Agjencia Ndërkombëtare e Kërkimeve mbi Kancerin dhe OBSH-ja kanë klasifikuar fushat elektromagnetike si kancerogjene të mundshme, duke u bazuar në një risk të rritur për glioma, një lloj kancer i trurit, i lidhur me përdorimin e valëve të telefonit dhe të kompjuterit.
Gjatë viteve të fundit është rritur vëmendja tek efektet shëndetësore negative që vijnë si rezultat i ekspozimit ndaj valëve të fushës elektromagnetike, valëve të emetuara nga wirelessi i internetit, celularëve dhe mjeteve të tjera.
Numri total i telefonave në të gjithë botën llogaritet 5 bilionë.
Më 24-31 maj 2011, një grup prej 31 shkencëtarësh nga 14 shtete u mblodhën në Francë për të vlerësuar rreziqet kancerogjene të valëve nga mjetet e telekomunikacionit. Në këtë takim u diskutua mundësia që këto ekspozime mund të shkaktojnë efekte shëndetësore afatgjata, në veçanti një risk të rritur për kancer. Kjo ka shumë rëndësi për shëndetin publik, veçanërisht për përdoruesit e celularëve, duke qënë se numri i përdoruesve është në rritje, si për fëmijët dhe të rinjtë.
Ka disa mënyra ekspozimi të njerëzve ndaj këtyre valëve në jetën e përditshme :
- Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj radarëve dhe mikrovalëve
- Ekspozimi mjedisor i lidhur me transmetimin e sinjaleve të radios, televizionit dhe valëve të telekomunikacionit.
- Ekspozimi personal i lidhur me përdorimin e telefonave celularë.
Studimet evidentojnë që emetimi i valëve rrit rrezikun për glioma dhe neuroma akustike. Një nga këto studime ishte ai i vitit 2004 që tregoi një risk të rritur prej 40% për glioma tek kategoria që përdor më tepër mjetet e telekomunikacionit (një mesatare prej 30 minutash në ditë për një periudhë prej 10 vitesh)
Konkluzione
Konkluzionet e këtyre studimeve që mund t’i quajmë alarmante, theksojnë edhe një herë që është përgjegjësi e strukturave të shëndetit publik për të informuar vazhdimisht popullatën lidhur me rreziqet e ekspozimit të zgjatur ndaj valëve të fushës magnetike, si dhe marrjen e masave brenda mundësive për reduktimin e ekspozimeve të mundshme./ Përgatiti: Arlinda Gjypi



