Estetika dentare, rëndësia në shoqërinë e sotme

Dr. Brikena Lika, mjeke stomatologe / Shëndeti Online dhe gazeta Shëndet+

Paraqitja e jashtme çdo ditë e më shumë po merr një rëndësi të madhe. Njerëzit po i kushtojnë shumë vëmendje kurimit të imazhit dhe bukurisë së fytyrës. Pjesë shumë e rëndësishme e saj është buzëqeshja. Për këtë arsye estetika dentare është shtylla bazë për një buzëqeshje perfekte.

Por, kur filloi interesimi për stomatologjinë kozmetike?

Kur flasim për estetikë dentare, në përgjithësi i referohemi një koncepti që lidhet me ekuilibrin midis harmonisë e bukurisë, të cilat shpesh kanë një vlerë subjektive në sytë e pacientit apo shikuesit. Konceptet në stomatologjinë estetike që nga fillimi i saj kanë qenë të lidhura ngushtë me stereotipet kulturore të kohës.

Që nga fillimi i historisë dentare gjejmë kafka dhe strukturat dentare që janë dekoruar me gurë të çmuar, estetikë kjo e pranuar nga kultura e popullsisë së atëhershme. Pra, ne mund të themi se evolucioni i stomatologjisë u karakterizua edhe nga ndryshimet e botëkuptimit të njerëzve ndaj estetikes.

Në kontekstin e ndryshimeve që lidhen me stomatologji kozmetike siç njihet sot, që nga fillim të ’30 Hollivudi ka luajtur një rol interesant. Që atëherë, aktoret dhe aktorët kanë përmirësuar buzëqeshjet e tyre nëpërmjet fasetave të porcelanit. Krijimi i i rrjeteve sociale dhe fuqizimi i teknologjisë dhe publikimit të fotove i kanë dhënë një frymë të re estetikës së imazhit të gjithsecilit. Në shoqërinë tonë moderne konkurruese, një pamje e këndshme shpesh do të thotë sukses si në jetën personale, ashtu dhe në atë profesionale.

Në shoqërinë shqiptare nuk është e pazakontë për të gjetur njerëz të cilët, kur flasin, tentojnë të fshehin gojën me duar për të mbuluar buzëqeshjen e tyre. Gjendja e dobët e shëndetit oral ka pasoja psiko-emocionale, pra ka të bëjë me vetërespektin dhe për këtë arsye ne nuk mund të gjykojmë estetiken dentare si të tepërt. Aktualisht kjo është një pjesë themelore e çdo procedure të dhëmbëve.

Për shkak të avancimit në stomatologji, njerëzit janë të etur të dinë se si punimet stomatologjike do të ndihmojnë në rritjen e bukurisë së  buzëqeshjes së tyre. Stomatologjia estetike përpiqet të bashkojë bukurinë dhe funksionin me vlerat dhe nevojat individuale të çdo pacienti. Estetika nuk ka të bëjë vetëm me korrigjimin e buzëqeshjes, por edhe ndryshim në profilin e fytyrës si dhe korrigjimi i drejtimit të nofullave.

 Si mund të zgjidhni trajtimin më të mirë për stomatologjinë kozmetike?

Suksesi i trajtimit është rezultat kryesisht i një diagnozë të saktë. Mjeku stomatolog duhet të  përcaktojë mundësitë më të mira në ofrimin e produkteve, teknikave dhe planeve te trajtimit, për të arritur një trajtim të suksesshëm me rezultate optimale estetike për pacientin dhe dentistin. Trajtimet dentare  më të njohura estetike janë:

Zbardhim profesional – Trajtimi dentar i cili ndërhyn në ndryshimin e ngjyrës së dhëmbëve.

Këllëfë/urë zirkoni – të cilat zëvendësojnë dhëmbët e humbur ose i japin një veshje të re mjaft estetike kurorave të dhëmbëve natyralë. Këto veshje janë tërësisht të bardha duke i dhënë një shkëlqim vezullues punimit protetik

Faseta Emax ose Kompoziti – janë veshje vetëm në sipërfaqen e jashtme të dhëmbit natyral pra si lentet e kontaktit që përdoren në pjesën e syve për të ndryshyar ngjyrën.

Trajtime ortodontike – trajtim i cili bën drejtimin e dhëmbëve si dhe të nofullave

Mbushje me kompozit – trajtim i prishjes së dhëmbit duke i rikthyer atij formën dhe ngjyrën e mëparshme njëlloj si të ishte i paprishur.

Pirsing – Vendosje e gurit të qelqtë në dhëmb.

Estetika dentare në kohët e sotme nuk është një luks dhe për këtë arsye këto trajtime po kthehen në punime rutine, të cilat çdo njeri mund t’i përfitojë, por zgjedhja e profesionistit është një sfidë më vete.

Postime të ngjashme

Ndryshim në krye të QSUT-së, Evis Sala emëron Rudina Degjonin Drejtoreshë të Përgjithshme
Këmbët e ënjtura? Ja ushqimet që ndihmojnë dhe ato që duhet të shmangni
"Shet produkte të rrezikshme"- Komisioni Europian gjobit TEMU-në me 200 mln dollarë
8 fruta me përmbajtje të ulët sheqeri
Shpërthimi i Ebolas, OBSH shpall emergjencë globale
3 gjëra që duhet të bëni për të pasur lëkrë me shkëlqim
Zakonet që do t'ju "shpëtojnë" nga fryrja e barkut
5 mite dhe të vërteta rreth sëmundjeve venoze