“Duke qenë se ndotja e ajrit është shumë e lartë, tejet mbi normat e lejuara, mendoj se gjithsecili prej nesh duhet të kontribuojë sidomos duke përdorur transportin urban, biçikletën dhe ecjen në këmbë.
Përfaqësues të shoqatës “Together for Life” prezantuan për nxënësit disa informacione interesante lidhur me ndotjen e ajrit, burimet e ndotjes, situatën aktuale, vlerat mesatare vjetore të ndotjes krahasuar me normën vjetore të BE, si dhe shfaqën një dokumentar të shkurtër të animuar për të paraqitur në mënyrë më të thjeshtë pasojat e ndotjes në shëndetin dhe jetesën e gjithsecilit.
“Shpesh herë unë dhe bashkëmoshatarët e mi marrim pjesë në aktivitete mjedisore, sidomos në ato që organizon bashkia dhe e shohim këtë si një mënyrë për të kontribuar për një qytet më të pastër, më të shëndetshëm në të ardhmen. Megjithatë mendoj se duhet bërë një punë më e madhe në sensibilizimin e shoqrisë”, tha për gazetën “Shëndet+” Arbër Gjonaj, një nga nxënësit e gjimnazit Aleks Buda.
Gjatë diskutimit dhe shkëmbimit të eksperiencave personale lidhur me këtë çështje, nxënësit folën më konkretisht për gjërat që i shqetësojnë lidhur me ndotjen e ajrit në zonën e Laprakës ku jetojnë pjesa më e madhe e tyre. Ata gjithashtu veçuan dhe vlerësuan rëndësinë e ndarjes së mbeturinave në kosha sipas materialit, duke i vendosur notën 10 kësaj nisme të Bashkisë së Tiranës.
Ata shprehën gjithashtu vlerësim për trajnimet lidhur me çështjen e mjedisit që zhvillohen në shkollën e tyre herë pas herë dhe shprehën dëshirën të mbahen sa më shumë të tilla në të ardhmen./ shendeti.com.al


