Përshtati në shqip për Shëndeti Online dhe gazeta Shëndet+: Blertina Koka
Kur vjen puna për të humbur në peshë, shumë prej nesh shqetësohemi për kaloritë që marrim, por një eksperte thotë se është koha të fokusoheni diku tjetër.
Sipas dietologes Alexandra Miller, fokusi juaj duhet të jenë proteinat.
Pse? Konsumi i mjaftueshëm i proteinave është i domosdoshëm për suksesin tuaj në humbjen në peshë pasi zgjat më shumë ndjesinë e ngopjes, riparon indin muskulor dhe ngre nivelet e energjisë.
Sa shumë duhet të konsumoni?
Duke folur për Pop Sugar, Miller zbuloi se ndërkohë që trupi dhe dieta e çdokujt është e ndryshme, ekziston një formulë magjike për marrjen e proteinave që mund t’ju ndihmojë të shpëtoni nga kilogramët e tepërt.
“Nevoja për proteina bazohet në peshën trupore, ose në disa raste në një përqindje kalorish. Por, si rregull, minimumi i lejueshëm i rekomanduar dietik për proteinat është rreth 0.4 g proteinë për 500 g për gratë”.
Nëse doni të dobësoheni, Miller rekomandon ta rrisni me rreth 50%.Kjo do të thotë që për çdo 500 gramë, duhet të hani 0.54 deri në 0.68 gramë proteina çdo ditë.
Miller insiston që ky ndryshim në shtimin e gramëve të proteinave “do t’ju ndihmojë në ruajtjen e masës muskulore gjatë rënies në peshë, sidomos nëse bëni edhe stërvitje”, si dhe ju ndihmon të kontrolloni më mirë oreksin.
Ajo rekomandon gjithashtu t’i merrni proteinat nga burime që janë të pasura edhe me lëndë të tjera ushqyese, si vitamina, minerale etj, që janë të domosdoshme për trupin. Në këtë rast, mishi i pulës, të bardhat e vezëve, qumështi, peshku, frutat e thata etj janë shumë të mira dhe të shëndetshme.
Burimi: Independent / https://shendeti.com.al/


