Bisedoi: Elona Tereziu
Retinopatia diabetike përbën një nga komplikacionet më të shpeshta të diabetit. Sipas studimeve, rreth 85-90 % e pacientëve me diabet preken nga retinopatia diabetike gjatë 20 viteve nga momenti i diagnostikimit. Në stadet e para, shfaqja e sëmundjes është asimptomatike, por me progresin pacientët mund të ndiejnë shqetësime të tilla si: turbullim i shikimit, vështirësi në përcaktimin e ngjyrave, njolla të zeza apo edhe humbje të pjesshme të fushës vizive. Blerina Kambo, mjeke oftomatologe tregon për gazetën “Shëndet plus”, faktorët e rrezikut për shfaqjen e kësaj patologjie ku rendit kohëzgjatjen e sëmundjes së diabetit, nivelin e lartë të sheqerit në gjak, hipertensionin, obezitetin, sëmundjet infektive dhe inflamatore, shtatzëninë apo edhe faktorë të tillë si duhani e alkooli.
Çfarë është retinopatia diabetike?
Retinopatia diabetike është sëmundje e syrit, konkretisht e retinës dhe enëve të saj të gjakut e shkaktuar nga diabeti. Rritja kronike e sheqerit në gjak tek pacientët diabetikë shkakton dëmtim të enëve të gjakut në retinë dhe si rrjedhim edhe dëmtim të indit të saj. Dëmtimi mund të shfaqet me hemorragji në retinë ose me edemë ( grumbullim lëngu në shtresat e retinës) . Duke qenë se retina e syrit është e ndërtuar nga qeliza sensitive, nervore të cilat presin, konvertojnë dhe përcjellin impulset e dritës duke bërë të mundur aktin e të pamurit, dëmtimi i saj nga diabeti shkakton humbje të parikthyeshme të shikimit tek grup popullata e prekur nga diabeti. Retinopatia diabetike është shkaktari kryesor i humbjes së shikimit në popullatën e rritur aktive (20-74 vjeç) sipas statistikave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Cilët janë dëmtimet që shkakton diabeti në sy?
Dëmtimet që shkakton diabeti në sy në varësi të lokalizimit, anatomisë së syrit janë si më poshtë:
- Retinopatia diabetike – kur dëmtimet ndodhin në segmentin posterior të syrit, në retinë
- Katarakta – perdja e syrit, kur dëmtimet shkaktojnë turbullim të lentës natyrale ose kristalinit të syrit
- Glaukoma – rritje e tensionit të syrit dhe dëmtim i vazhdueshëm i nervit optik e cila mund të çojë në verbim të pacientit kur nuk diagnostikohet dhe trajtohet në kohë.
Sa përqind e pacientëve me diabet preken nga retinopatia diabetike?
Sipas statistikave të studimeve mbi diabetin dhe retinopatinë diabetike 85-90 % e pacientëve me diabet preken nga retinopatia diabetike, gjatë 20 viteve nga momenti i diagnostikimit me diabet. Kjo statistikë është në varësi të kohës që pacienti vuan nga diabeti. Dëmtimet e para në retinë ndodhin pas një periudhe 4- 5 vjet nga diagnostikimi i sëmundjes së diabetit. Gjatë kësaj kohe rreth 26 – 30 % të pacientëve me diabet diagnostikohen me retinopati diabetike. Statistikat tregojnë rritje deri në 65 % të incidencës së retinopatisë diabetike tek pacientët që vuajnë prej 10 vitesh nga diabeti.
A janë njësoj të rrezikuar si pacientët me diabeti tip 1 dhe ata me diabet tip 2?
Pacientët që vuajnë nga tipi 1 i diabetit preken nga forma proliferative e retinopatisë diabetike, e cila nëse nuk trajtohet në kohë çon në humbje të shpejtë dhe të parikthyeshme të shikimit. Kjo formë e retinopatisë karakterizohet nga hemorragji të përsëritura në sy deri në shkëputje të retinës si komplikacion nga mos trajtimi në kohën e duhur. Pacientët me tip 2 të diabetit janë të rrezikuar më tepër nga makulopatia diabetike (dëmtimi i makuls, pjesës centrale të retinës). Tek këta pacientë ulja e shikimit ndodh në mënyrë graduale, progresi i sëmundjes është më i ngadaltë por nëse nuk trajtohet rezultati është po i njëjtë,humbje e parikthyeshme e shikimit.
