Kryefaqja Vip-Shendet Edona Bilali: Një mollë në ditë nuk mjafton

Edona Bilali: Një mollë në ditë nuk mjafton

0
Shpërndaje

Bisedoi: Kesilda Gjoka

“Nuk arrita deri këtu për të qëndruar këtu”. Edona Bilali është nga Shkodra. Prej vitesh drejton një zyrë konsulence. Për të përshkruar angazhimet e saj, lista është shumë e gjatë. Ajo është gjithashtu trajnere, mentore, pedagoge e para një jave u vlerësua me çmimin ‘Mentorja e Vitit- 2018”, për të cilin shprehet që është shumë mirënjohëse.

Në një intervistë për gazetën “Shëndet Plus”, ajo flet për karrierën, planet, por dhe për shëndetin të cilit Edona i qëndron “mbi kokë”.

A mund të themi shkurtimisht se kush është Edona Bilali?

Unë quhem Edona Bilali. Jam nga Shkodra. Drejtoj një kompani konsulence- biznesi për fushën

e standardeve të cilësisë, si dhe shkruajmë projekte. Gjithashtu, prej nëntë vitesh jap mësim në Fakultetin e Ekonomisë, Universitetin e Tiranës.

Edona, administratore, pedagoge, konsulente, mentore, trajnere, lista vazhdon… Si nisën të gjitha këto dhe si lidhen me njëra- tjetrën?

Prej nëntë vitesh jam angazhuar shumë në fushën e startupeve.

Fokusi im janë ndërmarrjet e reja, mikro- të vogla dhe të mesme. I ndihmoj ato me këshillim dhe konsulencë, se si të zhvillojnë idenë ose nëse janë në një fazë më të zhvilluar, se si të kthehen në kompani të suksesshme dhe të qëndrueshme në tregun Shqiptar, por dhe ndërkombëtar.

Si lidhen këto të gjitha së bashku?

Jam diplomuar në 2010-n dhe po atë vit kam filluar të jap mësim në Fakultetin e Ekonomisë. Kështu që, fillimisht punët e mia të para, pas diplomimit, kanë qenë në Fakultetin e Ekonomisë dhe në Ministrinë e Financave. Pra, kam nisur rrugëtimin në administratë  publike. Kam punuar në korporatë, pastaj kam kaluar në sektorin ku jam dhe sot. Në momentin që kalova në sektorin e konsulencës, kam filluar paralelisht dhe angazhimet e tjera, si: mentore, këshilluese, pedagoge e ftuar dhe me radhë. Kombinohen mirë me njëra-tjetrën dhe mendoj që janë plotësuese të njëra-tjetrës. Kjo sepse nëse në punën e përditshme kam të bëj me bizneset, problematikat e trajtuara, qasjet, rastet e suksesit më frymëzojnë dhe më ndihmojnë të jem pedagoge më e mirë në Fakultet, duke dhënë një qasje më shumë nga praktika sesa nga vetëm njohuritë që ofrojnë tekstet.

Ku do dëshiroje ta ndalje kohën? Cila pjesë e punës është e preferuara juaj?

Puna që bëj këtu, në zyrën time të konsulencës. Konsulenca mendoj se është thirrja ime. Së pari, vij në punë me qejf dhe vetë fakti që kam hyrë në vitin e gjashtë dhe jo vetëm që s’jam mërzitur por jam gjithë kohës me sfida të reja për kompaninë, bëjnë që në mëngjes të zgjohem me dëshirë. Kemi shumë për të arritur deri këtu ku jemi. Është një shprehje që thotë: Nuk arrita deri këtu për të qëndruar këtu. Gjithmonë kërkoj më shumë e më shumë. Ne punojmë me projekte dhe ndër avantazhet e tyre janë mundësia për të takuar njerëz të rinj çdo ditë, por edhe punojmë me problematikat e ndryshme.

“Mentorja e vitit – 2018”… Cili është hapi tjetër?

Jam shumë mirënjohëse për këtë çmim. Në bazë të programeve të ndryshme kam etiketa të ndryshme ku diku jam mentore, diku trajnere, diku pedagoge e ftuar, pavarësisht se nuk flas për lëndën që unë jap në Fakultet. Në varësi të programit ndryshojnë dhe etiketat dhe rolet e mia brenda këtyre programeve, një gjë që vazhdoj ta bëj me gjithë qejf.

Ne kemi sfiduar veten vazhdimisht, unë udhëhiqem nga parimi: “Konsolido shkallën ku je aktualisht dhe gjithmonë me njërën këmbë sipër shkallës së radhës”. Ne kishim sfida të fituara në 2018-n, ndërkohë që sfidat për 2019-n janë për të vazhduar në rang ndërkombëtar.

Ka momente kur je e lodhur dhe dëshiron të ndalosh? Çfarë ju motivon?

Unë rrallë herë mërzitem ose lodhem nga puna. Fatkeqësisht, edhe nëse ka raste që ezaurohem fizikisht dhe mendërisht, sërish nuk është opsion për të hequr dorë. Motivimi lidhet me kujtesën e gjithë faktorëve që duhet të jemi falënderues. Kjo është një gjë që i them vetes shpesh: Në vendin tim mund të jetë gjithkush, pasi ka shumë njerëz më të zgjuar, më të aftë dhe me më shumë lidhje.

Kështu që, fakti që unë jam këtu është gjithë motivimi që kam nevojë. Kështu, ai momenti është vetëm për pak çaste dhe kalon.

Cilat janë planet tuaja profesionale?

Ndërkombëtarizimi është plani ynë afatgjatë, të shkojmë përtej kufijve me një produkt apo shër bim. Pra, të punojmë pa barriera kufitare dhe mendore.

