Çelet konkursi fotografik “Vështroje” në Kuçovë

Prezantohet projekti “Vështroje” në kuadër të fushatës UNiTE “16 ditë aktivizëm kundër dhunës me bazë gjinore”, mbështetur nga Agjencitë e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, me fonde të qeverisë  suedeze dhe në bashkëpunim të ngushtë me  Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.

Qyteti i parë, i përzgjedhur për hapjen e fushatës, ishte qyteti i Kuçovës. Aktiviteti u zhvillua në Qendrën Kulturore  të Fëmijëve të këtij qyteti me pjesëmarrjen e stafit pedagogjik dhe nxënësve të katër shkollave të mesme, dy të qytetit dhe të dy fshatrave Perondi dhe Avaleas, Kozare.  Bashkëpunim të ngushtë për realizimin e çeljes së kësaj fushate ka treguar Drejtoria Arsimore Kuçovë, me në krye drejtoreshën e këtij institucioni, znj. Eglantina Gjika.

Në fjalën përshëndetëse të saj, znj. Gjika u shpreh: “Ne gratë jemi të diskriminuara në shumë aspekte, në arsim, në marrëdhëniet e punës, në familje. Do të dëshiroja të shikoja akoma më shumë vajza dhe gra të jenë pjesëmarrëse në proceset e vendimmarrjes si dhe mbështetëse të njëra-tjetrës për ta lehtësuar këtë proces. Kuçova ka nxjerrë dhe nxjerr figura të rëndësishme grash të cilat  janë të suksesshme në karrierën e tyre dhe do doja që ju vajza të pranishme sot, t’ i shikoni këto gra si modelet më të mira për të ecur edhe ju përpara. Përgëzoj dhe falënderoj Shoqatën “Together for Life” për një nismë të tillë, që talentet e të rinjve të këtij qyteti, me shfaqjen e këtij konkursi për vajzën dhe gruan shqiptare, të njihen në mbarë Shqipërinë”.

Më pas takimi vijoi me prezantimin rreth fushatës UNiTE “16 ditë aktivizëm kundër dhunës me bazë gjinore”, nga menaxherja e projektit, znj. Eneida Mjeshtri. Në këtë prezantim, znj. Mjeshtri  i njohu të rinjtë me situatën e respektimit të të drejtave të vajzave dhe grave në Shqipëri dhe rëndësinë e edukimit të të rinjve shqiptarë me parimet e barazisë gjinore. Ajo u ndal më gjerësisht në njohjen e të pranishmëve me konkursin fotografik “Vështroje”.

Ky konkurs është konceptuar si një ushtrim social që  synon kthimin e vëmendjes së të rinjve ndaj realitetit dhe statusit shoqëror që gratë dhe vajzat kanë në komunitetet ku jetojnë, me qëllim rritjen e ndjeshmërisë së kësaj grupmoshe ndaj këtij grupi shoqëror dhe orientimin indirekt të tyre ndaj parimeve të barazisë gjinore. Të rinjtë e shkollave të mesme të Shqipërisë  mund të bëhen kështu me fotot e tyre përcjellës së realitetit të vajzës dhe gruas shqiptare, duke sjellë në vëmendjen e opinionit publik copëza të vërteta të jetës së tyre të shkëputura dhe të fiksuara në imazh.

Nga ana e të rinjve u vu re entuziazmi dhe gatishmëria për të marrë pjesë në këtë konkurs, pasi, vetë kauza shoqërore për të cilën ky konkurs ka synim të trajtojë, është për ata kauzë që prek gjithë shoqërinë. Shumë prej tyre shprehën ide kreative se si mund të zhvillohet më tej ky konkurs. Ata dhanë idenë që çmimet e fituesve të konvertohen në  ndihma bamirësie për familjet e varfra./ Shendeti.com.al

 

Postime të ngjashme

Nobeli i Mjekësisë shkon për “çelësin e dritës” që ndez dhe fik neuronet
Gjashtë fëmijë të një kopshti përfundojnë në spital në Korçë, dyshohet për helmim
Vitamina D3: Përfitime për shëndetin dhe si ta merrni në mënyrën e duhur
Uri fizike apo emocionale? Endokrinologia shpjegon si ta kuptoni pse po hani
Dërgonin pacientë me kancer në klinikat private, SPAK mbyll hetimet për Onkologjikun
Fruthi rikthehet fuqishëm në SHBA, 5 viktima në Pensilvani/ Mbi 3,650 raste gjatë vitit 2026
Mjekja: Obeziteti te moshat pediatrike, kambanë alarmi
Shqipëria zgjeron mbrojtjen ndaj HPV-së, nis edhe vaksinimi kundër gripit sezonal