Diabeti dhe ndërlikimet e zemrës, trurit e këmbëve

Dr. Isuf Kalo duke folur për gazetën “Shëndet+”

Dr. Isuf Kalo, endokrinolog

Diabeti i sheqerit është një sëmundje e vetme, dhe karakterizohet nga çrregullimi i prodhimit të insulinës. Ky çrregullim ndodh në dy mënyra: 1. mungesë e plotë e prodhimit të insulinës dhe 2. prodhim i pamjaftueshëm i saj.

Pikërisht këto dy mënyra krijojnë dy forma, apo dy tipe të ndryshme të diabetit, diabetin tip I ose insulinovartës dhe diabetin tip II ose joinsulinovartës.

Diabeti tip I haset në rreth 20 për qind të të sëmurëve me diabet (1 ndër 5 të sëmurë). Ai karakterizohet nga mungesa absolute e insulinës. Pankreasi i këtyre të sëmurëve nuk prodhon pothuajse fare insulinë. Dihet se pa insulinë organizmi nuk mund të jetojë. Pra, jeta e këtyre të sëmurëve është detyrimisht e varur nga insulina që do të marrin me anë të injeksioneve të përditshme. Prandaj ky tip diabeti është quajtur insulinovartës. Këta të sëmurë, që të jetojnë, duan apo s’duan, detyrohen të bëjnë patjetër mjekim me insulinë.

Diabeti tip I vërehet kryesisht te fëmijët e në gjithë moshën e re deri 40 vjeç, por dhe tek ata të rritur që janë me peshë trupore normale ose të ulët. Ky tip diabeti zhvillohet në përgjithësi shpejt e zbulohet me lehtësi, sepse ai shoqërohet me shenjat klinike karakteristike, që e shqetësojnë të sëmurin dhe e çojnë te mjeku apo e detyrojnë të bëjë analizat. Analizat dalin të çrregulluara. Glicemia, si esëll, dhe pas buke, është e lartë dhe glukozuria është pozitive.

Gjendja e të sëmurëve brenda një kohe të shkurtër (për disa ditë apo muaj) rëndohet dhe, në qoftë se nuk fillohet në kohë mjekimi me insuIinë, shfaqet koma diabetike, acidoketozike, që u rrezikon atyre jetën.

Diabeti tip II është rreth 4 herë më i shpeshtë. Ai haset në rreth 80 për qind të rasteve me diabet. Në këta të sëmurë pankreasi prodhon insulinë, por jo në sasinë apo kohën e duhur. Ndonjëherë prodhimi “global” i insulinës mund të jetë dhe normal, por ajo nuk arnin të japë efektin e duhur se pengohet në veprimin e saj nga kundërshtarë të tillë si dhjami i tepërt, çrregullime të “bravave” në “portat” e qelizave etj. Këta të sëmurë, kuptohet, nuk kanë pse të mjekohen me insulinë, sepse insulinën ata e kanë. Mjekimi më i logjikshëm i tyre duhet të jetë “çbllokimi” i insulinës së trupit nga faktorët që e pengojnë të veprojë. Këta të sëmurë duhet me doemos të eleminojnë peshën e tepërt, dhjamin, i cila i “lidh duart” insulinës së tyre. Pa u bërë kjo, është e kotë çdo përpjekje për mjekim tjetër, qoftë në formë kokrrash, qoftë dhe me injeksione insuline.

Diabeti tip II, në ndryshim nga i pari, shfaqet zakonisht pas moshës 40 vjeç. Ai përparon shumë ngadalë, shpeshherë i heshtur, pa dhënë shenja për shumë vjet me radhë. Si i tillë dhe zbulohet më me vështirësi, jo vetëm se i sëmuri s’ka shenja e shqetësime, por dhe se analizat shumë herë nuk janë të çrregulluara. Glukozuria në përgjithësi është negativ (nuk kanë sheqer në urinë) dhe analiza e glicemisë, po të bëhet vetëm në gjendje esëll, mund të dalë normal, apo fare pak e rritur. Vetëm glicemia e bërë pas buke ose pas pirjes së një sasie sheqeri mund të zbulojë këtë diabet, që ka një pamje, në dukje, të heshtur e të butë.

Por, pavarësisht se këto dy forma, dy tipe të diabetit, duken fare të ndryshme nga njëri-tjetri, prapëseprapë ata përfaqësojnë të njëjtën sëmundje. Kjo jo vetëm se njëra formë me kalimin e kohës mund të kalojë në formën tjetër, por dhe se pasojat e rreziqet e largëta, ndërlikimet në sistemin vaskular, zhvillohen në të dy format me të njëjtat veçori e bëjnë të njëjtat dëme.

Secila formë kërkon mjekimin e saj. Nuk është në dorë as të mjekut dhe as të të sëmurit që të zgjedhë e aq më pak të diktojë mjekimin që duhet bërë.