Një këshillë për të gjithë punëdhënësit dhe sipërmarrësit, si të jenë të suksesshëm si ju?

Nuk mund të them që e konsideroj veten jo të suksesshme, por as të suksesshme. Mendoj se jam diçka në mes. Por, nëse do më duhet të jap një këshillë për sipërmarrësit e rinj, sepse nga ato më me eksperiencë duhet të marr unë këshilla, do të ishte: Orët e punës mbështesin suksesin! Mund të kesh ide dhe të jesh karizmatik, apo mund të bësh një PR të mirë të vetes, por nëse nuk punon fort dhe nëse nuk ke një staf ku të mbështetesh, atëherë është shumë e vështirë.

Edona dhe Gatimi.  Si i ke marrëdhëniet me gatimin?

Gatimi është një nga dashuritë e mia më të reja, e kam marrë me shumë zell dhe pasion gatimin.

Nga familja kam të trashëguar një kulturë dhe respekt për ushqimin e gatuar në shtëpi. Për shkak të punës që bëja, fillova të haja jashtë, është diçka që nuk zgjati shumë ditë. Unë vazhdoj dhe sot e kësaj dite marrë ushqimin nga shtëpia. Mundohem të marr gjithmonë ushqimin e gatuar në shtëpi. Edhe kur jam jashtë zyre, kam në sedilje të parë tasin.

Kur gatuaj vetë, mendoj që pjatat e mia janë kreative, shumë njerëz thonë që janë të shëndetshme, më pak thonë të pa shijshme, sepse mundohem të luaj me llojshmëri shumë të mëdha elementesh. Unë ndjek shumë emisione për gatimin apo faqe në Instagram. 7 produkte i hedh sallatës, asnjëherë nuk e bëj njësoj. Dashuria ime e fundit janë farërat, të gjitha llojet e farërave.

Çdo mëngjes ha me kos, fara chia. Ndërkohë në gatime e vakte të ndryshme fara susami, fara pishe, luledielli etj. Farat i konsumoj çdo ditë. Bukën e bëjmë vetë, mundohem të blej produkte cilësore, kam pak vende ku ha jashtë, por jam një person që kam shumë neps. Mund të udhëtoj kilometra të tëra për të provuar një pjatë të veçantë diku. Nuk kam mbajtur asnjë ditë dietë në jetën time, por i respektoj të gjithë ata që kujdesen për trupin e tyre.

Vasil Naçi thotë: “Trupi ynë është tempulli ynë” dhe unë jetoj dhe e ndjej çdo ditë këtë shprehje. Sa herë që nuk ushqehem apo nuk ushqehem shëndetshëm, ose lë ndonjë vakt, performanca ime nuk është e njëjta.

Kur isha më e vogël merresha shumë me aktivitet fizik, por nga momenti që kam filluar punë, aktiviteti fizik nuk është shumë prezent. E them me shumë turp. E mira është që dieta e ushqyeshme të shoqërohet dhe me aktivitet fizik. Por, duke qenë se e privoj veten nga aktiviteti, mundohem ta kompesoj me një dietë të ushqyeshme.

Kam dëgjuar që keni një lidhje shumë të ngushtë me detin dhe jeni një mirëdashëse e natyrës…

Çdo fundjavë mundohem ta kaloj jashtë Tirane. Por, dhe Tirana ka vende shumë të bukur për të kaluar një ditë jashtë. Jam shumë fanatike, mundohem ta shmang frazën: “Erdhi fundjava, eja ikim hamë një drekë”. Ndërkohë jam shumë partizane e piknikëve dhe e zgarës të cilën e kam me shumë qejf. Më pëlqen shumë natyra, mjafton të jem jashtë nuk dua vende shumë të populluara me shumë njerëz. Deti është një dashuri më vetë. Nëse do zgjidhja mes detit, malit, sigurisht që do zgjidhja detin. Sigurisht që kam qejf dhe një shëtitje në mal, por deti është i pari. Duke qenë nga Shkodra vazhdoj të jem fanatike e plazhit të Velipojës. Mundohem që sidomos në verë të jem jashtë Tiranë. Megjithatë, tani dhe shumë not nuk bëj. Thjesht kam qejf të qëndroj, apo të pluskoj si bregdete me rërë apo shkëmbore.

Edona dhe shëndeti Si është marrëdhënia juaj me mjekun?

Unë në rrethin tim të ngushtë familjar kam mjek. Edhe kur jam rritur por edhe tani kanë ndikuar për të ndryshuar mentalitetin, që të kuruarit të shëndetit fizik dhe mendor është kulturë në vetvete. Rrjedhimisht, po tradhtove ti shëndetin, të tradhton shëndeti ty.

Nëse të tradhton shëndeti, atëherë është shumë vonë. Unë çdo vit bëj kontrolle rutinë. Mundohem që të jem sa më e përpiktë.

Një këshillë për të gjithë lexuesit e gazetës “Shëndet Plus”…

Shëndeti është gjëja më e rëndësishme, që ne i kushtojmë më pak rëndësi. Do t’u këshilloja që nuk mjafton një mollë në ditë për të mbajtur larg mjekun, por fillimisht ne duhet të bëjmë shumë për shëndetin që t’iu lëmë sa më pak në dorë mjekëve. Nëse bëjmë pak për shëndetin dhe ja lëmë mjekut më shumë në dorë dhe rezultatet nuk do ishin shumë të kënaqshme sa po të kishim kulturën e kurimit. Këshilla që jap gjithmonë në konsulenca është: “Parandalim, jo korrigjim”! Kështu që, sa më shumë të kujdesesh për veten aq më pak shans kemi për të korrigjuar gabimet tona.

LËR NJË MESAZH

Please enter your comment!
Please enter your name here