Nga dermatologia Ardiana Sinani:
Ekzema atopike (ose rrjebulla) është pezmatim kronik i lëkurës që është shumë e zakonshme te fëmijët, por mund të ndodhë në çdo moshë. Ajo është e njohur edhe si ekzemë, dermatit atopik dhe neurodermatitis. Kjo është forma më e zakonshme e dermatitit.
Ekzema atopike zakonisht ndodh te njerëz që kanë një tendencë atopike, prirje gjenetike për të qenë alergjik dhe mund të shfaqet së bashku me fenomene respiratore alergjike, astmë dhe rinit alergjik. Shpesh këto patologji janë familjare, fëmija mund të ketë njërin prej prindërve, vëlla ose motër alergjik nga patologjitë që përmendëm më sipër. Një histori familjare për astmë, ekzemë ose rinit alergjik është veçanërisht e dobishme në diagnostikimin e ekzemës atopike te foshnjat.
A është ngjitëse ekzema atopike?
Ekzema atopike nuk është ngjitëse! Ajo lind për shkak të bashkëveprimit kompleks të faktorëve gjenetikë dhe faktorëve të mjedisit të jashtëm. Këto përfshijnë defektet në funksionin normal mbrojtës të lëkurës, duke e bërë atë më të ndjeshme ndaj kontaktit me faktorë të jashtëm specifik, si: detergjent, shampo, veshje (lesh ose sintetike) dhe irritues të tjerë në kontakt me lëkurën apo ndryshime jospecifike, si: ndryshimet e motit, temperatura.
Lëkura në ekzemën atopike është e skuqur, e enjtur, me luspa të kuqe, pa kufij të qartë me lëkurën e shëndoshë.
Cilat janë format e trajtimit të ekzemës?
Trajtimi i ekzemës atopike duhet të fillojë që në marrjen e masave të thjeshta, si: përdorimi i veshjeve të pambukut, përdorimi i larësve të butë pa përmbajtje aromatike dhe aplikimi i pomadave, zbutësve të lëkurës, kremrave dhe pomadave të prodhuara posaçërisht për këtë problem.
Kur këto nuk japin efekt, duhet t’i drejtoheni dermatologut tuaj për të përdorur për një kohë të shkurtër pomadë me përmbajtje kortizoni, gjithmonë nën kujdesin e mjekut dermatolog.
Probleme të tilla si ekzema kanë ekzistuar gjithmonë dhe njerëzit kanë përdorur metoda të ndryshme trajtimi. A keni pasur ndonjëherë përplasje midis formave që njerëzit përdorin në trajtimin e lëkurës së tyre dhe atyre që ju rekomandohen nga ju si mjeke specialiste?
Kam dëgjuar shpesh nëna të reja, të cilat të këshilluara nga nënat dhe vjehrrat e tyre të thonë të mos e mbyllësh rrjebullën në lëkurë, por ta lësh të kullojë, sepse shfaqet brenda në organizëm. Ky mendim është shumë i gabuar.
Ekzema atopike duhet të mjekohet dhe trajtohet vazhdimisht në mënyrë kronike, sepse lënia e patrajtuar e saj çon në mbiinfeksione bakteriale, të cilat e acarojnë dhe vështirësojnë edhe më shumë trajtimin e saj.


