Një studim i ri sugjeron se konsumimi i një sasie të vogël të çokollatës të zezë në mënyrë të rregullt mund të ndihmojë në uljen e rrezikut për të zhvilluar diabetin tip 2.
Studimi përfshiu rreth 192,000 të rritur pa diabet tip 2, të cilët plotësuan një seri pyetësorësh mbi zakonet e tyre të ushqyerjes, duke përfshirë sasinë dhe llojin e çokollatës që konsumonin. Gjatë periudhës së ndjekjes rreth 34 vjet, rreth 19,000 persona zhvilluan diabet tip 2.
Përgjithësisht, ata që konsumonin të paktën pesë porcione në javë të çdo lloji çokollate kishin 10 përqind më pak mundësi të zhvillonin diabet tip 2 krahasuar me pjesëmarrësit që konsumonin rrallë ose aspak çokollatë, sipas gjetjeve të botuara në The BMJ.
Megjithatë, kur studiuesit analizuan më nga afër një grup prej rreth 112,000 pjesëmarrësish që dhanë informacione më të detajuara rreth llojit të çokollatës që konsumonin, ata gjetën një reduktim të rrezikut për diabet vetëm me çokollatën e zezë. Ata që konsumonin të paktën pesë porcione në javë të çokollatës së errët kishin 21 përqind më pak mundësi të zhvillonin diabet tip 2. Nga ana tjetër, çokollata me qumësht nuk ishte e lidhur me ndonjë ulje të rëndësishme të rrezikut dhe ishte e lidhur me shtimin në peshë.
PSE ÇOKOLLATA E ZEZË?
Kakao, qw është më e pranishme në çokollatën e zezë sesa në llojet me qumështit, është e pasur me komponime bimore të quajtura polifenole. Këto kanë veti anti-inflamatore dhe anti-oksiduese dhe luajnë një rol në ndihmesën e trupit për të rregulluar sheqerin në gjak, thotë Binkai Liu, autori kryesor i studimit, një hulumtues në Shkollën e Shëndetit Publik T.H. Chan të Harvardit.
“Këto komponime polifenole ka shumë mundësi që të luajnë një rol kyç në uljen e rrezikut për diabet tip 2,” thotë Liu. “Nuk ka nevojë të ndaloni plotësisht së ngrëni çokollatë me qumësht, por sugjerojmë që çokollata e zezë të jetë opsioni më i shëndetshëm për dashamirësit e çokollatës.”
Sasia më e madhe e kakaos dhe polifenoleve në çokollatën e zezë mund të kompensojë pjesërisht efektet negative të sheqerit dhe yndyrnave të ngopura që janë zakonisht të pranishme në çdo lloj çokollate, thotë Toby Amidor, dietologe dhe autore, e cila nuk ishte pjesë e studimit.
SA ÇOKOLLATË TË ERRËT MUND TË HA ÇDO DITË?
Moderimi është çelësi edhe me çokollatën e zezë.