Din Abazaj: Sistemi ynë shëndetësor, me drejtues të paaftë

Vështirësia më e madhe për ta sjellë Urdhrin e Mjekut deri këtu, ka qenë mungesa e bashkëpunimit dhe partneritetit me administratën shtetërore. Është tendenca e tyre për ta pasur Urdhrin nën kontroll, gjë që është e patolerueshme

Denisa Canameti 

Din Abazaj, tashmë ish-president i Urdhrit të Mjekut, e mbajti këtë post për dy mandate radhazi. Vetëm para disa ditësh ai e dorëzoi detyrën e tij për t’ia kaluar pasardhësit Fatmir Brahimi. Në një intervistë për lexuesin e gazetës “Shëndet+”, Abazi tregon karrierën e tij të gjatë në krye të këtij institucioni, marrëdhëniet aspak të lehta me instancat.

Dine Abazi 21 prill 2015 (3)Sipas nenit 9 të ligjit Nr. 123/2014 për Urdhrin e Mjekëve në Republikën e Shqipërisë, Urdhri i Mjekëve gjatë veprimtarisë së tij bashkëpunon me ministrinë përgjegjëse për shëndetësinë dhe institucionet e saj vartëse, si dhe me ministritë, institucionet qendrore, institucionet e arsimit të lartë dhe organizma të tjerë, publikë ose jopublikë, të krijuara sipas legjislacionit në fuqi. Pikërisht kjo marrëdhënie bashkëpunimi e rregulluar me ligj konsiderohet edhe si një ndër hallkat më shqetësuese për ish-presidentin. Sipas tij, është bërë një përpjekje e madhe për ta shkëputur Urdhrin e Mjekut nga varësia e Ministrisë së Shëndetësisë, pasi autonomia e institucionit është kryesor për mbarëvajtjen e tij.

Abazaj tregon për sfidat e presidentit të ri, çështjen e gjuhës së mjekëve të huaj që vijnë në Shqipëri etj. Në këtë intervistë të ish-presidentit do të mund të lexoni disa pikat kryesore që ai edhe i analizoi në deklaratën e mbajtur ditën e dorëzimit të mandatit.

Doktor, pati ndërhyrje të politikës në këto zgjedhje?

Po, pati shumë ndërhyrje, shumë presione atë ditë, telefonata pa fund. Edhe pse Urdhri i Mjekut është i depolitizuar, është i pavarur nga administrata shtetërore, është i pavarur nga politika. Megjithatë, them se është zgjedhur ai që duhet të ishte.

Sa mandate qëndruat në krye të Urdhrit?

Kam qëndruar 2 mandate. Por e kam mirëpritur ndryshimin. Edhe nëse do të më propozohej një tjetër mandat, unë do të kisha hequr dorë. Rezaurohet njeriu. Jam gati t’u jap përvojën time këtyre që do të vijnë mbrapa. Por nuk do të kandidoja.

Si do ta vlerësonit eksperiencën tuaj si President i Urdhrit të Mjekut?

E kemi pasur shumë të vështirë. Kur erdhëm në krye të këtij institucioni, kishte shumë pak kohë që ishte ngritur. Urdhri i Mjekut nuk ishte i njohur në praktikën e mjekësisë sonë. Ishte shumë e vështirë që të organizohej dhe të funksiononte. E kemi gjetur të shpërbërë, pa këshill rajonal, pa asnjë lloj funksioni. Ishim të futur në një qoshe, atje në spital.

Ligji që e krijonte Urdhrin e Mjekut, e bënte të varur nga Ministria e Shëndetësisë. Urdhri i Mjekut të Francës që kishte marrë përsipër ta ndihmonte këtë insitucion në organizimin e tij, tha që ishim një hallkë e Ministrisë së Shëndetësisë, si të tillë nuk mund të konsideroheshim institucion i mirëfilltë.  Autonomia dhe marrëdhëniet ndërkombëtare janë të domosdoshme. Kështu ngritëm këshillin, krijuam ligjet duke u ndihmuar edhe nga homologët tanë.

Përmendët pak politikën… A duhet të jetë e lidhur shëndetësia me politikën, a është e lidhur dhe pse folët për presione politike?

