Historia e hemodializës, shërbimit që shteti ‘refuzon’ ta ofrojë vetë

NGA KONCESIONI, TE TENDERI I ANULLUAR – VLERA E SHËRBIMIT RRITET ME 29%

Në fillim të shtatorit, pas një procedure të përshpejtuar prokuruese, Diaverum AB u shpall fituese e tenderit për ofrimin e shërbimit të hemodializës për katër vitet e ardhshme në pesë spitale rajonale: Shkodër, Lezhë, Korçë, Vlorë dhe Elbasan. Kompania fituese ishte edhe i vetmi operator që kishte paraqitur ofertë, me një vlerë prej rreth 4.44 miliardë lekësh pa TVSH, vetwm 3% mw i ulët nga fondi limit prej 4.59 miliardë lekë.

Menjëherë u ngritën pyetje dhe shqetësime se kjo procedurë, ishte bërë në favor të një kompanie të paramenduar klienteliste. Këto shqetësime u ‘konfirmuan” edhe nga vendimmarrja e fundit e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqënies Sociale, e cila e anulloi tenderin. Ministrja e sapoemëruar e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, e cila deklaroi anulimin e tenderit, e cilësoi atë si “një procedurë të hapur mbrapsht”. Megjithatë, një pyetje nuk mori përgjigje: Përse u hoq dorë nga modeli i ri publik për menaxhimin e shërbimeve mbështetëse të sistemit shëndetësor?

Më herët, në 5 gusht 2026, ministrja e Shëndetësisë Evis Sala, gjatë vizitës në ambientet e Operatorit të Shërbimeve të Integruara të Sterilizimit (OSHIS sh.a.), deklaroi se OSHIS do të administrojë, përveç shërbimit të sterilizimit, edhe dy shërbime kombëtare me ndikim të drejtpërdrejtë te qytetarët: Check-Up dhe dializën. “Kjo do të thotë më shumë standardizim, më shumë kontroll mbi cilësinë, më shumë eficiencë dhe, mbi të gjitha, më shumë siguri për pacientët. Ne po ndërtojmë një operator publik të fortë, të aftë për të garantuar shërbime të qëndrueshme dhe me standarde të njëjta në të gjithë vendin”, u shpreh Sala.

Vetëm pothuaj dy javë më vonë OSHIS hapi tenderin për shërbimin e hemodializës, duke ‘hequr dorë’ nga cilësia, eficienca dhe, mbi të gjitha, nga siguria për pacientët. Debatit dhe pyetjes së ngritur nga mediat dhe opozita se përse shërbimet nuk u kthyen në publike, ashtu siç u premtua, nuk iu dhanë përgjigje.

Procedura u publikua më 17 gusht, ndërsa afati për paraqitjen e ofertave ishte 1 shtator. Autoriteti e justifikoi afatin e shkurtuar me nevojën për të garantuar vazhdimësinë e një shërbimi jetik, ndërsa kontrata ekzistuese po i afrohej përfundimit. Dhe, në fund të kësaj procedure, rezultoi të ishte vetëm një ofertues: Diaverum AB, pikërisht grupi që kishte ofruar shërbimin gjatë dhjetë viteve të koncesionit.

Koncesioni 10-vjeçar i hemodializës me 100 pikëpyetje dhe dyshime

Në vitin 2016, Ministria e Shëndetësisë dha me koncesion për 10 vjet shërbimin e hemodializës në pesë qendra pranë spitaleve rajonale në Shkodër, Lezhë, Korçë, Vlorë dhe Elbasan. Kontrata u lidh më 10 shkurt 2016, pas një procedure të shpallur në maj 2015, dhe parashikonte përfundimin e saj në vitin 2026. Vlera totale e kontratës ishte 8.6 miliardë lekë dhe koncesionari merrte përsipër jo vetëm trajtimin e pacientëve, por edhe sigurimin e pajisjeve dhe materialeve mjekësore e jomjekësore, rehabilitimin e hapësirave ekzistuese, ndërtimin e hapësirave të reja, si dhe instalimin e posteve të dializës dhe pajisjeve laboratorike për kryerjen e analizave mujore.

Koncesionari fillestar ishte konsorciumi “DiaVita”, i përbërë nga “Spitali Amerikan” me 15% të aksioneve dhe “Evita” me 85%. Më pas, aksionet e DiaVita u blenë nga kompania suedeze Diaverum International AB, e cila përfundimisht mori 100% të aksioneve të shoqërisë koncesionare.

Qëllimi i koncesionit ishte të lehtësonte ngarkesën e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë dhe ta afronte shërbimin pranë pacientëve në qarqe. Në Shqipëri trajtohen rreth 1,300 pacientë me hemodializë, ndërsa vetëm në QSUNT kanë marrë trajtim rreth 140 pacientë çdo muaj.

Por, gjatë viteve, zbatimi i koncesioni u shoqërua edhe me pikëpyetje mbi mënyrën e financimit dhe eficiencën e tij. Raporti i TFL-së ‘Menaxhimi dhe sfida e koncesioneve në shëndetësi’[1], publikuar në fillim të viti 2025, evidenton se, pavarësisht ekzistencës së koncesionit, QSUNT kishte vazhduar të kryente tendera për shërbimin e hemodializës.

