Fekondimi in vitro, shpresa e çdo çifti për të pasur fëmijë

Bebet në provëza janë një risi e teknologjisë mjekësore që u jep mundësinë çifteve të kenë fëmijë. Mjeku Erlin Kurti shpjegon për “Shëndet+” procedurat për prindërit e rinj

Aishe Thartori

Shumë çifte mund të hasin probleme përsa i takon ngjizjes së shtatzënisë apo ardhjes në jetë të trashëgimtarëve të tyre. Por falë shkencës së mjekësisë, kjo gjë mund të ndreqet mjaft mirë tanimë edhe në vendin tonë. Për të gjithë ato çifte ku natyra nuk mund të kryejë “punën” e saj vjen në ndihmë “fekondimi in vitro” ose siç njihet ndryshe me termin “bebe në provëza”. Kjo procedurë është e mundur tek ne që prej viteve 2002-2003. Mjeku obstetër-gjinekolog pranë maternitetit “Mretëresha Geraldinë”, Erlin Kurti, në një intervistë të dhënë për gazetën “Shëndet Plus” shpjegon shkaqet që çojnë drejt infertilitetit dhe përfitimin që kanë çiftet nga procedura e fekondimit in vitro.

Erlin Kurti (7)Doktor, çfarë është infertiliteti?

Infertilitet sipas një klasifikimi të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, konsiderohen të gjitha çiftet në moshën e riprodhimit të cilët kryejnë marrëdhënie seksuale të rregullta brenda një viti dhe nuk konceptojnë shtatzëni. Ky konsiderohet çift infertil. Vetë infertiliteti klasifikohet si infertilitet primar dhe sekondar. Infertilitet primar është infertiliteti kur tek ai çift nuk ka ndodhur asnjëherë shtatzënia pavarësisht të gjitha përpjekjeve, ndërsa infertiliteti sekondar konsiderohet infertiliteti i mbivendosur pas një lindjeje ose pas një shtatzënie normale.

Cilët janë faktorët që çojnë drejt infertilitetit?

Faktorët të cilët çojnë drejt inferitilitetit janë të shumtë. Praktikisht kemi të bëjmë me faktorë femërorë dhe faktorë mashkullorë. Sot në botë klasifikimi është i tillë që 51% e femrave dhe 49% e meshkujve janë faktorë infertiliteti. Asnjëherë nuk mund të thuash siç ka qenë dikur që faji për infertilitet apo për pamundësi shtatzënie është gjithmonë i femrës. Jo, në asnjë mënyrë. Patologjia është e shpërnadarë dhe është pothuajse e barabartë.

Faktori moshë është një faktor i rëndësishëm që ndikon në infertilitet. Mbi moshën 35 vjeç fertilizimi bie (koncepsioni ose ngjizja) në një masë të konsiderueshme tek femrat. Faktorë infertiliteti konsiderohen abortet e kryera më parë, infeksione të ndryshme të traktit gjenital, veçanërisht ata që shkaktojnë edhe mbyllje të tubave ose okluzion tubar. Janë sëmundje të ndryshme të aparatit gjenital për shembull tumore të ndryshme të aparatit gjenital, duhanpirja etj.

prinderInfertiliteti mashkullor ka të bëjë me pamjaftueshmërinë e qelizave mashkullore (spermatozoideve), e numrit të tyre, shpejtësisë etj, ku përveç sëmundjeve të ndryshme sistemike si varigocila, kalimi i disa sëmundjeve infektive parotiti, ndërhyrjet kirurgjikale në moshë të vogël dhe dëmtimet që mund të shkaktohen në rrugët spermatike, alkooli, duhani, përdorimi i lëndëve narkotike.

Faktorë risku për infertilitet është gjithashtu edhe fillimi i hershëm i jetës seksuale, po ashtu multipartneriteti, mospërdorimi i prezervativit, shtatzënitë e padëshiruara në rininë e hershme, martesat e vona ku në vendin tonë po ndodh që për shkak të karrierës çiftet vendosin ta nisin jetën në moshë pak më të vonshme që është 30-35 vjeç. Mosha më e mirë fertile është ajo 20-30 vjeç.

Infertiliteti bashkëshortor, gati-gati në 30 % të rasteve mund të themi është idiopatik (pa shkak).

Çfarë është FIV ose Fekondimi in vitro?

FIV është një procedurë që realizohet në kushte laboratorike. Kjo procedurë konsiston në marrjen e vezëve (ovocideve) tek partnerja femër dhe e spermatozoideve tek partneri mashkull dhe bashkimi i tyre në mënyrë të orientuar nga e cila përftohet formimi i embrionit. Më pas merret ky embrion dhe implementohet në kavitetin uterin.

Përsa i takon pjesës së çiftit për të realizuar apo zgjidhur problemin e tyre me anë të fekondimit in vitro, ku duhet të drejtohen dhe si mund të zgjidhet problemi?

