Forca me të cilën shtrëngohet dora është një tregues i shëndetit dhe parashikon rrezikun për sëmundje kardiovaskulare fatale
Shumë njerëz besojnë se një shtrëngim dore i vendosur është shenjë e një njeriu të sinqertë, të cilit mund t’i besosh. Por është edhe një sinjal për një shëndet të mirë, nisur nga rezultatet e publikuara në “Lancet”: pra, nuk ka nevojë që të ardhmen ta lexosh, mjafton të shtrëngosh dorën, sepse forca me të cilën bëhet një gjë e tillë, është në gjendje të parashikojë nëse do të përballemi me sëmundje kardiovaskulare apo nëse do të vdesim nga një infarkt a iktus (goditje në tru) në pak vite.
Këto përfundime vijnë pas një studimi 4-vjeçar në mbi 140 mijë persona të moshës 25-70 vjeç në 17 vende të ndryshme. Të gjithëve u është matur forca e shtrëngimit gjatë dhënies së dorës, duke përdorur një instrument të veçantë, për ta lidhur më pas me shëndetin në vitet e mëtejme. Të dhënat tregojnë se për çdo ulje me pesë kg të forcës së dorës, rreziku i vdekshmërisë dhe sëmundjeve kardiovaskulare rritet me 16 herë. Në praktikë, sa më i lehtë shtrëngimi, aq më shumë rritet mundësia për infarkte, iktuse dhe sëmundje fatale jo të zemrës. Në popullsinë e vendeve më të pasura ekziston një lidhje dhe me tumoret, që gjithsesi nuk është verifikuar në vendet me të ardhura të ulëta.
“Një ulje e forcës muskulare, e matur me shtrëngimin e dorës konsiderohet një tregues i mundësisë për vdekjet kardiovaskulare dhe për të gjitha shkaqet, por nuk dihej se ishte tregues në popullsi të ndryshme, – shpjegon Deril Leong (Darryl Leong), kardiolog i i Universitetit të Hemiltonit në Kanada, që ka koordinuar studimin. – Të dhënat e reja tregojnë se ky është një tregues tepër domethënës. Ndërsa nga ana tjetër, nuk ekziston një lidhje me diabetin apo me rrëzimet”.
“Të masësh forcën e shtrëngimit të dorës mund të jetë një metodë e thjeshtë dhe pa kosto për të vlerësuar rrezikun individual të sëmundjeve kardiovaskulare dhe vdekshmërinë, – thotë doktor Leong. – Aftësia parashikuese ka rezultuar edhe më e theksuar se matja e presionit arterial”.
Kardiologu pranon se ekzistojnë elemente për t’u marrë parasysh para se të arrihet në përfundime të menjëhershme sapo i jepet dora dikujt: forca shtrënguese varet nga tradita dhe masa trupore, ndaj do të duhen vlerësime të mëtejshme për të ditur se cilat janë vlerat e duhura krahasuar me një shtrëngim dore “të lirshme”. Mbetet fakti që, sipas Leongut, “të dhënat tregojnë se humbja e forcës muskulare mund të jetë një nga hapat e parë kur një njeri priret drejt sëmundjeve kardiovaskulare. Mbetet ende të kuptohet nëse përmirësimi i forcës muskulare mund të ndërhyjë për të frenuar këtë rënie apo për ta parandaluar”./ Përshtati në shqip: Arlinda Gjypi


