Në qytetin e Durrësit ka disa ditë që po bëhet mamografia falas dhe nga ekpertët e testimit ka rezultuar se ka një interes gjithnjë e në rritje për të bërë kontrollet e duhura në kohe dhe më shumë në këtë drejtim janë arsimtaret që duken me të ndërgjegjësuara.
Nga të dhënat e spitalit dhe shërbimet ambulatore këto analiza i bëjnë rreth 30 gra në ditë, dhe deri tani numri i tyre ka shkuar në rreth 200 gra që kanë realizuar mamografinë. Në kontrollet e bëra gjatë këtyre ditëve nuk ka rezultuar asnjë grua me analiza pozitive. Ndërsa statistikat e Durrësit flasin se nga 434 ekzaminime të kryera në 9-mujorin e parë të këtij viti, 155 raste kanë qenë pozitive përsa i përket kancerit të gjirit në rrethin e Durrësit.
Statistikat në rritje u bënë publike në muajin e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, ku çdo 1 muaj 16 gra rezultojnë të prekura nga sëmundja. Drejtoresha e spitalit rajonal Durrës, Ardiola Frashëri, pohon se ka një rritje të rasteve nga viti në vit, ndërsa sëmundja përgjithësisht është kapur në stadin e dytë e tretë. Aktualisht fushata është përqendruar tek mësueset, por çdo grua mbi 40 vjeç mund t’i drejtohet spitalit për të kryer ekzaminimin falas.
Ndërkohë duke filluar nga ky muaji deri në fund të vitit, spitali rajonal ofron edhe shërbimin e analizave hormonale për kancerin e gjirit dhe vezores. Po të kishin ardhur më herët për mamografi dhe jo në fazën e dytë dhe të tretë të sëmundjes nuk do të ndodhte që do të rezultonin pozitiv me kancer gjiri 155 gra nga 434 të ekzaminuara gjatë 9-mujorit, kurse në 18 ditë të tetorit 2014, fatmirësisht në 180 ekzaminime (kryesisht arsimtare) nuk pati asnjë rast pozitiv.
Procesi i mamografisë është mjaft i thjeshtë dhe i shkurtër. Mjaftojnë vetëm 15 minuta proces për të zbuluar në faza të hershme kancerin e gjirit, atëherë kur shenjat nuk mund të shihen me sy apo të preken me dorë. Mamografia e kap kancerin që kur është me mm, të paktën 2-3 vjet para se të shfaqen shenjat. Procesi është një ekzaminim radiografik, që përdor rreze X, por në doza të vogla të padëmshme për njeriun. Ajo shkakton një dhimbje shumë të lehtë, pasi kryhet shtypja e gjirit në aparaturë, por absolutisht e durueshme.
Tashmë sipas mjekeve, në Spitalin Rajonal të Durrësit ka një fluks të lartë kërkesash për kryerjen e mamografisë. Dhe stafi po punon me kapacitet të plotë.
Drejtorrdha e Spitalit Rajonal publik të Durrësit, Ardiola Frashëri, thotë se kanë qenë gra të moshave të ndryshme të cilat i janë nënshtruar procesit të ekzaminimit të gjirit dhe bën të ditur se gjatë tetorit reparti i mamografisë ka punuar nga mëngjesi deri në orën 22:00 të mbrëmjes duke përfshirë edhe ditët e shtuna.
Në një prononcim mediatik ajo deklaroi: “Ka një rritje të ndërgjegjësimit të grave. Ne kemi një numër në rritje të ekzaminimeve si te arsimtaret, për të cilat jemi lidhur me drejtorinë arsimore të rajonit të Durrësit. Ka ditë që ka arritur deri në 30 mamografi në ditë. Kemi një numër afërsisht 180-200 mamografi nga fillimi i këtij muaji. Nga fillimi i tetorit nuk ka pasur asnjë rast pozitiv, ndonëse në muajt e mëparshëm të vitit 2014 kanë kryer mamografi të gjirit 434 gra, prej të cilave 155 kanë rezultuar pozitive. Këto raste kanë qenë në fazën e dytë dhe të tretë të sëmundjes. Gjatë këtij viti do të mundësohet që në spitalin e Durrësit të kryhen edhe analizat e kancerit të gjirit dhe të qafës së mitrës që deri më sot kryhen në Tiranë”./ Mark Brunga
