Bisedoi: Elena Beta
Ermal Vila është një nga të rinjtë shqiptarë i cili përreth një viti ka udhëhequr një organizatë që synon të promovojë agjendën e fuqizimit të të rinjve si agjentë të ndryshimit. Përveç pozicionit si specialist për Forcimin e Parlamenteve tek Zyrat Qendrore të Bankës Botërore në Uashington DC, prej një viti ishte zgjedhur edhe si sekretar i përgjithshëm i Komunitetit të Rinjtë Për të Rinjtë (Youth to Youth – Y2Y), një organizatë vullnetare e përbërë nga profesionistë të rinjsh (nën 35 vjeç) të Grupit të Bankës Botërore (GBB). Në mandatin e tij si udhëheqës i këtij komuniteti për vitin fiskal 2017 (korrik 2016 -qershor 2017), Ermali forcoi më tej misionin e organizatës duke kanalizuar idetë dhe energjinë e të rinjve në misionin global të Bankës Botërore.
Ermal, ju sot punoni si specialist parlamentesh në Bankën Botërore. Mund të rrëfeni një historik të shkurtër si nisi gjithçka?
Unë kam mbaruar gjimnazin në qytetin e Korçës dhe më tej kam mbaruar shkollën e lartë për Diplomaci tek Kolegji Amerikan i Selanikut në Greqi. Ka qenë dëshirë e hershme e imja që të vazhdoja të studioja dhe punoja në Shtetet e Bashkuara, prandaj vendosa të vazhdoja studimet e Masterit tek Universiti “Johns Hopkins”, nga ku kreva një vit në kampusin e tyre në Bolonjë dhe më pas vitin e dytë në Uashington. Gjatë vitit të dytë punoja part-time tek think-tanku i universitetit, Qendra Për Marrëdhënie Transatlantike, ku edhe fillova me kohë të plotë pas diplomimit. Studimet e Masterit i mbarova për Zhvillim Ndërkombëtar dhe Qeverisje, kështu që të punoja për Bankën Botërore ishte qëllimi im kryesor, ku edhe fillova si konsulent qeverisjeje për politikat e Dialogut Publik-Privat. Prej dy vitesh punoj si specialist parlamentesh për rajonet e ndryshme të botës.
Cili është fokusi i punës tuaj?
Fokusi im primar ka të bëjë me forcimin e rolit mbikëqyrës të financave publike nga ana e Komisioneve Parlamentare të Buxhetit dhe Financave. Përreth një viti kam punuar me parlamentet e ishujve të Paqësorit dhe Karaibeve, por përgjatë vitit të kaluar menaxhoj një projekt në bashkëpunim në Rrjetin e Komisioneve të Financave, Ekonomisë dhe Integrimit Evropian të Ballkanit Perëndimor. Objektivi i këtij projekti është pikërisht forcimi i praktikave të mira parlamentare në parlamentet e rajonit tonë.
Ju keni udhëhequr edhe organizatën e profesionistëve të rinj të Bankës Botërore përgjatë vitit të kaluar. Na tregoni pak më shumë për punën tuaj me të rinjtë?
Unë drejtoja një Komitet Drejtues vullnetar të përbërë nga 15 punonjës të përkushtuar të BB-sëm i cili krijon partneritete në të gjithë Grupin e Bankës Botërore dhe komunitetit më të gjerë të zhvillimit ndërkombëtar me qëllim që të rrisë profilin e profesionistëve të rinj të përkushtuar për të krijuar një botë pa varfëri. Një nga programet, Fondi Inovativ i Rinisë (YIF) ofron një mundësi për profesionistet e rinj të Bankës Botërore për të hartuar dhe implementuar projekte në të gjithë botën, në sektorë si edukimi, bujqësia dhe shëndetësia. Duke dhënë grante kompetitive deri në 15 mijë dollarë secilin, YIF ka ndihmuar të kthejë më shumë se 100 ide në realitet, duke promovuar ide inovative dhe në të njëjtën kohë duke fuqizuar një brez të ri profesionistësh të zhvillimit ndërkombëtar.
Një nga aktivitetet që keni drejtuar ishte një town-hall me presidentin e Bankës Botërore. Çfarë fokusi pati ai bashkëbisedim?
Të rinjtë e sotëm janë shtylla kryesore e “Qëllimeve Binjake” të Bankës Botërore, pra të eliminimit të varfërisë ekstreme dhe rritjes së prosperitetit të përbashkët për 40% e poshtëm të popullatës botërore deri në vitin 2030. Në këtë kontekst, unë moderova një diskutim të lirë midis presidentit Jim Kim dhe stafit të Bankës Botërore në lidhje me çështjet thelbësore që kanë të bëjnë me rolin e të rinjve në zhvillimin ndërkombëtar. Rezultat i atij bashkëbisedimi me Presidentin Kim kanë qënë një seri ligjeratash dhe konferencash me në qendër rolin kyç të të rinjve dhe teknologjive inovative në sektorë të ndryshëm të zhvillimit ndërkombëtar.