Problemet e infertilitetit bashkëshortor duhet të trajtohen në mënyrë dinamike nga mjekët specialistë, sepse ka  elemente dhe përfitime shumë të mëdha në trajtimin e infertilitetit paraprakisht. Nëse një çift trajtohet në mënyrë korrekte dhe diagnoza është e saktë mundet që çifti të përfitojë një shtatzëni.

Unë kam asistuar çifte të cilët kanë pasur 5-6 vjet infertilitet dhe kanë arritur që të kenë një shtatzëni krejt normale. Por grupi i pacientëve që janë afër ose mbi moshën 35 vjeç, koha e pritjes duhet të jetë jashtëzakonisht e vogël, pra nuk duhet të kemi shumë kohë pritjeje, sepse risku për të konceptuar një shtatzëni është jashtëzakonisht i vogël.

Pra, nëse ka çifte, sidomos gra mbi 35 vjeç, ne duhet të tregohemi sa më të kujdesshëm dhe koha që i kushtojmë terapisë dhe diagnozës nuk duhet të jetë shumë e gjatë, duhet të jetë sa më e shkurtër me qëllim që të vendosim një diagnozë efikase që çifti të shkojë drejt fekondimit in vitro. Sigurisht, duhen eliminuar edhe elementet abuzive, sepse jo çdo çift infertil mundet dhe duhet të bëjë FIV (fekondim in vitro).

perkedhelje 1Cila është faza përgatitore që duhet t’i nënshtrohet një çift?

Çifti duhet t’i nënshtrohet disa ekzaminimeve paraprake duke filluar që nga ekzaminimet e thjeshta, si: ekografia, vlerësimi i funksionit hormonal, niveli i spermogramës tek partneri mashkull etj. Të gjitha këto duhet të përfshihen në dinamikën e vlerësimit të cilat do t’i bashkëngjiten një sërë ekzaminimeve të tjera që mund të jenë edhe të dhënat gjenetike të çiftit, sepse ajo çka synohet është përfitimi i një embrioni sa më të përshtatshëm, pa anomali. Përgatitjet fillojnë pasi këto ekzaminime rezultojnë në normë.

Janë dy protokolle që përgatisin gruan për fekondimin in vitro, janë protokolle të shkurtra dhe protokolle të gjata. Në protokollet e shkurtra futen ato çifte të cilat janë diagnostikuar qartë dhe problematika e tyre është e njohur dhe nuk ka nevojë për ta zgjatur në kohë por fillohet menjëherë stimulimi i ovarit me qëllim që të përftohet një numër sa më i madh vezësh (ovocitesh).

bebi me maminNë ç’mënyrë bëhet stimulimi i ovocideve (vezëve)?

Janë disa medikamente të cilat stimulojnë ose nxisin ovulacionin të cilat fillohen që nga fillimi i ciklit menstrual dhe vazhdojnë deri rreth ditës së 11-14 dhe aty duke e vlerësuar ekografikisht ditë për ditë ose një herë në dy ditë rritjen e folikujve në varësi të protokolleve dhe bëhet vlerësimi i niveleve hormonale.  Nëse rritja e folikujve dhe vlerat hormonale janë në raporte të drejta, atëherë jemi në rrugë të mbarë për të përfituar sa më shumë folikuj (vezë) të cilat janë efektive për të realizuar fekondimin.

Kur folikujt janë në dominancë, pra kur folikujt janë të rritur në maksimum, atëherë kalohet në procedurën e cila quhet “marrja  e vezëve”. Marrja e vezëve realizohet me një anestezi endovenoze të thjeshtë, bëhet një shpim në duplas nën drejtimin ekografik. Shpohen të gjithë folikujt dhe nëpërmjet aspiracionit përftohet veza. Këto vezë të përfituara i nënshtrohen një ruajtjeje në temperatura konstante, në ambiente sterile, nën vëzhgimin e biologut i cili bën përgatitjen e embrioneve në kushte laboratorike.

Më pas merren edhe spermatozoidet dhe  bëhet i mundur formimi i embrioneve. Janë disa mikroskopë X të cilët marrin një spermatozoid dhe e fusin direkt në vezë, pra, nuk lihet spermatozoidi i lirë në ambient për ta zgjedhur vetë vezën, por merret spermatozoidi, shpohet veza dhe vendoset brenda saj. Kjo është sot teknologjia më bashkëkohore përsa i takon FIV.

Jepet mundësia që të formohen disa embrione dhe në ditën e dytë, pra 24-48 orë, bëhet vlerësimi i embrioneve në inkubator dhe klasifikimi i tyre, duke u nisur nga disa kritere (vlerësimi).