Cila nga këto dy forma është më e lehtë e më e mirë për të sëmurin? Cilët diabetikë mund të quhen me me “fat”? Është me të vërtetë e vështirë ta thuash. A është më vështirë të bësh çdo ditë injeksionet e insulinës, apo është akoma më vështirë të durosh urinë për një kohë shumë të gjatë, derisa të arrish të ulësh peshën e trupit?

Në të dy format, me sa duket, kërkohen sakrifica, durim dhe disiplinë. Në qoftë se këto neglizhohen, në të dy format krijohen të njëjtat pasoja, dëmtime dhe ndërlikime të rënda. Është pra e njëjta sëmundje, e cila pavarësisht nga forma, nuk përkëdhel njeri, por, përkundrazi, dëmton njësoj.

Diabeti tip I apo tip II? Vështirësitë e rreziqet janë pothuaj krejt të barabarta. Sidoqoftë, duhet kuptuar njëherë e mirë së forma apo lloji i mjekimit nuk varet nga ne. Ato diktohen nga mënyra si zhvillohet sëmundja në individë të ndryshëm e të veçantë. Për fat të keq janë të shumtë të sëmurët që nuk arrijnë ta kuptojnë këtë dhe vënë së koti jetën e tyre në rrezik. (Doktor, vetëm injeksion jo. Ta provojmë njëherë me kokrra. Ja, p.sh., ky shoku i dhomës…)

As mjeku dhe as i sëmuri nuk ndryshojnë e nuk zgjedhin dot tipin e diabetit, as llojin e mjekimit të tij. Por ata, veçanërisht i sëmuri, kanë në dorë t’i ndryshojnë diabetit formën në një tjetër. Ata kanë në dorë ta bëjnë diabetin (pavarësisht nga tipi apo lloji i mjekimit) të jetë i formës së ekuilibruar ose, përkundrazi, të jetë diabet i çrregulluar, i pakontrolluar.

 

Diabeti quhet i ekuilibruar, i kontrolluar, kur në sajë të mjekimit korrekt e të kujdesshëm arrihet të mbahet glicemia brenda niveleve normale, jo një e dy ditë, por në mënyrë të vazhdueshme, gjatë gjithë jetës. Dhe kjo jo vetëm në gjendje esëll apo para ngrënies, por edhe mbas ngrënies, në të gjitha orët e ditës e të natës.

Në të tilla kushte kuptohet se glukozuria është gjithmonë negative. Po të mbahet kështu ekuilibri, të sëmurët jo vetëm nuk do të ndiejnë asnjë shqetësim; por ata janë të mbrojtur në mënyrë të sigurt nga tërë ndërlikimet e diabetit. Të sëmurët me diabet të ekuilibruar jetojnë e arrijnë të plaken njësoj me njerëzit normalë pa diabet. Pikërisht këta të sëmurë mund të quhen me “fat”.

Diabeti quhet i disekuilibruar, i pakontrolluar, kur analiza e glicemisë luhatet vazhdimisht në shifra të larta dhe glukozuria është pozitive.

Këta të sëmurë, kush më shumë e kush më pak, kanë shenja e shqetësime të ndryshme e patjetër një ditë u shfaqen ndërlikimet aq të rrezikshme të diabetit. Këto ndërlikime ndodhin edhe kur shifrat e shenjat e diabetit nuk janë kaq të dukshme, mjafton që glicemia të mbetet prapëseprapë me e lartë se norma, qoftë dhe vetëm në disa orë të ditës apo të natës.

Do të ketë apo jo “fat” i sëmuri, pra, do të ketë diabet më të rëndë apo më të lehtë, kjo varet jo nga tipi i diabetit, as nga lloji i mjekimit (me kokrra apo me insulinë), por nga rezultati konkret që arrihet në mjekim. Nëse të sëmurët arrijnë të ekuilibrojnë diabetin e ta mbajnë kështu vazhdimisht nën kontroll, ata do të jenë me siguri “fatmirë”. Nëse, përkundrazi, e lënë veten në shumicën e kohës me hiperglicemi e me glukozë në urinë, duhet të presin aksidente në shëndetin e tyre. Edhe një herë tjetër bëhet e qartë se sa vendimtar është roli i të sëmurit për të mbrojtur veten. Është ai që e ka në dorë të dëmtohet apo të mos dëmtohet nga diabeti, të shfaqen apo të mos shfaqen ndërlikimet e tij.

Ndërlikimet arteriosklerotike në arteriet e mesme e të mëdha

Ndryshe nga dëmtimet e mësipërme në kapilarë, që janë tipike e karakteristike vetëm për diabetin, ndërlikimet në arteriet me kalibër më të madh krijohen edhe nga një sërë faktorësh të tjerë. Arterioskleroza është një proces që krijohet nga ndikimi i përbashkët dhe nga mpleksja e një sërë faktorësh favorizues, si dhjamosja e tepërt, tensioni i lartë i gjakut, yndyrnat e tepërta në gjak, nikotina e duhanit, emocionet e ankthi i vazhdueshëm, puna ndënjur, jeta pa lëvizje fizike, trashëgimia etj.

