Kryefaqja Box 3 Dashnor Diko: Nga skena në biznes, ja pse jeta ime ndryshoi...

Dashnor Diko: Nga skena në biznes, ja pse jeta ime ndryshoi tërësisht

0
Shpërndaje

Bisedoi: Elena Beta

Ishin vitet e tranzicionit, ku ëndrrat e shumë të rinjve për të bërë muzikë ndryshe më fund u bënë realitet. Të gjithë i mbajmë mend më të spikaturit, figurat e së cilëve do të mbeten gjithmonë simbol u atyre viteve. Edhe pse kërkesat e larta për veten dhe synimi për të krijuar një familje me baza të forta e larguan nga rruga e artit në kulmin e tij, Dashnor Diko, i kujton me nostalgji ato vite duke rrëfyer për gazetën “Shëndet +”, si nisi gjithçka në bankat e shkollës me dëshirën për të bërë diçka ndryshe, çmimin e parë në festival i cili nuk ishte i mjaftueshëm për ta mbajtur të mbërthyer në rrugën aq shumë të dëshiruar. Sot, i përkushtuar në biznës, dhe i lumtur që ja ka arritur të realizojë qëllimet e tij, Dashnori tregon jetën e tij si familjar i përkushtuar si dhe zbulon pasionet e tjera përveç këngës, të cilat e shoqërojnë në rrugëtimin e tij të përditshëm…

Dashnor, të gjithë ju njohin si një artist të suksesshëm të viteve ’90 dhe me siguri shumë nga adhuruesit tuaj janë kuriozë të dinë si ka vazhduar jeta juaj pas atyre viteve, pasi nuk keni qenë më prezent në skena e koncerte…

Faktikisht jeta ime është e mbushur plot aktivitete, përveç biznesit me të cilin merrem, jam gjatë gjithë kohës në lëvizje. Jo vetëm për shkaktë punës por është dëshira ime ta ndjej veten në aktivitet gjatë gjithë kohës. Kjo ma mbush ditën, kam mbi 8 vjet që bëj palestër rregullisht, 5 ditë në javë, nga e hëna në të premte. Sportin e kam dashur që kur kam qënë i ri, jam marrë me gjimnastikë, gjë të cilën ua transmetova edhe 2 djemve të mi të cilët janë  të dy notarë. I madhi mbasi mbaroi shkollën e mesme këtu në Tiranë, tani studion për shkenca kompjuterike në Amerikë, në një universitet ku praktikon edhe sportin e notit, ndërsa djali i vogël ka 5 vite që merret me not me ekipin e Stelës tek “Stela Resort”. Mund të them se ky është një aktivitet që  më mban dhe mua gjallë pasi duke çuar djalin në stërvitje, bëj dhe vetë palestër atje.

Mendon se jeton shëndetshëm?

Mendoj se po, të gjitha këto aktivitete që unë bëj çdo ditë kanë lidhje me shëndetin. Një hobi imi është dhe peshkimi, madje me përmasa të mëdha, nuk e shoh thjesht si argëtim, por si një kënaqësi më vete, si antistres. Shpeshherë shkoj edhe me shokët dhe mund të them se është një lloj aktiviteti që mban trupin në formë dhe të shëndetshëm. Nuk kam asnjë abuzim me mënyrën e të ngrënit, përveç ndonjë rasti të rrallë dreke familjare. Me alkoolin dhe duhanin nuk kam asnjë lidhje, pija ime e preferuar është uji dhe zhveps. Kjo është pjesa që më mban gjallë, aktiviteti gjatë punës, palestra dhe hobi im, peshkimi.

Duke qenë se je dhe familjar, të bie rasti të gatuash ndonjëherë?