Vështirësia më e madhe për ta sjellë Urdhrin e Mjekut deri këtu, ka qenë mungesa e bashkëpunimit dhe partneritetit me administratën shtetërore. Është tendenca e tyre për ta pasur Urdhrin nën kontroll, gjë që është e patolerueshme. Po të ishim të tillë, nuk do të kishim mundur kurrë të lidhnim edhe marrëdhëniet me homologët jashtë, nuk do të kishim mundësinë të anëtarësoheshim në asnjë forum ndërkombëtar.

Por presioni i politikës ka vazhduar. Në këto zgjedhje kandidonte një person i futur nga Ministria e Shëndetësisë. Kemi pasur telefonata nga të gjithë drejtorët që ta votonin atë person, telefonata nga deputetë. Pavarësisht se kjo është shkelje flagrante.

Unë jam dakord që ministria mund të bisedonte me ne dhe të thoshte që është një person që është i nevojshëm. Të kandidonte në kushte të barabarta me të tjerët. Por një person i mbështetur nga forca politike, në një institucion shtetëror, e bën garën të jetë e pabarabartë.

Megjithatë, ne e futëm në kundërshtim me ligjin. Sepse personi duhet të jepte dorëheqjen nga forumet partiake, duhet të jepte dorëheqje nga drejtoria ku ishte dhe të kandidonte. Megjithatë e futëm për t’i treguar ministrisë që nuk kemi asgjë personale. Dhe ndodh që ai person mori vetëm 5 vota. Ky nuk është faji ynë.

Pse kjo tendencë e politikës për të ndërhyrë në ato hallka të sistemit shëndetësor që nuk i takon? Kështu, nëse iu referohemi rasteve të fundit, testimit të mjekëve, ju e keni thënë si dhe Presidenti i Urdhrit të Infermierit që Ministria me këtë nismë i tejkaloi kompetencat e veta.

Ne iu kundërvumë testimit me të drejtë. E para, nuk kishte asnjë bazë ligjore. E dyta, nuk kishte asnjë vlerë për ne. Thonin se do të bëjmë një fotografim të situatës për të ditur më pas ku do të organizohet puna. A mund të bëhet kjo me testim? Sigurisht që jo.

Sistemi i edukimit në vazhdim është ai që duhet organizuar në mënyrë të drejtë dhe të vazhdueshme. Bëjmë testim ne që të shikojmë se ku duhet të përqendrohet edukimi i vazhdueshëm? Është absurditet. Përveç kësaj, u denigrua figura e mjekut. Ka pasur raste kur kanë ardhur mjekët dhe na kanë thënë që janë pacientët ata që janë revoltuar, duke u shprehur : “Shkoni testohuni, pastaj hajdeni na vizitoni”. Një kundërvënie e tillë e Ministrisë së Shëndetësië është e pakuptueshme. Nuk e di si mund të rrijë ai ministër në atë detyrë, kur ata që përfaqëson i kundërvihen me forcë. Unë do kisha ikur. Me mjekët duhet të ketë parteritetin më të mirë, sepse në fund të fundit është ministri i këtyre mjekëve.

Në radhë të parë, ai duhet ta kishte biseduar me mjekët, përfaqësuesit e tyre, me Urdhrin e Mjekut.

E konsideroni si një lëvizje gabim testimin?

Nuk e di se kush ia këshilloi. Nuk e di nëse ministri ka këshilltarë. Nëse po, ka këshilltarë shumë të dobët.

Me ju u konsultua?

Jo, asnjëherë. Pati një reagim shumë emotiv, një kundërvënie që nuk i takonte Ministrisë së Shëndetësisë. Pasi ne ministrinë e kemi konsideruar gjithmonë partner startegjik.

Si mundet që dy institucione si Ministria e Shëndetësisë dhe Urdhri i Mjekut të kthehen në dy hallka që nuk “kombinojnë” me njëra-tjetrën? Sa e rëndësishme është për Urdhrin të bashkëpunojë me Ministrinë?

Është etike. Urdhri i Mjekut është një hallkë shumë e rëndësishme, sepse vetërregullon profesionin mjekësor. Mjekët janë baza e sistemit shëndetsor. Duhet të bashkëpunohet me mjekët. Dhe çdo reformë duhet të konsultohet me ta.

