Dr. Megi Lekbello, e ftuar në ciklin e podcasteve “Obeziteti – Le të flasim për të”, ka folur për pasojat që mund të sjellë në organizëm obeziteti, nëse lihet i patrajtuar.
Mjekja theksoi se obeziteti duhet konsideruar dhe trajtuar si një sëmundje kronike, njësoj si hipertensioni apo diabeti, duke nënvizuar se trajtimi i tij nuk lidhet vetëm me aspektin estetik, por mbi të gjitha me shëndetin.
“Obeziteti është sëmundje dhe është sëmundje kronike. Kur flitet për hipertensionin ne i themi pacientëve që ti duhet të bësh kujdes me kripën por nuk e lëmë me kaq. Themi që duhet të marrësh dhe këto medikamentet. Kur flasim për diabetin, ashtu i themi. Bëj kujdes me ushqimin por ndërkohë ke dhe këto medikamente për ta trajtuar. Dhe obeziteti duhet parë në këtë vështrim. Është një sëmundje kronike siç është tensioni, siç është diabeti dhe si e tillë duhet të mjekohet.
Mosmjekimi i obezitetit sjellë pastaj një sërë risqesh për sëmundje të ndryshme, ku përfshihet; e para insulino-rezistenca, që është bazë për diabetin, është bazë për hipertensionin, për sëmundjet kardiovaskulare, për dislipidemitë. Pacientët që janë obez kanë apnean e gjumit, që dhe kjo ka një risk të shtuar pastaj për evente kardiovaskulare, kanë probleme me artikulacionet, kanë dhimbje te gjunjëve, të kyçeve. Kanë risk të shtuar për të zhvilluar rreth 20 lloje të ndryshme kanceri, që lidhen me rritjen e inflamacionit në trup që jep obeziteti. Prandaj trajtimi më shumë se për çështje estetike është për çështje shëndetësore, për të ulur riskun për të gjithë këto sëmundje që ne thamë.
Dhe përveç sëmundjeve fizike që patjetër janë shumë të rëndësishme, obeziteti ndikon dhe në shëndetin mendor. Personat obez kanë provuar disa herë të humbin peshë, atë peshën e kanë rifituar, janë dorzuar. Kjo bën që të mërziten, të kenë çrregullime të ankthit, çrregullime depresive. Kështu që ndikon si në shëndetin fizik ashtu dhe në shëndetin mendor, prandaj është mirë që të mjekohet”, tha mjekja Lekbello.

