Kryefaqja Aktualitet EDITORIAL/ Lajmet e gatshme të zyrës së ministrit dhe përdorimi i medias

EDITORIAL/ Lajmet e gatshme të zyrës së ministrit dhe përdorimi i medias

0
Shpërndaje

Arlinda Gjypi, kryeredaktore e gazetës Shëndet+ dhe Shëndeti Online

Pas 5 vitesh në treg duke informuar për shëndetësinë dhe me një staf me mbi një dekadë përvojë në gazetari, ne të gazetës “Shëndet+” jemi akuzuar shpesh se shkruajmë të pavërteta lidhur me funksionimin e sistemit shëndetësor në Shqipëri.

Në fakt, qeveritarët janë gjithnjë të shpejtë për të fajësuar median në rastet kur këto të fundit publikojnë ngjarje apo artikuj të cilët nuk i nxjerrin në një dritë “të bardhë”. Në raste të tilla, media, sipas tyre, ka gjithnjë një interes personal për t’i “sulmuar” ose po i shërben patjetër partisë në opozitë.

Nga ana tjetër, po këta qeveritarë tashmë (ndryshe nga e kaluara) kanë mësuar mirë se sa e rëndësishme është media për të arritur qytetarët dhe votuesit e tyre të ardhshëm. Rrjetet sociale janë një mënyrë e mirë për këdo për të shpërndarë dhe marrë informacion dhe zyrat e shtypit (apo ato të ashtuquajturat marrëdhëniet me publikun) janë tashmë të specializuara dhe merren shumë me detajet se si një ngjarje apo një aktivitet i një qeveritari do t’i përcillet medias.

Dikur, gazetarët i ndiqnin nga pas ministrat dhe pasqyronin aktivitetet që ata zhvillonin secili sipas mënyrës së vet dhe asaj që perceptonte të drejtë apo të gabuar. Vitet e fundit, kjo detyrë e gazetarëve është shndërruar. Zyrat ministrore kanë vënë njerëz të besuar të cilët i bëjnë gati shkrimet, pamjet dhe fotot e aktivitetit dhe i shpërndajnë nëpër redaksitë e mediave vizive dhe të shkruara bukur, gati për t’u botuar. Dhe nuk duket e nevojshme që gazetarët të dalin në terren dhe të “lodhen” për t’u marrë me lajmet.

Ministria e Shëndetësisë është një nga ministritë më të rëndësishme në vend. Nëse do të hapnim faqen e saj në internet, do të lexonim pa fund sukseset e njëpasnjëshme të ministrit të Shëndetësisë që në momentin kur ai erdhi në detyrë. Sukseset janë të mëdha, tepër pompoze dhe fotot janë gjithnjë domethënëse.

Nga ana tjetër, në të gjitha këto suksese, gazetarët (sipas fjalorit, gazetaria është aktiviteti i grumbullimit, vlerësimit, krijimit dhe prezantimit të lajmeve dhe informacioneve) duket se janë gjithnjë e më pak të pranishëm. Ndoshta askush nga lexuesit apo dëgjuesit në televizione nuk e ka vënë re një gjë të tillë, por në fakt, të gjitha aktivitetet më të fundit dhe “sukseset” e ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj, po zhvillohen pa praninë e gazetarëve. Këta të fundit nuk ftohen dhe as njoftohen për aktivitetet që bëhen. Atyre thjesht u dërgohet një komunikatë për shtyp pasi ministri është larguar nga institucioni përkatës në të cilin ka prezantuar “suksesin e radhës”.

Gazeta “Shëndet+” është munduar të tregohet e paanshme në prezantimet e saj të sukseseve dhe dështimeve të ministrit përgjatë gjithë punës së vet. Ashtu si edhe më parë, ajo ka vendosur që të mos bëjë një pasqyrim “copy-paste” të njoftimeve të dërguara. Me gazetarët e saj në terren, ajo kërkon të prekë realitetin dhe të shohë nëse fotot dhe fjalët e bukura të zyrës ministrore përputhen vërtet me atë që prekin shqiptarët përditë në sistemin shëndetësor apo ato janë thjesht lajmet-fasadë të radhës të përgatitura për të mashtruar dhe për të manipuluar mendjet e njerëzve.

Ministri i Shëndetësisë, ashtu si edhe gjithë kolegët e tij qeveritarë, duhet të kuptojnë shumë mirë diçka tepër të thjeshtë: media nuk është për t’u akuzuar kur nuk u vjen mbarë dhe për t’u përdorur siç u vjen mbarë. Fakti që vetë ministri nuk pranon bashkëpunimin me mediat është një regres për Shqipërinë. Sepse gazetaria bën më shumë sesa thjesht i mban njerëzit të informuar. Përcjellja e informacionit është pjesë e rëndësishme e një sistemi demokratik. Ai sjell transparencë në shoqëri dhe siguron njerëzit që vendimet e marra përputhen me ndjenjën e tyre të drejtësisë.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here