më ndjek, është thjeshtësia dhe përshtatja e shpejtë me shijet e publikut që shkon paralel me atmosferën e ambientit. Jam përpjekur të jem i afërt për njerëzit dhe i pakursyer për t’u dhënë kënaqësi.

Ç’do të thotë për ty lumturi?

Lumturi do të thotë të kesh mirë njerëzit e tu më të dashur, të shohësh veten çdo ditë të rritur profesionalisht dhe personalisht, të falësh kënaqësi kur mundesh, të përpiqesh të bësh vepra të mira, të kesh çdo ditë qëllime të reja, të flesh dhe zgjohesh me mendime optimiste dhe më e rëndësishmja, të gjesh paqe me veten.

Një mesazh për të gjithë ata që të ndjekin?

Mesazhi im është te jetojnë bukur. Thjesht por bukur. Dashurojeni jetën dhe muzikën e saj. Dhe mbi të gjitha, mos lini që asgjë në jetë të ngelet peng!/ Shendeti.com.al

 

Postime të ngjashme

AKU bllokon çokoremin "Nudossi" me përmbajtje salmonele
Gjendet helm minjsh në ushqimin për bebe, tërhiqen nga tregu kavanozët me pure
Turqia, destinacion global për shërbime mjekësore: Anadolu Medical Center, lider në këtë rrugëtim
Gjashtë këshilla të provuara shkencërisht për një tru të shëndetshëm
Trajtimi psikosocial dhe shëndetësor i dhunuesve: hallka e munguar për thyerjen e ciklit të dhunës
Përdorimi i bimëve mjekësore në trajtimin e çrregullimeve të sistemit tretës
 Nga bananet te çokllata e zezë, 6 ushqime që ulin nivelet e stresit
Cilat ushqime ndihmojnë shëndetin e syve?