Embrionet më të mira të përfituara janë gati për implementim në mitrën e gruas. Kjo është një procedurë jo traumatike, nëpërmjet një pipete shumë të hollë, merren embrionet dhe inplementohen në brendësinë e mitrës ku mukoza është e trashë dhe e përgatitur për të pritur embrionet dhe implementimin e tyre.

perkedhelje 2Sa embrione mund të konceptohen nga FIV-i?

Zakonisht sot në botë ka një diskutim të gjerë përsa i takon numrit të embrioneve. Ka vende dhe shtete që kanë ligje të caktuara ku vendosin kritere për numrin e embrioneve që mund të inplementohen, ka vende siç është Japonia me fetus unik (1 embrion) apo Evropa dhe Amerika të cilat e kanë me dy embrione, ndërsa në vende të pazhvilluara siç jemi ne, kjo është variabile mund të jetë 3 ose 4 embrione. Por në të tilla raste shtatzënia është mjaft e riskuar dhe ka telashe përgjatë rrugës. Prandaj gjithmonë mendohet të jetë 1 ose 2 embrione.

Po në rastet kur prindërit kanë sëmundje të trashëgueshme, a mund të “modifikohet” ky fakt përmes fekondimit?

Në rastet kur partnerët kanë një sëmundje të trashëgueshme që mund ta mbarti njëri partner ose tjetri, ose të dy, atëherë çifti mund të konceptojë një shtatzëni me anë të ovocideve dhe spermatozoideve donatore. Në botë ka banka sperme dhe vezësh të cilat normalisht, sipas rregullave ndërkombëtare mund të tërhiqen dhe mund të analizohen. Sikundër janë edhe rastet e huazimit të mitrës, ku merren vezët e nënës së bashku me spermatozoidet e të atit dhe procesi realizohet në mitrën e një femre tjetër.

Cilët janë ata faktorë që ndikojnë në suksesin e një shtatzënie të konceptuar me anë të FIV-it?

Janë një mori faktorësh të cilët ndikojnë në suksesin e një shtatzënie me anë të FIV-it, si : mosha e çiftit, gjendja shëndetësore e çiftit, cilësia e  embrioneve, numri i embrioneve, teknologjia biologjike ose kushtet laboratorike dhe biologu, kualifikimi i stafit etj. Suksesi sot i fekondimit in vitro, sipas statistikave evropiane, shkon rreth 30%.

Sa të shëndetshme janë shtatzëni të tilla?

Diskutohet për një lloj brishtësie në lindje, por në përgjithësi këto janë bebe të shëndetshme dhe janë të barabarta në risqe si të gjitha bebet e tjera.

Pas sa kohësh mund të merret përgjigjja nëse FIV-i ka rezultuar i suksesshëm?

Nga fillimi i implementimit deri në marrjen e rezultatit zgjat rreth dy javë. Më pas bëhet një analizë që quhet Beta HCG dhe nëse analiza rezulton pozitive, atëherë kemi një shtatzëni.

A ka raste kur nuk mund të aplikohet FIV?

Në përgjithësi bota sot e përjashton pamundësinë e një shtatzënie. Në tërësi sot shkenca ka arritur në nivele të tilla ku mjafton që grua të ketë mitër, patjetër që duhet të lindë fëmijë.

bebatOfrohet Fekondimi in Vitro në Shqipëri?

Sot për fat të mirë edhe në Shqipëri kemi mundësi që çifteve t’i ofrohet ky shërbim në nivele të larta, pasi janë një numër i konsiderueshëm qendrash dhe klinikash (private) që merren me fekondimin in vitro. Si procedurë FIV ka filluar të aplikohet në vendin tonë rreth viteve 2002-2003.

A realizohet në spitalet publike Fekondimi in Vitro?

Në shtet nuk realizohet, pasi është një teknologji e avancuar dhe kërkon aparatura të kushtueshme. Potencialet njerëzore janë, por praktikisht mungon infrastruktura.

Postime të ngjashme

“Kam takuar pacientët e Onkologjikut pa zhurmë dhe media” – Ministrja e Shëndetësisë: Është rialokuar fond 200 mln lekë për barnat
Indeksim vjetor të pagave, Rama: Në shëndetësi do nisë edhe llogaritja e vjetërsisë në punë
Raporti i OBSH: “Epidemia” e obezitetit në Shqipëri, 1 në 3 fëmijë mbipeshë
Pamje alarmante/ Fëmijët mbledhin sasi të mëdha barnash nga koshi i plehrave pranë spitalit
Ngacmoi s*ksualisht pacienten, lirohet nga detyra mjeku
KE publikon progres raportin: Shqipëria të rrisë burimet financiare dhe njerëzore për sektorin e shëndetësisë
Falsifikuan dokumente për të përfituar para nga fondi i barnave të rimbursueshme, disa të arrestuar!
ChatGPT nuk do të japë më këshilla mjekësore! Ja çfarë parashikon rregullorja e re