Ilda Pepi: E dua Korçën çdo ditë e më shumë

Bisedoi: Elena Beta

Janë rolet në “Portokalli” ato që e bënë të njohur dhe të dashur për publikun Ilda Pepin, vajzën nga Korça, për të cilën të gjithë ata që e njohin mund të thonë pa frikë se në damarët e saj rrjedh art. E ardhur nga një familje artistësh, Ilda ka spikatur që në fëmijëri me pasionin e saj për recitimin, kërcimin, aktrimin, gjë që e bënte të ëndëronte gjitmonë se një ditë do të kishte vendin e saj në botën e televizionit dhe teatrit si një personazh i dashur për publikun. Në një intervistë për gazetën “Shëndet +” Ilda rrëfen më shumë për veten e saj, pasionin për teatrin, dashurinë për qytetin e saj të lindjes Korçën, si dhe zbulon një pasion tjetër që e shoqëron gjithmonë: atë për t’u veshur dhe kombinuar gjithmonë me shije dhe stil të veçantë.

Ilda, çfarë simbolizon fjala shëndet për ty?

Shëndeti është një nga gjërat kryesore, sidomos për aktorët, kjo pasi aktorët e kanë trupin e tyre vegël. Nëse kemi një muzikant i cili akordon kitarën, aktori punon me trupin e tij para se të dalë në skenë me ngrohjen e zërit, muskujve të trupit. Është gjëja kryesore.

A mendon se ushqehesh si duhet?

Gjithmonë kam pasur probleme me të ushqyerin sepse kam qenë vajzë shumë e përkedhelur në familje. Të them të drejtën kohët e fundit kam filluar të kem më shumë kujdes me ushqimin pasi fatmirësisht brenda ambienteve të “Top Channel” ku unë punoj momentalisht, ndodhet një mensë ku mund të marr ushqim të sigurt dhe të shëndetshëm. Nuk e përdor fare bukën, sepse po vjen vera dhe sigurisht përpiqem të mbaj trupin në formë. Ha shumë perime të ziera, sallata e cila është dhe ushqimi më i rëndësishëm për mua dhe më i dashur.

Po njerëzve të tjerë çfarë u rekomandon?

Sallata dhe frutat janë ato që i nevojiten trupit për një shëndet sa më të mirë.

Ilda, di të gatuash?

Di. Kur filloj të gatuaj, e marr shumë seriozisht. Si i themi ne në Korçë, i tarnanisim mirë gjërat. Nuk gatuaj shpesh pasi në shtëpinë time gatuan gjithmonë babai dhe kam fatin ta gjej drekën gati.

Përveç sallatës cili është një ushqimi që do ta konsumoje gjithmonë pa t’u mërzitur?

Patatet e skuqura (qesh)

Ti rrjedh nga një familje artistësh, të ka ndikuar ky fakt në rrugën që ke ndjekur drejt aktrimit?

Babai im, Andrea, ka punuar për 11 vite aktor në qytetin e Fierit. Më pas është kthyer në Korçë ku ka punuar dhe atje për disa vite, e larguan për shkaqe politike, mbas 8 vitesh u rikthye si drejtor i shtëpisë së pionierit ku u largua përsëri për shkaqe politike, edhe pse shtëpia e pionierit i shndërrua komplet. Më pas ka punuar në një shkollë ku jepte mësime arti. Ai ka shkruar 13 libra për fëmijë dhe karrierën e tij e mbylli në teatrin e korçës. Të gjithë aktorët gjëja e parë që i mësojnë fëmijës është si të recitojnë bukur, të kërcejnë bukur. Unë e kam gjithçka të trashëguar nga babai. Që e vogël kam qenë pjesë e qendrës kulturore për fëmijë dhe vendosa të mos e lija në mes, pasi, siç thonë, bëj atë që di të bësh më mirë dhe ajo që unë bëja më së miri ishte aktrimi.

Shumica e publikut të njeh nga rolet e tua në Portokalli. Roli i studentes nga Korça dhe së fundmi roli i sekretares së Bukrës. Kush të propozoi për t’u bërë pjesë e spektaklit “Portokalli”?