Ndër këta faktorë një vend të veçantë zë edhe diabeti, i cili, qoftë direkt, qoftë dhe tërthorazi (duke rënduar e fuqizuar disa nga faktorët e mësipërm), është një ndër bashkautorët kryesorë për krijimin dhe formimin e pllakave arteriosklerotike. Këto pllaka formohen e zmadhohen brenda murit të arterieve dhe një ditë bëhen shkak për pengimin e qarkullimit të gjakut në to apo bllokimin (shtuposjen) e plotë të tubit arterial.

Arterioskleroza shkakton aksidente e vdekje kaq të shumta, sa sot për sot quhet “murtaja e shekullit” tonë. Ajo është e para në listë si shkaktare e vdekjeve, sidomos të atyre të papritura. Arterioskleroza zhvillohet edhe në njerëz që nuk janë me diabet, por është fakt klinik dhe statistikor që diabetikët preken prej saj shumë më shpesh, në moshë më të re e në formë më të rëndë se sa personat që nuk kanë diabet. Pra, diabeti favorizon e rëndon zhvillimin e arteriosklerozës dhe kjo nga ana e saj krijon dëme dhe aksidente shumë të rënda.

Kujdes! Jo çdo diabet i krijon këto ndërlikime, por vetëm diabeti i neglizhuar, i pamjekuar ose i mjekuar keq.

Rikujtoni të sëmurin 45-vjeçar që morëm më lart si shembull. Diabeti i tij është i sapodiagnostikuar. Por sa vjet më parë ka ekzistuar e vepruar ai i fshehur? I sëmuri, veç diabetit, është i dhjamosur, me peshë të lartë. Pra u bënë dy faktorë dëmtues. Njëkohësisht ai është nëpunës, bën jetë pa sforcime fizike, nuk merret me aktivitet fizik dhe sport. Të gjithë këta janë faktorë nxitës që shtohen. Po të ketë dhe tensionin e gjakut të lartë? Yndyrnat e gjakut të rritura (“Të famshmen kolesterinë”)? Po në qoftë se pi dhe duhan?. . . (Të këqijat vijnë së bashku, apo i mbledhim e i bashkojmë ne vetë?!). Kështu ndërthuren tek i njëjti njeri, përveç diabetit, dhe një sërë faktorësh të tjerë, të cilët së bashku krijojnë arteriosklerozën.

Diabeti dhe arterioskleroza janë dy sëmundje njësoj tinzake dhe të rrezikshme, sepse për një kohë të gjatë të dyja rrinë të fshehura e të heshtura. Në diabet rritet sheqeri në gjak, ai dëmton për vite me radhë kapilarët e gjakut, por as ndihet e as dhemb.

Në arteriosklerozën rriten yndyrnat në gjak. Ato ndërtojnë gjatë shumë vjetëve, brenda arterieve, pllakat e gjera e të trasha, por gjithçka bëhet ngadalë e pa zhurmë. Ndërkohë i sëmuri është i kënaqur me gjendjen e tij “si molla e kuqe”. T’i thuash një personi të tillë: Je i sëmurë, duhet të mjekohesh!, ai natyrisht nuk të beson (“Ore, me këta doktorët duhet pasur kujdes, se për nder të çmendin!”).

Megjithatë, një i sëmurë i tillë është me të vërtetë në rrezik serioz. Një ditë (si papritur), ai gjendet i shtruar urgjent në sallën e reanimacionit: infarkt i miokardit. Hemorragji apo trombozë cerebrale. (“Si është e mundur?! Unë dje e takova, pimë dhe kafe bashkë! Ishte kaq mirë! Ai s’është ankuar kurrë, s’ka pirë një herë një aspirinë”).

Në sallat e reanimacionit shumicën e herëve jeta arrin të shpëtohet. Por le të imitojmë një herë Shvejkun: “Marr guximin t’ju pyes;” A nuk do të ishte më mirë që masat të merreshin në kohë dhe aksidenti të mos ndodhte?

Le të vihemi një çast në rolin e hetuesit. Si ndodhi aksidenti? Vërtet ishte kaq “i shpejtë”, “i paparashikuar” dhe “i papritur”?

Postime të ngjashme

5 ushqime që mund të bëhen të rrezikshme nëse nuk gatuhen siç duhet
AKU bllokon çokokremin "Nudossi" me përmbajtje salmonele
Gjendet helm minjsh në ushqimin për bebe, tërhiqen nga tregu kavanozët me pure
Turqia, destinacion global për shërbime mjekësore: Anadolu Medical Center, lider në këtë rrugëtim
Gjashtë këshilla të provuara shkencërisht për një tru të shëndetshëm
Trajtimi psikosocial dhe shëndetësor i dhunuesve: hallka e munguar për thyerjen e ciklit të dhunës
Përdorimi i bimëve mjekësore në trajtimin e çrregullimeve të sistemit tretës
 Nga bananet te çokllata e zezë, 6 ushqime që ulin nivelet e stresit