Një tjetër problem doli nga auditimi i FSDKSH-së për vitin 2022. Audituesit evidentuan faturime për 8,854 raste shërbimesh të pakryera, në shumën 99.191 milionë lekë pa TVSH. Sipas raportit, mekanizmi i pagesave parashikonte likuidimin edhe të rasteve nën projeksionin vjetor dhe të rasteve të realizuara mbi projeksionin mujor të qendrave.

Kështu, në fund të dhjetëvjeçarit, debati për koncesionin nuk lidhet më vetëm me cilësinë apo aksesin në shërbim, por edhe me sa ka kushtuar ky model për buxhetin e shtetit dhe nëse mënyra e pagesës ka qenë ekonomikisht e favorshme për financat publike.

Dhe pikërisht në këtë pikë nis historia e tenderit të ri të vitit 2026: koncesioni po përfundonte, infrastruktura dhe pajisjet tashmë ekzistonin, ndërsa shteti duhej të vendoste nëse do ta merrte vetë përsipër shërbimin apo do t’ia besonte sërish një operatori privat.

Tenderi u anulua, pikëpyetjet u shtuan

Anulimi i tenderit mund të jetë një mundësi për të rishikuar jo vetëm dokumentet e procedurës, por edhe vetë modelin e ofrimit të shërbimit të hemodializës. Krahasimi financiar mes kontratës koncesionare të modelit PPP për një periudhë 10-vjeçare dhe kontratës 4-vjeçare të anuluar ngre një tjetër shqetësim.

Sipas përllogaritjeve mbi vlerën e kontratës së re, kostoja vjetore e shërbimit rezulton rreth 29% më e lartë se vlera vjetore e shërbimit të ofruar nga koncesionari. Kjo diferencë bëhet edhe më domethënëse nëse merret parasysh natyra e dy kontratave.

Sipas kushteve të tenderit të anuluar, kontrata do të kishte një kohëzgjatje prej katër vitesh dhe do të ishte përgjegjëse për sigurimin dhe menaxhimin e personelit, materialet dhe laboratorët, mirëmbajtjen, kalibrimin dhe riparimin e pajisjeve, si dhe sigurimin i pajisjeve rezervë. Ndërsa kontrata koncesionare, përveç atyre më sipër, përfshinte edhe investimet fillestare për ngritjen dhe pajisjen e infrastrukturës së shërbimit. Ndërkohë, kontrata e re do të mbështetej mbi një infrastrukturë tashmë të ngritur dhe funksionale.

Nga një analizë e thjeshtë ekonomike, do të ishte e pritshme që kontrata e re, duke u mbështetur mbi një infrastrukturë tashmë të ngritur dhe funksionale, të kishte një kosto më të ulët se kontrata koncesionare. Në vend të kësaj, kostoja e parashikuar rezultoi më e lartë.

Kështu, anulimi i tenderit ndaloi procedurën, por nuk i mbylli pikëpyetjet. Institucionet përgjegjëse për përgatitjen e termave të referencës dhe përcaktimin e fondit limit duhet të japin një shpjegim të qartë edhe për mënyrën se si është llogaritur kostoja e shërbimit dhe faktorët që kanë çuar në këtë diferencë.

Po ashtu, mbeten për t’u sqaruar edhe disa pyetje thelbësore: Pse u braktis modeli i administrimit publik përmes OSHIS, i shpallur vetëm pak ditë më parë? Pse u zgjodh një procedurë e përshpejtuar prokurimi? Dhe si përfundoi një kontratë me vlerë miliarda lekë me vetëm një ofertues?

Përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve janë të domosdoshme jo vetëm për të kuptuar arsyet e anulimit të tenderit, por edhe për të përcaktuar se cili është modeli që qeveria synon të ndjekë për shërbimin e hemodializës: një shërbim publik i administruar nga shteti apo një shërbim i ofruar nga operatorë privatë përmes procedurave të prokurimit.

Sepse, kur bëhet fjalë për një shërbim jetik, ku shteti financon dhe pacienti është përfituesi i drejtpërdrejtë, emri i operatorit nuk mund të ketë më shumë rëndësi sesa kostoja, cilësia, transparenca dhe siguria e shërbimit.

Përpara se të hapet një tjetër tender, institucionet u detyrohen qytetarëve një përgjigje të qartë: cili model i shërben më mirë pacientit dhe cili garanton përdorimin më efikas të parave publike?


1https://www.togetherforlife.org.al/wp-content/uploads/2025/04/RAPORT_MENAXHIMI-DHE-SFIDA-E-KONCESIONEVE-PPP-NE-SHENDETESI-10.pdf

Postime të ngjashme

Rënia në peshë nuk janë vetëm numrat në peshore, endokrinologia: Drejtohuni te mjeku për zgjidhje
Lëngu i shegës: Pse duhet të jetë në dietën tuaj
Pse obeziteti prek më shumë gratë sesa burrat?
Mjekja: Ja pse gratë shtojnë peshë në periudhën e menopauzës (VIDEO)
Kur duhet të konsiderojnë pacientët me obezitet trajtimin me medikamente për humbjen e peshës
Skema e re e furnizimit me barna dhe fondet publike: Ministria “refuzon” t’i përgjigjet TFL-së për projektligjin
Nga PMOS te disa lloje kancerash: Sëmundjet që u kanosen grave për shkak të obezitetit
Mjekja shpjegon pse vajzat dhe gratë kanë oreks të shtuar para ciklit menstrual