Në ditën e zgjedhjeve, një nga pretendimet e mjekëve tanë ishte që mjekët e huaj që vijnë në Shqipëri duhet të dinë shqip, ju si mendoni?

Mjekët tanë kur shkojnë jashtë, u kërkohet gjuha angleze. Pastaj, vajtja e mjekëve nga një shtet në një tjetër, është një e drejtë. Ne kemi vendosur rregulla në bazë të standarteve ndërkombëtare, në bazë të standarteve që përdorin të gjithë Urdhrat, pra homologët tanë. Çdo mjeku që vjen nga jashtë, i kërkohen detyrimisht një sërë dokumentesh.

  • Një nga më të rëndësishmit është ai i mirësjelljes nga Urdhri/Dhoma apo Shoqata e mjekëve të vendit të vet, ku vërtetohet se është i regjistruar, e ushtron profesionin dhe se nuk ka marrë masa ndëshkimore;
  • njësimin(konvalidimin) e diplomës dhe certifikatave të specializimeve të kryera prej tij/saj;
  • një rekomandim nga një specialist vendas i së njëjtës fushë, anëtar i Urdhrit të Mjekëve;
  • dëshmi të njohjes së gjuhës shqipe, të vërtetuar nga një autoritet i licencuar nga shteti. Mjeku jorezident detyrimisht punon me përkthyes.

Përse mjekët tanë ngulën këmbë në këtë pikë. Cili është shqetësimi i tyre real atëherë, ju e patë që kaloi mikrofoni në disa duar për këtë çështje?

Nuk është gjuha shqipe kaq e përhapur sa ta dinë të gjithë mjekët që vijnë. Nuk mund ta pretendojmë këtë.

Derisa shfaqin interes që vijnë në Shqipëri… Baza në punën e një mjeku është komunikimi.

Nëse është një person që do të rrijë në Shqipëri, sigurisht që do ta mësojë gjuhën. Por nëse është një person që shkon e vjen, ne nuk mund t’i detyrojmë që të mësojnë shqipen.

Tjetër gjë që ju theksuat në analizën e punës 5-vjeçare ishte dhe fakti që Urdhri i Mjekut nuk është sindikatë, pse ishte e rëndësishme ta vinit në pah këtë ndarje?

Urdhri i Mjekut përfaqëson mjekët. Misioni i Urdhrit të Mjekëve është ruajtja e standardeve të larta në formimin dhe ushtrimin e profesioneve në fushën e mjekësisë. Mbron të drejtat e mjekëve, integritetin moral dhe profesional të tyre. Por nuk duhet ngatërruar. Nuk na lejohet ne të organizojmë mjekët në protesta, nuk na lejohet ne të organizojmë mjekët në greva. Sindikatat kanë të tjera atribute. Sigurisht, kur ne na u desh të mbanim një qëndrim, siç ishte në rastin e testimit të mjekëve, ne folëm, por nuk jemi ne ata që kemi organizuar mjekët në protesta e greva.

Duke u nisur nga përvoja juaj, në çfarë gjendje e shikoni sistemin shëndetësor sot?

Do të thoja që sistemi shëndetësor në Shqipëri nuk menaxhohet mirë. Duhet të marrim modele suksesi dhe t’i implemetojmë në vendin tonë.

Testimi ishte model i marrë nga Amerika, për shembull…

Nuk është modeli amerikan për Shqipërinë. Mund të marrësh italianin, francezin, gjermanin, kanë modele jashtëzakonisht të mira. Sigurisht duhet t’i përshtasim se nuk mund t’i implantojmë tamam siç e kanë ata. Ajo çfarë e pengon sistemin tonë shëndetësor që të ecë, është mungesa e menaxhimit, ne nuk kemi menaxherë të mirë.

E kujt përgjegjësia e këtij keqmenaxhimi?

E politikës. Jo vetëm e Ministrisë së Shëndetësisë.

Mos ndoshta kemi në krye personat e gabuar?

Absolutisht po.