(Qesh) Më vjen keq, kjo më mungon. Ndonjë vezë të skuqur edhe mund ta bëj, por ka raste e harroj dhe atë dhe e djeg (qesh). Pastaj peshqit i qaj, i pastroj, i laj dhe i skuq, i bëj shumë të shijshëm. Atje ku jam në gjueti, arrij ti’ bëj gati, t’i fus një tel tejpërtej dhe t’i pjek. E bëj me shumë kënaqësi, pasi gjuetia hyn pak dhe në aventurë dhe realisht më pëlqen jeta sportive, të fjeturit jashë, kampingu, gjë të cilën ua kam injektuar dhe familjarëve të mi, djemve dhe nuses. Prej vitesh tashmë lëvizim çdo fundjavë, kemi aktivitete të ndryshme.

Nga një këngëtar revolucionar, në një familjar të devotshëm. Pse vendose të shkëputeshe nga skena në kulmin e suksesit tënd. Çfarë ndodhi?

Mbasi u ndryshua sistemi, ai akumulim i gjithë ëndrrave dhe dëshirave për t’i nxjerrë në pah, pati një shpërthim, për të gjitha ato që kishim dashur me vite t’i shpalosnim. Ne na u realizua dëshira. Them ne pasi unë kam qenë në një klasë me Aleksandër Gjokën që 15 – 16 vjeç, në një bankë dhe që atëherë ëndëronim të kthehej sistemi. Kishim dëshirë të mbanim flokët e gjata, të sillnim ndryshim, gjëra që ishin të censuruara, brenda censurës ka qenë dhe muzika, kështu që pas viteve 90 ne realizuam diçka nga ato që kishim brenda vetes, ku mund të përmend dhe formimin e grupit X, grupi i parë në Shqipëri, i cili përbëhej nga unë, Sandri, një shoku ynë Adhurim Demiri, si dhe orkestra. Për ne ishte hera e parë, hapat e para në funksionimin si grup, por kjo pati shumë sukses. Fituam emrin, por pamë se kushtet nuk mund të na ofronin atë që na duhej.

Mendo, kur arrin të shpërbëhet një grup i madh në botë, të cilët kanë të gjitha kushtet për të funksuonuar, një grup i sapokrijuar në shqipërinë e tranzicionit nuk mund ta kishte aspak të lehtë. Rëndësi ka që në nuk jemi ndarë kurrë, përveçse nga ana skenike.

Pjesa që jam larguar nga skena nuk do të thotë që jam larguar nga shokët e mi, po atë rreth shoqëror kam. Ne kemi qenë një gjeneratë që kemi ndërtuar marrëdhënie shumë të mira me njëri- tjetrin, janë shumë faktorë që të mbajnë lidhur për vite të tëra.

Unë u shkëputa nga muzika, pasi isha kërkues ndaj vetes, të gjithë synojnë të gjejnë një punë ku të paguhen më shumë, unë vendosa t’i hyj biznesit dhe deri tani them se kam qenë i suksesshëm, kam arritur diçka. Ai kushti jetik për të përballuar gjithë kërkesat e familjes është realizuar, kjo është e rëndësishme.

Të mungon skena?

Të jem i sinqertë, po. Më mungon shumë skena, sepse unë e kam të lindur nuk e fitova rrugës të kënduarin, por ja që kështu vjen rrjedha e jetës.

Po djemtë e tu e kanë trashëguar sadopak pasionin tënd për këngën, apo janë të fokusuar tek një pasion tjetër, noti?

Vërtet që dëshira ime ka qënë ta trashëgoja tek fëmijët e mi pasionin për muzikën, por asnjëherë nuk ua kam imponuar atyre apo t’ua ushqej atë që nuk kanë brenda vetes. Ata kanë prirje të tjera.

Djali i madh ka prirje elektronikën dhe gjeti vetveten. Jam shumë i lumtur që ia arrita kësaj dite.

Ndërsa djali i vogël mbase ka pak prirje për muzikën, por duke e parë që nuk është ndonjë zgjedhje e mirë të kënduarit në Shqipëri ku më tepër stresohesh se sa bën art, nuk i jemi vënë pas.