Isha në javën e fundit të masterit dhe po përgatisja diplomën. Kam pasur fatin që kam qenë pjesë në një shfaqje në teatrin e Korçës ku jam njohur me Ledio Lakon, i cili ishte në rolin e Ramadan kafshës dhe i duhej një personazh me një dialekt ndryshe nga dialekti i tij, siç ishte Dhoqina nga Patosi dhe ai më zgjodhi mua. Ndërkohë edhe Altin Basha ka qenë pedagogu im dhe së bashku më dhanë mundësinë të bëhem pjesë e Portokallisë.

Pas një pushimi, këtë sezon je rikthyer përsëri në Portokalli. Më fol pak për rolin tënd atje?

Këtë radhë jam në rolin e sekretares së Bukrës. Një vajzë e cila bie ndesh gjatë gjith kohës me Bukrën dhe “injorancën” e saj, e cila pavarësisht se është në pozicion drejtues, nuk ka ndonjë profesionalizëm që e karakterizon. Ky është një rol që është pritur mirë nga publiku dhe mua kjo më gëzon pa masë.

Ti gjithashtu ke qenë imazhi i “Zonja Z”, një nga librat e shkrimtarit Albatros Rexhaj, më të pëlqyer nga publiku. Si lindi bashkëpunimi?

Albatrosi ishte duke kërkuar për një imazh për kopertinën e  librit të tij. Në muajin dhjetor realizuam një set fotosh në një godinë të vjetër. Mund të them se nuk ecja dot nga e ftohta (qesh) pasi u deshën disa orë punë në mënyrë që të dilte ajo foto që duhej. Albatrosi ra dakord menjëherë sapo pa foton dhe u gjenda kështu në kopertinën e një libri si zonja Z.

Dimë se ndërkohë je e angazhuar paralelisht dhe tek teatri i Korçës. Ç’ mund të thuash për punën atje?

Kam më shumë se 2 vite që jam pjesë e teatrit të Korçës. Korçën e dua çdo ditë e më shumë. E shoh çdo ditë ndryshe, e ndryshojnë aktivitetet, ndryshon çdo fundjavë nga njerëzit që e frekuentojnë. Mund të them se ndjehem shumë mirë atje. Së bashku me aktorët e qytetit tim jemi duke punuar edhe për “rin-shoë”, për mua është viti i dytë ky, vitin e parë morëm dhe çmim.

Një kërkim i shpejtë në profilin tënd në Facebook dhe Instagram të bën të kuptosh që ti ke një stil të veçantë. Si ka lindur kjo “dashuri e madhe” për t’u kombinuar dhe veshur bukur në çdo moment?

Kur isha e vogël, nuk kishte shumë mundësi veshjesh dhe mami me qepte fustane që i modelonte vetë. Ajo më ka mësuar të vishem ndryshe. Më pëlqen t’i modifikoj të gjitha rrobat, t’i pikturoj dhe t’i gris pantallonat…

Ç’mendon për operacionet plastike?

Nuk i paragjykoj njerëzit që i aplikojnë, absolutisht jetojmë në një kohë ku gjithsecili prej nesh është i lirë të zgjedhë. Por nuk do t’i nënshtrohesha kurrë një ndërhyrjeje, edhe pse ndonjëherë nuk më pëlqen vetja.

Cilat janë sfidat e artistëve të rinj, sapo ata dalin në treg?

Mund të them se përballen me pak teatro, rroga shumë të ulta,  me breza të ndryshëm që herë i mirëpresin, herë i keqpresin.

Një mesazh për ata që të ndjekin dhe të duan…

Dua t’ju them faleminderit për mbështetjen! / Shendeti.com.al

 

 

Postime të ngjashme

“Është makth”- Gazetarja Mira Kazhani tregon betejën me kancerin e gjirit
11 personazhe të famshëm që kanë folur hapur për çrregullimet e tyre të tiroides
Aktori Stanley Tucci flet për efektet e rënda anësore të trajtimit me rrezatim për kancerin
Papa Françesku ka një infeksion polimikrobik të rrugëve të frymëmarrjes. Çfarë është dhe sa serioze është?
Mirela Kuka, nga Shqipëria në San Raffaele: Drejtoj një ekip kërkimor mbi sistemin imunitar, në Itali realizova ëndrrën time
Kate Middleton përfundon seancat e kimioterapisë dhe publikon një video-mesazh emocionues
Ja pse rreziku i infeksioneve ushqimore tek fëmijët rritet në verë!
Ja si të mënjanojmë pickimin nga insektet në verë