Eriola Çuko
Fëmijëve po u deformohet shtylla kurrizore si rrjedhojë e rëndesës së çantave dhe lojrave në celular. Shqetësimi vjen nga specialistët e shëndetësit publik, të cilët japin dhe udhëzime për mjekët e shkollave për parandalimin e këtyre deformimeve. “Kirurgët pohojnë se numri i fëmijëve midis moshës 8 – 18 vjeç, të cilët ankohen për dhimbje të mesit, pasojë e deformimeve të shtyllës kurrizore, po rritet”, thotë Enida Xhumari, Specialiste e Higjenës dhe Promocionit në Ministrinë e Shëndetësisë. Ajo përmend në këtë drejtim zhvillimin e problemeve spinale, siç është dëmtimi i disqeve të shtyllës kurrizore, si rrjedhojë e qëndrimit (postures) jo të drejtë. “Është i rëndësishëm depistimi i fëmijëve për qëndrimet e shëndetshme në parandalimin e deformimit të shtyllës kurrizore. Ekspertët konfirmojnë se adoleshentë po shfaqin gjithmonë e më shumë deformime të shtyllës kurrizore, rrjedhojë e modernizimit të shoqërisë civile”, thekson Xhumari.
Ky fenomen modern, i cili shkakton deformim të shtyllës kurrizore dhe në disa raste hernie diskale, skoliozë, vjen si rezultat i mbajtjes së çantave të rënda, apo luajtjes për orë të tëra me celular apo lojra elektronike. Ekspertët thonë që nuk ka asnjë diferencë midis një personi që punon me orë të tëra në fabrikë, ashtu edhe një fëmijë që kalon mbi 8 orë duke loajtur me lojra elektronike, ndaj dhe vëmendje e veçantë i duhet kushtuar qëndrimit korrekt gjatë gjithë aktiviteteve ditore.
Dhimbja e kurrizit jospecifike shtohet me rritjen e moshës dhe është më e shpeshtë, tek vajzat se sa tek djemtë. Gjithsesi, dhimbja e mesit është shumë më e shpeshtë tek të rriturit se sa tek fëmijët. Më pak se 30% e fëmijëve e adoleshentëve ankohen për dhimbje mesi dhe fare pak shkojnë te mjeku për këtë dhimbje. Ndërkohë, ky problem është më shumë evident tek fëmijët në moshën, 8 – 18 vjeçare.
Këshilla për mjekët e shkollave dhe prindërit
Një rol thelbësor luajnë dhe mjekët e shkollave si dhe mësuesit e aktivitetit fizik në shkolla, të cilët duhet t’i drejtojnë më shumë rreth aktiviteteve fizike, si futboll, karate, hedhje. Këto do të shënonin një diferencë të madhe në jetën e tyre të përditshme, shton Xhumari.
Ndërkohë që mjekët duhet të kenë parasysh gjatë depistimit një vlerësim i mirë klinik për shumicën e shkaqeve të dhimbjes, ndërkohë që është e rëndësishme të merret një histori e kujdesshme për dhimbjen.
Xhumari thotë se prindërit duhet të jenë shumë të kujdesshëm me fëmijët e tyre, duke u tërhequr vëmendje të mbajnë pozicionin drejt të trupit si gjatë ngrënies së vakteve, ashtu edhe gjatë ushtrimit të detyrave të shkollës. Ndërkohë, një këshillë e vlefsheme, duke pasur parasysh dhe mungesën e aktiviteteve fizike, prindërit këshillohen të regjistrojnë fëmijët minimalisht dy herë në javë në aktivitete fizike jashtëshkollore, si sporte të ndryshme sipas grupmoshës, not, futboll, basketboll, karate, balet, tenis. “Mos lejoni që fëmija juaj, të shtrihet në divan apo krevat gjatë kohës që shikon TV apo loz me lojra elektronike, ndërkohë që nuk duhet të rrinë me orë të tëra para TV pa lëvizur”, këshillojnë specialistët, sipas të cilëve, fëmijët është e këshillueshme të shkojnë vetë në shkollë, pasi e ecura është një pjesë e rëndësishme e regjimit ditor të aktivitetit fizik.
Mbajtja e çantës ka një rëndësi të veçantë gjithashtu. Specialistët vënë theksin tek përdorimi i çantave me rrota, ose përdorimi të dy krahët e çantës në mënyrë që ngarkesa të shpërndahet në mënyrë të barabartë në të gjithë trupin.




