Herpes zoster: Sëmundja e dhimbjeve të forta të natës

Denisa Canameti

Sëmundja fillon me dhimbje të forta, të padurueshme që ecin gjithmonë sipas inervimit të zonës ku do të shpërthejë. Nëse shpërthen në kurriz, atëherë dhimbja është me drejtim nga shtylla kurrizore dhe endet në formën e brinjëve, sepse në pjesën e traktit të mushkërive, i tillë është inervimi, domethënë dalin nervat nga shtylla kurrizore në gjatësinë e brinjëve. Dhimbja mund të dalë kudo, mund të dalë në pjesën e gjoksit, në fund të belit , në pjesën e barkut etj. Janë dhimbje përpëlitëse, ndonjëherë edhe në kokë, me intensitet të lartë natën.
Bëhet fjalë për herpes zosterin ose, e njohur ndryshe në popullatë, sëmundjen e zjarrit të natës. Mosha e tretë është më e prirur për t’u prekur nga kjo sëmundje, por nuk përjashtohen as të rinjtë.
Infeksionistja e Poliklinikës së Specialiteteve numër 3, në Tiranë, Imelda Zeqo, tregon se ka trajtuar edhe të rinj adoleshentë. Një stres i zgjatur apo një sëmundje e instaluar ulin rezistencën e trupit e për pasojë ndikojnë në shfaqjen e zjarrit të natës.
Sëmundja nuk ndikon as për jetën, as mbi shëndetin. Por e vetmja gjë që pacienti duhet të durojë në këtë rast, është dhimbja që mjekët  e quajnë neuralgjia postherpetike. Nuk klasifikohet tek sëmundjet e lëkurës, edhe pse shfaqet me shenja në lëkurë. Zakonisht nuk përsëritet dy herë.
Në shumicën e rasteve, ky virus kalon vetëm një herë në gjendje shpërthyese, por nuk përjashtohet mundësia që në pacientë me imunitet të kompromentuar të ketë edhe një etapë tjetër. Janë të rralla rastet, kur pacienti kalon për herë të dytë një herpes zoster.

Doktoreshë, kur është më e shprehur sëmundja e zjarrit të natës, a ka sezonalitet?
Sëmundja e zjarrit është një patologji që ne e hasim gjatë gjithë vitit. Nuk mund të thuash që ka sezonalitet. Thuajse çdo ditë kemi raste pacientësh me herpes zoster.

A e njohin njerëzit sëmundjen? A arrijnë të vijnë ata në kohë?
Po, fakti që njerëzit lexojnë, ka ndikuar shumë që ata ta njohin sëmundjen dhe të vijnë te ne edhe kur sëmundja është në kuadrin e dhimbjeve, pa shpëthyer në lëkurë. Herpes zoteri është një sëmundje virale, në momentin kur shpërthejnë elementët në lëkurë, atëherë vendoset diagnoza 100% dhe atëherë fillohet me mjekim. Sepse ka shumë raste që ankojnë vetëm dhimbje.

Meqë nis me dhimbje, a ndodh që të ngatërrohet me patologji të tjera?
Ndodh. Nëse del në pjesën e gjoksit të ngatërron dhe me një problem kardiak dhe me një problem pulmonar, nëse është në pjesën e belit, të mesit, të ngatërron qoftë me një problem reumatizmal, qoftë me një kolikë renale, sepse ka dhimbje goxha të forta. Por fakti që është dhimbje djegëse dhe dhimbje që shkon me intensitet më të lartë natën, prandaj njihet si zjarri i natës, të shkon mendja që kemi të bëjmë me zjarrin e natës, me herpes zosterin.

A përsëritet?
Jo. Që të përsëritet në një herë të dytë është shumë e rrallë.

Sa zgjat si sëmundje që prej kohës së shfaqjes së simptomave të para e deri në trajtimin e plotë?
Zakonisht, elementët në lëkurë ne i mjekojmë për një javë, me tablet nga goja. Ndërsa dhimbja është ajo që persiston edhe pasi elementet në lëkurë zhduken. Nuk mund të thuash që do të zgjasë një javë, nuk mund të thuash që do të zgjasë një muaj apo më shumë pasi është një patologji që vihet re në momentin kur sistemi imunitar është i dobët ose i kompromentuar edhe nga ndonjë patologji tjetër. Për shembull, në shumë raste e hasim në një diabetik, duke qenë se diabeti është prezent, kuptohet që ul rezistencën dhe shfaqet zjarri i natës. Kështu që nuk mund të themi se sa zgjat, sepse varet nga imuniteti i gjithsecilit.

A prek vetëm moshën e tretë?
Jo, mund të jenë edhe moshat e reja. Kam pasur raste edhe adoleshentë. Ka qenë një adoleshent obez, goxha i shëndoshë dhe në momentin që ka mbajtur dietë, ka rënë në mënyrë drastike, vjen menjëherë te zosteri. Megjithatë, themi që është karateristike për moshat e treta duke qenë se imuniteti aty është më i ulët.

A njihen shkaktarët?
Shkaktar është një virus, variçela zoster virus. E shpërthen edhe një patologji, edhe një gjendje stresi. Shumë pacientë ankojnë që kanë kaluar në një stres të madh para se të shfaqej. Dhe në persona që kanë patologji të tjera.
Në momentin që ne shohim zosterin në një moshë të re, mund të jemi në një terren të një HIV/AIDS. Pra, kur nuk ka një sëmundje sekondare, një stres dhe plotëson një anamnezë, atëherë dyshojmë për një HIV/AIDS.

A ka komplikacione kjo sëmundje, nëse po cilat janë?
I vetmi komplikacion që ka zjarri i natës, është ajo që ne e quajmë neuralgjia post-herpetike, që ngelet edhe pasi elementet e lëkurës janë pastruar.
Herpes zoster ka vetëm faktin që, duke qenë që prek nervin si patologji, nervi nuk rigjenerohet aq shpejt sa rigjenerohet lëkura. Prandaj ajo dhimbja vazhdon për një kohë të gjatë. Ndodh që të më vijnë dhe pas një viti pacientët dhe thonë, doktoresha, kjo dhimbja akoma më ngacmon, akoma e ndiejmë.

Si qetësohen këto dhimbje?
Në momentin që është një dhimbje e fuqishme dhe vazhdon e persiston, ne bashkëpunojmë edhe me neruologun, neuralgjia post-herpetike ndiqet edhe nga neurologu me preparate neurologjike dhe që arrijnë ta qetësojnë.

Postime të ngjashme

5 ushqime që mund të bëhen të rrezikshme nëse nuk gatuhen siç duhet
AKU bllokon çokokremin "Nudossi" me përmbajtje salmonele
Gjendet helm minjsh në ushqimin për bebe, tërhiqen nga tregu kavanozët me pure
Turqia, destinacion global për shërbime mjekësore: Anadolu Medical Center, lider në këtë rrugëtim
Gjashtë këshilla të provuara shkencërisht për një tru të shëndetshëm
Trajtimi psikosocial dhe shëndetësor i dhunuesve: hallka e munguar për thyerjen e ciklit të dhunës
Përdorimi i bimëve mjekësore në trajtimin e çrregullimeve të sistemit tretës
 Nga bananet te çokllata e zezë, 6 ushqime që ulin nivelet e stresit