Diabeti gjatë shtatzënisë, si ndikon tek bebi?

Elton Peci, gjinekolog

Shumica e shtatzënave me diabet gestacional do të kenë bebe të shëndetshme në lindje nëse diabeti i shtatzënisë diagnostikohet në kohë. Kjo sepse nivelet e glicemisë (glukoza në gjak) do të mbahen në kontroll. Në rast të kundërt, nivelet e larta të glukozës do të kalojnë placentën dhe do të hyjnë në qarkullimin e gjakut të bebit. Kjo do të rrisë rrezikun që bebi të rritet në peshë përtej normës (bebe makrozom).

Një beb i madh mund të vështirësojë lindjen dhe për pasojë të rrisë rreziqet për komplikacione serioze. Në raste të rralla (ekstreme) këto komplikacione mund të sjellin vdekjen e bebit gjatë lindjes. Një tjetër komplikacion është edhe polihidramnios (sasi më e madhe se norma e lëngut amniotik – ujrave të bebit). Prandaj është e rëndësishme që nivelet e glukozës të mbahen në nivelet normale.

Si ndikon diabeti i shtatzënisë në momentin e lindjes?

Diabeti i shtatzënisë mund të shfaqë shpesh komplikacione gjatë lindjes. Ndër komplikacionet që mund të shkaktojë ai, përmendim:

  • Lindje premature (para kohe).
  • Zgjatje të aktivitetit të lindjes.
  • Vuajtje fetale (suferincë fetale) kronike apo edhe akute (psh gjatë lindjes).
  • Laceracione cervikale / vaginale / vulvare të nënës gjatë lindjes.
  • Hemorragji postpartum.
  • Distoci të shpatullave.

Për të shmangur shumicën e këtyre komplikacioneve, shpeshherë indikohet lindja me stimulim kur bebi ka mbushur 38 javë apo lindja me operacion cezarian.

Si ndikon diabeti i shtatzënisë pas lindjes së bebit?

Bebi i sapolindur mund të shfaqë hipoglicemi (ndërkohë që trupi i tij mundohet të prodhojë sasinë e duhur të insulinës) dhe ikter. Mund të jetë e nevojshme që nivelet e glicemisë së bebit të monitorizohen për disa ditë në njësinë e neonatëve (kjo nuk do të thotë që bebi ka ndonjë problem serioz). Gjithashtu, në rast se lindja ka ndodhur para kohe, atëherë mund të të jetë e nevojshme që bebi të kalojë në njësinë e neonatëve për disa ditë përpara se t’i besohet përfundimisht nënës. Bebet e lindura nga nëna me diabet gestacional janë më të rrezikuar të shfaqin obezitet dhe diabet tip 2 gjatë jetës së tyre.

A do të vazhdojë diabeti edhe pas lindjes?

Kërkohet gjithnjë një kontroll tjetër i glicemisë pas 6 javëve nga lindja. Në shumicën e rasteve glicemia do të jetë normale. Megjithatë në 20% të lehonave pas një shtatzënie me diabet gestacional, diabeti në të vërtetë ka qenë instaluar që përpara shatzanisë. Kështu që një pjesë e tyre do të kenë diabet edhe 6 javë pas lindjes./ Shendeti.com.al

Postime të ngjashme

3 gjëra që duhet të bëni për të pasur lëkrë me shkëlqim
Zakonet që do t'ju "shpëtojnë" nga fryrja e barkut
5 mite dhe të vërteta rreth sëmundjeve venoze
“Sterilizimi”/ Shtyhet gjyqi për ish-ministrin Ilir Beqaj, ja kur do të mbahet seanca e radhës
Asambleja e OBSH, ministrja Sala prezanton prioritetet e Shqipërisë në shëndetësi
Polifenolet: Sekreti i të ushqyerit të shëndetshëm dhe mirëqenies
'Çohu o dreq mos bëj si e sëmurë'/ Infermierja te Psikiatria keqtrajton pacientët, reagon QSUT: Rast i papranueshëm, janë marrë masa për punonjësen
Qetësia mendore në punë: 6 mënyra për të ulur stresin dhe për t’u përqendruar