Cilët janë faktorët e rrezikut për shfaqjen e retinopatisë diabetike?
Faktorët e rrezikut për shfaqjen dhe progresin e retinopatisë diabetike janë:
Kohëzgjatja e diabetit
Hyperglicemia
Hipertension
Hiperlipidemia dhe obeziteti (rritje e kolesterolit dhe yndyrnave të tjera në gjak)
Puberteti (faktor risku për tipin 1 të diabetit)
Shtatzënia (faktor risku për zhvillimin e retinopatisë diabetike te pacientet me tipin 1 të diabetit)
Sëmundjet infektive dhe inflamatore
Duhani dhe alkooli
Faktori gjenetik
Cilat janë simptomat e retinopatisë?
Shfaqja e retinopatisë diabetike në stadet e para është asimptomatike ( pa simptoma klinike), ndryshimet ndodhin në nivelin e mikrokapilarëve të retinës, të cilat janë të mundura të diagnostikohen.
Me progresin, përkeqësimin e sëmundjes shfaqen simptomat e mëposhtme:
Pika të zeza shiu në shikim
Shikim i turbullt
Vështirësi në përcaktimin e ngjyrave
Njolla të zeza ose humbje të pjesshme të fushës vizive (skatoma), turbullime në forma të ndryshme të cilat lëvizin me shikimin, kryesisht pacientët i përshkruajnë si miza fluturuese ose rrjeta merimange, vështirësi në shikim larg dhe afër deri në humbje të shikimit.
Çfarë ekzaminimesh duhet të bëjnë këta pacientë për të ditur nëse janë të prekur nga retinopatia?
Retinopatia diabetike mund të diagnostikohet me ekzaminim rutinë (fundoskopi) përmes secilës arrihet vizualizim i retinës dhe enëve të gjakut në kohë reale. Pacientët e diagnostikuar me diabet rekomandohet që së paku 1 herë në vit të kryejnë fundoskopi të syrit. Për pacientët e diagnostikuar me retinopati diabetike kontrolli është edhe më i shpeshtë, çdo 3 muaj, në mënyrë që të parandalohen në kohë komplikacionet e mundshme. Për të përcaktuar mënyrën e trajtimit dhe diagnostikim të detajuar përdoren ekzaminime specifike si : tomografia optike retinale OCT dhe angiografia me fluoresceine e retinës FAG.
OCT është një ekzaminim jo invaziv, përmes së cilës analizohen në mënyrë kompjuterike të gjitha shtresat e retinës dhe proceset patologjike që mund të ndodhin në të si: hemorragji, eksudate, edema të retinës si rrjedhim i diabetit .
Angiografia është një ekzaminim invaziv i cili kryhet përmes një substance kontrasti, që injektohet në venat periferike dhe përmes analizës komjuterike në ekran merret informacioni i duhur në lidhje me dëmtimet e mundshme të enëve të gjakut dhe retinës.
Hemorragjitë intravitrale, shkëputja e retinës dhe glaukoma janë komplikacionet të cilat vijnë si rrjedhim i mostrajtimit në kohë të retinopatisë diabetike. Të treja këto komplikacione mund të çojnë në humbje të parikthyeshme të shikimit.
Trajtimi i retinopatisë diabetike konsiston në përdorimin e lazerit të retinës – Laser fototkoagulim panretinal ose i pjessshëm dhe injeksionet intravitreale me medikamente specifike të cilat bllokojnë faktorin e rritjes se mikrovazave patologjike.
Qëllimi i trajtimit është parandalimi i shtimit të vazave patologjike të gjakut në retinë të cilat shkaktojnë komplikacionet e sipërpërmendura dhe humbjen e shikimit. Në rastin e komplikacioneve si, hemorragjitë e përsëritura dhe shkëputja e retinës është e nevojshme kirurgjia vitreo- retinale.
Si mund të parandalohet?
Parandalimi i retinopatisë diabetike do të thotë diagnostikimi dhe trajtimin në kohë i retinopatisë diabetike. Fundoskopia, përcaktimi i nivelit të glicemisë dhe hemoglobinës së glukozuar në gjak janë ekzaminime jo vetëm diagnostikuese por edhe prognozuese për efektin e trajtimit të caktuar./ Shendeti.com.al





