Ethja reumatizmale, ndërlikimet që sjell në zemër dhe organet e tjera

Genti Xhelili, mjek pediatër reumatolog në QSUT

Ethja reumatizmale ose, siç njihet ndryshe, reumatizmi artikular akut është një sëmundje inflamatore autoimune, e cila zhvillohet si ndërlikim i infeksionit të grykëve nga Streptokoku betahemolitik.

Shfaqet me simptoma të ndryshme: dhimbje, temperaturë, djegje fyti, dhimbje barku, dhimbje kyçesh, gjakderdhja nga hundët, poliartrit, kardite etj, megjithëse në 30% të rasteve sëmundja ka klinikë të dobët dhe është e vështirë të dallohet.

Çfarë ndërlikimesh mund të sjellë për organet e tjera kjo sëmundje?

Përfshirja e zemrës është komplikimi më serioz i ethes reumatizmale si nga sëmundshmëria, ashtu edhe nga vdekshmëria. Ajo mund të kalojë në atë që quhet sëmundja reumatizmale e zemrës dhe kërkon profilaksi të zgjatur, sepse mund të acarohet nga çdo infeksion nga streptokoku.

Si vendoset diagnoza, analizat dhe ekzaminimet e nevojshme?
Duke qene se ethja reumatizmale ka paraqitje të ndryshme dhe mbi të gjitha nuk ekziston asnjë analizë specifike që të konfirmojë diagnozën, do të thotë që diagnoza është klinike, e ndihmuar nga laboratori. Ndonëse ka një debat të madh në botë për diagnozën, vazhdon që të merren parasysh kriteret e “Jonës”. Ato ndahen në dy pjesë: madhore dhe minore.

Madhoret janë: 1) karditi, 2) poliartriti, 3) korea, 4) Eritema Marginate, 5) Nyjet e nënlëkurës.

Kriteret Minore janë: 1) Artralgjia (që do të thotë dhimbje e kyçeve), por që nuk mund të quhet nëse artriti është kriter. 2) Temperatura 3) Rritja e parametrave inflamatore si PCR dhe Sedimenti. 4) Zgjatja e intervalit PR në EKG, por që nuk mund të quhet nëse karditi është kriter. 5) Evidentimi i infeksionit nga Streptokoku (nuk vlen nëse zbulimi i ethes ndodh pas një kohe të gjatë siç mund të jetë Korea ose Karditi Indolent). Evidentimi i infeksionit bëhet me dy mënyra. Ose me Kulturë fyti që është analiza standarde, ose me titrin rritës të ASLO-ve .
Nëse evidentohet prania e infeksionit streptokoksik diagnoza vihet nëse plotësohen: ose dy kritere madhore, ose një kriter madhorë dhe dy minore. Gjithsesi, mungesa e tyre nuk është se e eliminon diagnozën. Pra, sikurse edhe u tha më sipër, jo domosdoshmërisht një titër i lartë i ASLO-ve do të thotë që fëmija vuan nga ethja reumatizmale.

Trajtimi?
Trajtimi i ethes reumatizmale mund të ndahet në 4 pika: 1) trajtimi i shkakut që do të thotë përdorim të antibiotikëve 2) trajtimi i simptomave të përgjithshme: artriti trajtohet me anti-inflamatorë si aspirina, ibuprofeni etj, korea me regjim shtrati, qetësi dhe nëse duhet sedatim acid valproik. 3) Trajtimi i karditit me anti-inflamatorë, kortizon, diuretike 4) profilaksia që kryhet me Dipenin edhe mund të zgjasë nga 5 vjet deri për gjithë jetën.

Çfarë ndodh nëse nuk trajtohet si duhet?
Nëse nuk trajtohet si duhet, dëmtimet në zemër rritin sëmundshmërinë dhe vdekshmërinë.

A mund të kthehet në kronike?

Sikurse u tha më sipër, episodi i ethes akute reumatizmale mund të shndërrohet në atë që quhet sëmundja reumatizmale e zemrës. Kjo e fundit mund të acarohet nga çdo infektim nga Streptokoku dhe të japë probleme në moshën më të rritur./ Shendeti.com.al

Ethja reumatizmale, rreziku për zemrën

Postime të ngjashme

Shqipëria, ndër vendet e Europës që ka më pak shtretër në spitale, pavarësisht popullsisë në rënie
Për herë të parë, turistëve të huaj u vihet tarifë për shërbimet shëndetësore
Reduktim i mjekëve në qendra shëndetësore dhe spitale, reagon Ministria e Shëndetësisë
Vrau 15 pacientë, mjeku dënohet me burgim të përjetshëm! Dëshmia: Mendova se ishte më e mira për ta
Kur një nënë e kuptoi menjëherë se vajza e saj ishte dhunuar, pse nuk u aktivizuan mekanizmat e sistemit shëndetësor?
Raporti i OBSH-së: Rastet e kancerit pritet të rriten ndjeshëm në mbarë botën
E sëmura me kancer në protestë: Jep para për koncert dhe nuk rimburson ilaçet tona
5 kura shtëpiake për pickimet e mushkonjave