Janë shumë faktorë negativë për të cilat nuk më vjen mirë të flas. Përveç prirjeve profesionale që kanë, këtu i referohem të madhit, jam i lumtur që ju pëlqen dhe sporti i notit. Këtë lloj sporti, ata e fituan nëpërmjet asaj që kanë parë tek unë, pasi kam një dashuri të veçantë për detin, gjë që i bëri ata të pëlqejnë detin, notin dhe sot janë të federuar si djali i madh  dhe i vogli.

Ata frekuentojnë ekipin e Stelës ku janë kushtet më të mira, pishinat më të mira dhe një higjenë shumë të mirë. Rezultatet kanë qënë deri diku të mira, por jam i mendimit që njeriu nuk mund të jetojë me të ardhurat e sportit.

Në periudhën kur u bëtë i famshëm, cili ka qenë statusi juaj?

Në vitet ’97 kam qenë i martuar, ka qenë një periudhë ku asnjëri nuk e dinte çfarë do të ndodhte të nesërmen. Ishte tranzicion që nuk po kuptonin çfarë po ndodhte. As unë vetë nuk e mendova që do vlerësohesha aq shumë nga publiku me këngën e bananes, e cila mori dhe çmimin e parë në festival, por ja që mbeti në histori. Prandaj jam gjithmonë i mendimit që komisioni i vërtetë për një artist nuk është juria, por populli.

Çfarë mendon për artistët e rinj që dalin në treg? Si e sheh ti të ardhmen e tyre?

Të jem i sinqertë nuk më pëlqen të flas për të tjerët. Secili flet vetë nëpërmjet artit që bën. Mund të them se të kënduarit është pjesë e demokracisë, por është mirë që çdokush para se të marrë guximin të dalë në skenë të konsultohet më një artist vlej apo nuk vlej. Unë nuk mund të bëj kritikun e artit, por mund të them se muzika nuk është më ajo që ka qenë dikur. Artisti për mua është si puna e benzit, të cilit nuk i bëhet ndonjëherë reklamë, ai tregon vet veten e tij.

Një rikthim tëndin në skenë do ta kemi në të ardhmen?

Tani sa po vjen dhe preferencat po ndryshojë, pavarësisht që unë kam pas një rrymë të veçantë. E kam shumë të veshtirë një rikthim për shkak të ndryshimit të preferencave, pasi 70 % e njrëzve preferojnë muzikë që nuk ka shumë lidhje me atë që unë përfaqësoj. Më mirë preferoj të qëndroj në rolin e spektatorit dhe më vjen shumë mirë që u shkëputa në periudhën kur për mua si këngëtar ishte kulmi, pasi kështu do të mbahem mend shumë mirë.

Bob dhe Xhon, kanë ndonjë domethënie të veçantë emrat e djemve të tu?

Idhulli im gjith jetën ka qënë Bob Marley për hir  të së cilit i kam vendosur emrin dhe djalit të madh Bob Diko, ndërsa djali i vogël mban gjithashtu emër artistik Xhon, si Xhon Lenon të paktën të kujtojnë që babi ka qënë në muzikë prandaj na ka vendosur këto emra artistikë.

Të gjithë e kanë një pikë të dobët, cila është e jotja?

Fëmijët e mi!

Po pika e fortë?

Nusja ime. I vetmi njeri ku mund të trokas dhe një derë që më hapet gjithmonë kur trokas për një hall familjar. Nuk marr asnjë vendim pa u konsultuar me nusen time.

Ç’do të thotë për ty lumturi?

Nëse fëmijët e mi dhe gruaja ime gëzojnë shëndet të plotë, kjo për mua është lumturi. Nuk është e thënë që të kesh shumë lekë dhe të quash veten të lumtur. Mund të kesh një stres dhe ti nuk je i lumtur pasi ke një ndjesi frike nga mbrapa. Për momentin më mungon djali i madh i cili ndodhet në Amerikë.

Një mesazh për lexuesit..

Merruni me sport dhe kujdesuni për veten…/ Shendeti.com.al

 

 

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here