Sipas jush, cilat janë kriteret që një person duhet të plotësojë për të qenë në krye të Ministrisë së Shëndetësisë?

Duhet ta njohë mirë sistemin shëndetësor. Si dhe të punojë për të çuar deri në fund reformat që lë ministri paraardhës. Sistemit shëndetësor duhet të ketë administratë të qëndrueshme profesionale. Administrata të tilla që të mos ndryshojnë sa herë që ndryshojnë partitë. Sepse kjo ka qenë pengesa kryesore që shumë reforma nuk kanë shkuar deri në fund. Askush nuk i çon deri në fund. Vjen një parti e re, ndryshon gjithë administratën dhe ajo administratë e nis me reformat e reja që janë të destinuara të ngelen përgjysmë. Është e rëndësishme të kemi një shëndetësi të depolitizuar.

Duke iu referuar reformave që ka marrë kjo ministri, mendoni se do të shkojnë deri në fund nga ministri pasardhës? Reforma të tilla si mbulim universal, check-up falas etj.

Mbulimi universal është një strategji e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Kjo nënkupton një shërbim shëndetësor për të gjithë qytetarët, pra këta të fundit kanë të drejta të barabarta. Çdokush ka të drejtë të marrë shërbimin shëndetësor pavarësisht nëse është deputet, ministër, kryeministër apo qytetar i thjeshtë.

Thashë që është strategji e Ministrisë së Shëndetësisë dhe nënkupton se deri në vitin 2020 sa do të ulet filan sëmundshmëri, sa do rritet jetëgjatësia mesatare, sa do të rritet imunizimi i popullatës , vaksinimi. Depistimi i popullatës nuk duhet të fillojë në moshën 40 vjeç që e kanë vendosur, sepse ajo nuk është mjekësi preventive. Në atë moshë flasim për sëmundje që i ka marrë qytetari. Mjekësia preventive bëhet që prej momentit që lind një person. Kjo është detyrë kryesisht e sitemit parësor që duhet t’i jepet përparësi e madhe. Çdo mjek i familjes duhet të ketë kabinet depistues. Ky është sistemi shëndetësor që duhet të jetë realisht.

Duket sikur njerëzit po e humbasin besimin tek shëndetësia. Kjo reflektohet edhe në rastet e fundit ku prindërit refuzojnë të bëjën vaksinat nga frika.

Në mjekësinë preventive hyn propaganda mjekësore. Qytetarët duhet të jenë të edukuar dhe duhet t’u krijohet besimi tek vaksinimi, pasi është një mënyrë e domosdoshme për parandalimin e shumë sëmundjeve. Është detyrë në mënyrë të veçantë e institucioneve të shëndetit publik.

Doktor, a ka dështuar sistemi i edukimit në vazhdim?

Për këtë 5-vjeçar unë e konsideroj të dështuar. Sepse të ketë mbi 1 000 mjekë me kredite të paplotësuara dhe me mbi 200 mjekë me kredite zero, do të thotë që nuk ka pasur edukim. Dhe për këtë unë nuk fajësoj Qendrën Kombëtare të Edukimit në Vazhdim, sepse kjo qendër është thjesht për administrimin e krediteve. Organizmi i edukimit të vazhdueshëm është detyrë e institucioneve shëndetësore. Çdo institucion duhet të mbajë përgjegjësi për stafin e vet, ta vëzhgojë që mjekët të mos shkojnë formalisht nëpër konferenca.

Edukimi në vazhdim duhet t’u shërbejë mjekëve dhe sistemit shëndetësor në tërësi për atë qëllim që ka, që mjekët të përditësojnë idetë e tyre dhe në çdo kohë mjeku të jetë në përshtatje me standartdet shkencore të kohës. Nëse e bën formalisht, këta mjekë nuk përfitojnë asgjë. Mund edhe të marrin edhe 2-fishin e krediteve, por nëse nuk ka përfituar nga ana profesionale, nuk i vlen asgjë.

Tani është marrë vendim që mjekët me 0 kredite do t’i nënshtrohen një provimi. Provimi në pikëpamjen e edukimit në vazhdim, nuk sjell asgjë.