Çfarë ndryshimesh mendoni se duhen bërë në mënyrë që të rriten shanset për një të sapodiplomuar të hedhë hapat në ndërtimin e një karriere të suksesshme?
Fuqizimi i të rinjve vjen si rrjedhojë e disa politikave që duhen ndjekur, si për shembull reformimi i sistemeve edukative që trajnojnë gjeneratën e re me aftësi të cilat iu përgjigjen kërkesave të tregut të punës, promovimi i klimës së biznesit që do të inkurajonte sipërmarrje inovative nga të rinjtë, si edhe rritja e pjesëmarrjes aktive së të rinjve në vendimmarrje. Mendoj që rritja e investimit në këto prioritete, qoftë nga komuniteti ndërkombëtar apo nga qeveritë e vendeve në zhvillim, do të çlirojë potencialin real të të rinjve duke transformuar rrënjësisht shoqëritë ku ata jetojnë.
Duket që pasioni juaj për krijimin e më shumë mundësive për të rinjtë do të jetë pjesë e pandashme e karrierës suaj. Përveç punës suaj në forcimin e institucionit të parlamentit, dhe tani që mandati juaj si presidentet i organizatës Y2Y ka mbaruar, çfarë angazhimesh presim nga ju?
Në fakt këtë javë mora lajmin se jam përzgjedhur në Komunitetin e “Global Shapers” për degën e Uashingtonit, që është një organizatë e profesionisteve të rinj të Forumit Ekonomik Botëror (World Economic Forum). Aty do të vazhdoj përfshirjen në disa fushata që synojnë të nxisin përfshirjen e të rinjve në politikë-bërje dhe vendimmarrje në vendet e tyre, duke mbështetur kështu një gjeneratë të re lidershipi.
Nga një vështrim i shpejtë në llogarinë tuaj në rrjetet sociale, duket që udhëtoni shpesh në vende interesante. Udhëtimet janë pjesë e punës apo thjesht pasion i juaj?
Është një kombinim i të dyjave. Shtrirja gjeografike e projekteve me të cilat jam përfshirë është e gjerë dhe shpesh më duhet të shkoj në vende të ndryshme me udhëtime pune për implementimin e këtyre projekteve. Gjithsesi,udhëtimi ka qenë një pasion i herët i imi dhe pothuajse çdo muaj mundohem të shkoj diku për fundjavë nëpër Shtetet e Bashkuara apo edhe destinacione të largëta. Plazhet dhe xhunglat e ishujve në Karaibe janë ndër destinacionet e mia më të preferuara.
Mendoni se përbën diferencë të qenët mashkull apo femër në vështirësitë me të cilat duhet të përballet një i ri që sapo hyn në tregun e punës?
Mendoj që jo, sidomos në fazat e para të karrierës. Në mënyrë paradoksale, hendeku në pagë dhe ngjitja në hierarkinë drejtuese për shkak të gjinisë është fenomen më i theksuar në karrierën e mesme. Është një fenomen botëror, edhe për shoqëritë dhe tregun e punës në perëndim. Fatmirësisht ka patur shumë progres viteve të fundit në eliminimin e këtij hendeku dhe besoj që nuk është e largët dita kur diskriminimi gjinor do të jetë një histori e vjetër.
Kthimi në Shqipëri. Sa larg e shihni ditën kur mund të ndërtoni diçka në vendin tuaj?
Në planet e mia afatgjata, po. Momentalisht jam i fokusuar në karrierën time këtu në Uashington, megjithëse gjatë gjithë viteve të mia jashtë nuk e kam ndaluar asnjëherë përfshirjen time me Shqipërinë në forma të ndryshme, dhe do vazhdoj ta bëj.
Një mesazh?
Për mua, për të patur një karrierë të suksesshme dhe të plotë, çelësi është të identifikosh pasionet e tua, dhe më pas të identifikosh probleme që rrethojnë shoqërinë ku ti jeton. Pasi ke bërë këtë, duhet t’i shndërrosh këto pasione në një mision apo qëllim që të shërbejë si zgjidhje për ato probleme dhe sfida që identifikove. Pra, konvertimi i pasioneve të tua (diçka që bën me zell, përkushtim dhe kreativitet), në shërbim të komunitetit tënd, është për mua kyç për një karrierë dhe jetë të mirë. Gjithashtu, një nga motot e mia është “E kundërta e varfërisë është drejtësia”.


