Për gazetën “Shëndet+”, dietologia Rolina Naco
Si në rastin e një fëmije më shëndet të plotë, por edhe në një fëmijë me diabet të tipit 2, rekomandimet janë të njëjta në rast se duam të kemi një ushqyerje të shëndetshme, në rastin e dytë thjesht duhet të jemi edhe më korrekt pas regjimit.
Së pari, duhet të tregojmë kujdes për të arritur një peshë normale nëse fëmija është mbi peshë. Kjo duhet të jetë një rezultat i një diete të balancuar dhe të shoqëruar me aktivitet fizik.
Duhet të hamë shpesh dhe pak: është çelësi për të kontrolluar nivelin e sheqerit në gjak.
Duke ngrënë shpesh mund të kontrollojmë masat e ushqimit që duhet të konsumojmë dhe të kujdesemi për kombinimin që duhet të bëjmë, në mënyrë që të mos kemi as hiperglicemi dhe as hipoglicemi.
Bulmeti është thelbësor në moshën e zhvillimit pasi na plotëson nevojat për kalcium. Mund të konsumojmë qumësht, kos, djathë, gjizë, salcë kosi etj, por duhet të kujdesemi të preferojmë ato me yndyrë të reduktuar (jo ato me 0%), por thjesht të skremuara. Mund të abuzohet shumë lehtë te djathi i bardhë apo ai kaçkavall, ndaj duhet të tregojmë kujdes te sasia. Për shembull, 40-50 gr djath është shumë mirë në një ditë nëse konsumojmë edhe 1-2 racione kos dhe qumësht.
Frutat përsëri duhet të jenë të integruara në menunë ditore, por nuk duhet të abuzojmë duke konsumuar disa fruta në një vakt, por t’i ndajmë ato gjatë ditës dhe të zgjedhim ato që janë më pak të ëmbla.
Gjithashtu duhet të theksojmë se mirë është të evitojmë lëngun e frutave pasi nuk marrim fibrat. Një zgjedhje është që preferojmë lëng frutash të kombinuara me perime së bashku për të ulur sasinë e karbohidrateve dhe duke marrë edhe më shumë vlera ushqimore.
Drithërat që janë baza e një ushqyerje në menunë duhet të jenë të zgjehdura, të konsumohen vetëm ato integrale. Oriz integral në rizot, në perime të mbushura, si dhe në supa. Bukë integrale, por edhe produkte të tjera me miell integral, si: krepa, pite, byrek, makarona integrale, por edhe ëmbëlsira të tjera me miell integral, si: kek, biskota etj.
Vaktet kryesore, mëngjesi, dreka dhe darka duhet të kenë 3 makronutrientët: karbohidrate, yndyrë dhe proteinë.
Burimet proteinike shtazore duhet t’i zgjedhim me pak yndyrë, si: mish i kuq pa shumë dhjamë, mish pule pa lëkurë etj.
Derisa nga burimet e yndyrës të preferojmë ato me acide yndyrore bimore, si: vaj ulliri, fruta të thata (bajame, arra, lajthi, etj), por edhe acide yndyrore nga peshku, si: sardele, salmon, ngjala etj.


