*Petrit Drini, fizioterapist
Fizioterapia dhe profesioni i fizioterapistit njihen që në çerekun e shekullit të kaluar dhe marrin rolin dhe rëndësinë që kanë sot pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo nuk është rastësi. Gjatë luftës dhe pas saj kishte një kërkesë të madhe për fizioterapistë ëe duhej të ndihmonin të plagosurit dhe të dëmtuarit nga lufta për t’u riaftësuar.
Fisio (trup-natyrë) – terapi (kurë)
Por çfarë është fizioterapia, çfarë trajton, si përkufizohet profili i fizioterapistit.
Fizioterapisti është një punonjës sanitar, në zotërim të diplomës së nivelit universitar, që zhvillon aktivitetin e tij në mënyrë autonome ose në bashkëpunim me figurat e tjera të sanitare për të parandaluar, kuruar dhe rehabilituar problemet dhe çrregullimet në aparatin lëvizës, funksionet e sistemit nervor qendror (SNQ), organeve (si rezultat i patologjive të ndryshme), si dhe të problemeve të lindura ose të fituara më vonë.
Fizioterapisti bazuar mbi kompetencat e tij profesionale mund:
– Të punojë si pjesë e një ekipi të formuar nga shumë disiplina të tjera sanitare. Ortopedë, infermierë, fiziatër, lokopedist, pediatër, psikolog etj.
– Të përcaktojë programet e rehabilitimit të përshtatura në nevojën e pacientit me paaftësi (shpesh të individualizuara).
– Të punojë në mënyrë të pavarur në rehabilitimin funksional të çrregullimeve motorike, psikomotorike dhe konjitive, duke përdorur terapinë fizike (instrumentale ), manual (masazhe, mobilizime, manipulime) dhe terapinë okupacionale (në kushte shtëpie ose institucioni)
– Propozon dhe aprovon përdorimin e protezave dhe mjeteve të tjera ndihmëse për përdorim, që ndihmojnë efikasitetin e rehabilitimit.
Ndjekja e edukimit të vazhdueshëm profesional është një kërkesë e Ministrisë së Shëndetësisë që ndihmon rritjen e vazhdueshme profesionale të fizioterapistit.
Zhvillimi i madh që ka marrë fizioterapia në dekadat e fundit, tregon për nevojën që ka sistemi shëndetësor për këtë degë të veçantë të saj. Në Evropën Perëndimore ku intensiteti i punës është i lartë, nevoja për një kurim të problemeve të aparatit lëvizës bën që roli i fizioterapisë të jetë parësor.
Në Shqipëri fizioterapia e mirëfilltë i ka fillesat e saj pas Luftës së Dyte Botërore dhe konsiston në eksperiencat e marra nga periudha sovjetike që për kohën ishin mirë të avancuara. Ndryshimet e ndodhura në 2-3 dekadat e fundit kanë të bëjnë jo vetëm me teknologjinë e avancuar, por edhe me futjen e metodave bashkëkohore rehabilituese, përfshirjen në rehabilitimet fizioterapike të shumë patologjive të tjera që deri më dje janë trajtuar me terapi medikamentoze ose ndërhyrje kirurgjikale.
Kultura e trajtimit medikamentoz është e vjetër dhe e thellë në Shqipëri. Fizioterapia në patologjitë e shumta që ajo trajton tenton të ndryshojë këtë realitet dhe të kthejë përsëri mbapsht kurimin fizik që qëndron aq afër me natyrën dhe origjinën e njeriut.
Një klasifikim i patologjive që trajtohen shumë mirë me anë të fizioterapisë do të qartësojë më mirë fushën e gjerë ku mund të aplikohet fizioterapia.
a – Dëmtimet sportive – dëmtim menisku, ligamentesh, kupa e gjurit, dëmtim i kaviljes të shkallëve të ndryshme, dëmtime muskulare direkte ose indirekte, fraktura, shembje etj.
b – Rehabilitimi post operativ. Vendosja e protezave të ndryshme si psh, proteza e këllkut, gjurit, kokës së krahut. Ndërhyrje kirurgjikale për riparim tendinash, ndërhyrje onkologjike, ndërhyrje kardio-pulmonare frakturash etj.
c – Trajtim i diskopative, hernia diskale, spondiliartrozave, proceseve degjenerative të moshës, si: artrozat artikolare.
d – Rehabilitimi i aksidenteve cerebrovaskulare- Ictus cerebral (infrakti cerebral/ hemorragji cerebrale)
e – Trajtimi i para dhe disformizmave. Skoliozat e shtyllës kurrizore, ndryshimet e posturës së personit,
f – Trajtimi i problemeve të lindura si këmbët e shtrembëruara (piedi torti), paralizat infatile, çrregullimet e posturës, lëvizjes etj.
g – Trajtimi i problemeve idiopatike. Janë ato probleme që nuk arrijnë të identifikohen dhe të diagnostikohen saktësisht.
Konsulta me fiziterapistin është e nevojshme për përcaktimin e diagnozës dhe vendosjen e programit të trajtimit terapik.
Në shkrimet në vazhdim do të trajtohen një nga një të gjitha problemet shëndetësore që mund të trajtohen me fizioterapi, si dhe do të shpjegojmë si ndërtohet një trajtimi fizioterapik. Në ndihmë të pacientëve jemi të gatshëm të ndihmojmë me përgjigjen e pyetjeve që qytetarët mund të kenë në këtë fushë dhe do të japim këshillat e duhura për ato probleme që ndeshen më së shumti në jetën e përditshme të qytetarëve.