Futi në provim sa të duashm sepse nuk mundet që një provim të zëvendësojë programin e edukimit të vazhdueshëm, 5 vjet. Nuk ka asnjë impakt pozitiv në formimin profesional të mjekut.

Çfarë masash duhet të merren në këtë rast?

Nëse do të isha unë personi përgjegjës, do të bëja një analizë të këtij 5-vjeçari, do të nxirrja konkluzionet. Pse kam dështuar në këtë pikë? Ku kam çaluar? Do të nxirrja konkluzionet për të ndërtuar strategji të reja për 5-vjeçarin tjetër.

Duhet parë se kush ka qenë përgjegjës që ai mjek ka dalë me ato rezultate. Është edhe faji i institucioneve shëndetësore që nuk i ka krijuar kushte për t’i marrë ato kredite. Duhet të jetë një fond i veçantë që të vihet në diplozicion të edukimit në vazhdim. Seminare, trajnime.

Nëse institucioni shëndetësor nuk e di se ku janë nevojat për të investuar në drejtim të sistemit të edukimit në vazhdim, atëherë është kot që ata janë aty ku janë. Administrata shëndetësore duhet të dijë për çdo mjek se cila është kompetenca e tij profesionale, cila është performanca e tij.

Doktor, jemi dakord në pikën që ka mjekë të paaftë. Cila është përgjegjësia e Urdhrit të Mjekut, pasi Urdhri i licenson?

Urdhri i Mjekut merr nga institucionet shëndetësore ankesat që kanë mjekët, problemet. Kërkon zbatimin e kodit të etikës, kërkon të gjitha standardet që duhet të plotësojë mjeku në profesionin e tij. Ka mjekë të paaftë. Atyre do t’u gjesh një vend pune sipas aftësisë që kanë. Duhet t’i njohim mjekët, duhet t’i kategorizojmë.

Meqë ju po e lini mandatin e meqë e njihni në themel sesi funksionon ky institucion, nga mendoni se do të ishte mirë ta niste punën Presidenti i ri?

Presidenti i ri duhet të ketë parasysh dy gjëra.

Së pari, të ruajë autonominë e institucionit, pavarësinë e tij nga politika. Nëse do të futet në varësi të politikës, nuk do të ketë më mbështetjen e forumeve ndërkombëtare, evropiane dhe botërore ku ne jemi antarësuar.

Së dyti, të sigurojë një sistem financiar të qëndrueshëm. Urdhri i Mjekut vetëfinancohet.

Shpesh është shtruar pyetja se ku shkojnë paratë që mblidhen?

Atëherë po ju them që çdo qindarkë që hyn në këtë institucion, menaxhohet me korrektesën më të madhe. Ne paguajmë forumet që përmendëm më lart, menaxhohet institucioni etj etj. Përveç kësaj, ne kemi tarifat më të ulta në treg, pasi kemi marrë parasysh pagat e ulëta.

A keni lënë ndonjë detyrë të parealizuar, ndonjë detyrë që ia kishit vënë vetes qëllim, por që nuk e arritët ta çonit deri në fund?

Plot! Urdhri i Mjekut ka shumë për të bërë që të arrijë standardet e homologëve të tij.

Tani që do të lini postin e presidentit, me çfarë do të merreni?

S’e di!

Ia keni dhënë këshillat pasardhësit?

E kam këshilluar gjithë kohës. E kam promovuar atë person, pasi e di që është i duhuri.

Postime të ngjashme

Mjeku që braktisi Gjermaninë, rikthehet në Divjakë pas 20 vitesh, dr. Shundi: Nuk ka si vendlindja
Dëshmi/ “Në laboratore të ndryshme, merrja përgjigje të ndryshme analizash, nuk dija cilin bakter të mjekoja?!”
I infektuar dhe vetë me Covid-19, burri nga Kamza çon gruan në spital: Se lija dot të vdiste
Foto/ Materniteti "Mbretëresha Geraldinë" në kushte skandaloze
Infermieria, profesioni që të zgjedh
Korçë/Prindërit e fëmijëve me autizëm kërkojnë kabinet dentar
Ashensorët jashtë funksionit, pacientët zvarriten shkallëve
Mungon ilaçi/ Pacienti: Më mbajnë me Morfinë